Lojë me ndjenja kombëtare, lojë me flamurin tonë kombëtar

Çdo ditë po bëhen dasma e ndeja në Kosovën e pasluftës. Po harxhohem mijëra euro për ndeja e për këngëtarët e pak kujt po i shkon në mendje se po në atë natë kur po hapen xhepat për muhabet e për të plotësuar “krenarinë” para gruas me një këngë, në afërsinë tonë jetojnë jetimë , të cilëve baballarët u kanë rënë në frontet e luftës së lavdishme për lirinë e këtij trualli. Një qofte po t’u ua kishte lënë më pak i zoti i festës të ftuarve, një këngë ta kishte lënë më pak pa e kënduar këngëtari në gjithë këto dasma të Kosovës atëherë do të kishim më pak lot e më pak familje, që tërë dita u shkon duke thënë “ eh sikur ta kishim pak mish, eh sikur ta kishim nga një akullore”.

Të rënët për liri, shpirtrat e tyre, gjithë këto i shohin nga ajo bota e amshueshme dhe na mallkojnë. Ata, edhe nuk e bëjnë të madhe urinë e pasardhësve të tyre, por nuk di a do të na falin për lojën me ndjenja kombëtare e me lojën me flamurin tonë kombëtar.

Individë e qytetarë që nuk e kishin as në të kaluarën fort , apo hiç, dhembjen se çfarë po ngjan me Kosovën, me lirinë e saj e me flamurin tonë kombëtar, mezi kanë pritur të shohin ujin e të notojnë. Ata, që dikur mbanin në festa e dasma nga dy e tre flamuj, tani kanë nisur ta ndjenjë “atdhetarizmin” dhe në emër të një vendi që qenka bërë shtet, edhe me angazhimin e tyre, dhe që ky farë shteti paska tani edhe flamur e himn, dalin në festa e bankete dhe porosisin “tregtarët e flamujve” dhe ata tregtarë qepin , sipas porosisë, se “atdhetarëve” flamurin e dhunshëm të askujt me 6 yje e me asgjë shqiptare me flamurin me shkabë, që u mbajt me krenari në gjithë ato beteja e angazhime sublime drejt lirisë. Këta tregtarët e flamujve , nëse i pyet njeriu, të thotë se këtë qepje po e bëjnë për të treguar bashkimin. Por, nuk është ashtu . Bashkimi kombëtar i shqiptarëve mund të bëhet dhe duhet të bëhet vetëm nën flamurin e Kastriotit. Nën këtë flamur kanë dhënë betimin në emër të atdheut e kombit atdhetarët nëpër shekuj. Para këtij flamuri janë betuar trimat e Dedë Gjo Lulit. Para tij janë betuar në Vlorë Ismajl Qemajli e atdhetar të tjerë. Para këtij flamuri kanë dhënë betimin për luftë kundër pushtuesit nga Karpatet gjenerata e gjenerata atdhetarësh nga trojet tona. Para këtij flamuri të Kastriotit kishte dhënë betimin për luftë e sakrifica sublime edhe komandanti legjendar Adem Jashari dhe gjithë trimat e tjerë të lirisë.

Tani kur liria, kjo që e kemi, agoi në këto troje dhe pas shumë vitesh në pritje, dikush , na solli një flamur, që as nuk u krijua me një referendum, që na solli një himn, që me asgjë nuk është shqiptar, dalin njerëz , që s’kanë lidhje gjë me kombin dhe vazhdojnë atë lojën e keqe me flamuj , kur në emër të njëfarë ideologjike, kur ke vënë një është dashur t’i vendosësh në shtagë, dy a tre flamuj.
Këtyre ditëve të verës së ngrohtë , ata që nuk ndjejnë as edhe një respekt për vlerën e madhe të flamurit kombëtar, ata që Kosovën e kanë në sy vetëm për përfitime , gjejnë guxim që të qepin flamuj . Kështu ata janë duke bërë lojë me ndjenja kombëtare të shqiptarëve të vërtetë , lojë me flamurin tonë kombëtar. Këta farë kosovarësh “atdhetar” harrojnë se këtë flamurin tonë kombëtar e kishin mbrojtur atdhetarët nëpër shekuj dhe kishin derdhur gjak e kishin shprehur kundërshtime pse pushtetet, shkabës, ia shtonin ndonjë yll. Tash këta farë “patriotësh” gjejnë guximin dhe e qepin një flamur të askujt me flamurin kombëtar dhe kështu i zënë frymën shqipe të valoj e lirë në flamurin e saj. Këtyre “patriotëve” u duhet thënë prerazi, që kanë lirinë të mbajtën flamurin e yjeve të shumtë e të askujt, se kanë lirinë në festa e gazmende familjare ta mbajnë edhe flamurin kombëtar shqiptar, por nuk kanë as edhe një të drejtë, që flamurin me të cilin udhëhoqi gjithë ato lufta Skënderbeu, që flamurin kombëtar, para të cilit betuan gjithë atdhetarët e luftëtarët e lirisë, që flamurit me të cilin Adem Jashari krijoi faqet më të reja e më të ndritshme të lirisë, t’i qepet dhunshëm ndonjë flamur tjetër. Flamuri shqiptar është ai i kohës së Skënderbeut dhe nuk ka të drejt as edhe një analfabet, as edhe një qenie që nuk di kush është e pse është ta ndryshojë e ta dhunojë duke e qepur me yje e zhele, kaq.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE