Prodhimet e Malësisë duhet të promovohen më mirë

Të dielën në Tuz u mbajt panairi i prodhimeve bujqësore nga treva e Malësisë – ”Agrokultura 2009”

Tuz – Komuna Urbane e Tuzit organizoi të dielën në QIK “Malësia” panairin “Prezantimi i prodhimeve bujqësore nga treva e Malësisë –Agrokultura 2009”.
Në panair, të parin e këtij lloji të organizuar në Malësi, morën pjesë rreth 30 prodhues nga Malësia të cilët prezantuan prodhimet e veta bujqësore.
Panairin e shpalli të hapur kryetari i KU të Tuzit, Smail Maliq Çunmulaj, i cili me këtë rast shprehu pakënaqësinë e vet lidhur me bashkëpunimin e ministrisë përkatëse dhe institucioneve të Kryeqytetit, të cilat nuk ishin të pranishëm në këtë aktivitet.
Qëllimi i këtij manifestimi ishte promovimi i prodhimeve të shumta bujqësore të cilat i ofron kjo trevë.
“Qëllimi është edhe marketingu i prodhimeve tona dhe mundësitë që trevat tona i posedojnë ashtu që vërtet Malësia dhe prodhuesit tonë e meritojnë. Po ashtu t’i njoftojmë konsumatorët dhe turistët e shumtë që e vizitojnë Malësinë gjatë verës për kualitetin e prodhimeve tona dhe të fitojnë nga dora e parë informacione lidhur për këtë lëmi. Malësia meriton të promovohet më mirë dhe më denjësisht”, shprehet Ismeta Gjoka, këshilltare për bujqësi në KU të Tuzit, e cila mbajti fjalën hyrëse në këtë manifestim.
“Po ashtu, manifestimet e tilla janë mënyra më e mirë dhe shans për të gjithë që të promovojnë prodhimet e veta. Neve do të punojmë në drejtim që manifestimet e tilla të organizohen në të ardhmen dhe të jenë vend ku do të takohen prodhuesit dhe afaristët të cilët i plasojnë prodhimet e veta në tregjet botërore. Shpresoj se ky takim dhe takimet tjera do të bëhen tradicionale, me pretendim që në të ardhmen të jenë me një përmbajtje më të gjerë dhe më të vizituar”, thotë ajo.
Në panairin e prodhimeve bujqësore ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Teknik “GTZ”, e cila me këtë rast Shoqatës “Bujqit e Malësisë” i dhuroi një traktor me pajisje përcjellëse. /M. Gjokaj/kohapress/

KOMENTOJE