Një lajm i përzier me gëzim e dhembje

Në Forumin e malësia.org lexova me një frymë shkrimin e motrës GRUDEJANJA që fliste për lirimin e vëllezërve tonë RROK , KOLË E PJETËR DEDËVUKAJ nga burgu famëkeq i Shpuzit . Këtë lajm sa ora e shpërndava mes anëtarëve të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Kryesia e Shoqatës u bë tok për ca minuta dhe në fytyrat e secilit vërehej një dozë gëzimi dhe kishim arsye sepse tre vëllezërit tonë nuk ndodhen më mes mureve të atij kazamati sllav. Por, këtë gëzim në zemrat tona na e ndrydhi bukur shumë dhembja për vëllezërit që kanë ngelur ende në qelitë e një vendi , që u bë sinonim i torturave dhe i dhunës së pa parë ndaj atyre që toka i rriti e nënat i ushqyen me këngën për trimat.

“Nuk di , u gëzuam mjaft për Rrokun, Kolën e Pjetrin, por disi ky gëzim është i pjesshëm. Eh, sikur ta kishim lexuar te Grudejanja se janë liruar të gjithë , atëherë qe besa do ia kishim nisur festës në mes të Pejës”, shprehet kryetari i Shoqatës “Martin Dreshaj” , Ukshin Jashari.

“Edhe ata do të lirohen dhe e di se kanë mbetur të fortë si guri i bjeshkëve të Dedë Gjo Lulit. Po ju kuptoj o vëllezër. Edhe unë nuk po ndjehem krejt i lumtur, por ani, më mirë kështu. Bile këta tre vëllezërit tonë nuk janë më në qelitë plot errësirë e urrejtje ndaj çdo gjëje shqiptare”, ka shprehur mendimin e tij Frashër Rraci. Edhe nënkryetarët e Shoqatës Sali Lukaj e Ismet Demaj shprehin po këto ndjenja mes anëtarëve të Shoqatës. Ata nuk pushojnë se telefonuari mes miqve e anëtarëve të shumtë të Shoqatës “Martin Dreshaj” për të shpërndarë lajmin për lirimin e tre vëllezërve tanë.

Shoqata uron nga zemra që motra jonë Grudejanja të na gëzojë shpejt edhe me një lajm për vëllezërit tjerë dhe të na thotë me ato shkronja të arta se edhe ata janë liruar. E atëherë, qe besa në qendër të qytetit të Pejës do të plas vërtetë kënga e vallja e bukur. Do të gëzohemi për lirinë që po agon ngadalë. Do të festojmë për prangat e hedhura për dhe. Do të festojmë bashkë me mijëra familje në Malësi e kudo në trojet tjera shqiptare.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE