Rezoluta përkrahet edhe nga socialdemokratët

Kuvendi i Komunës Urbane të Tuzit miratoi të premten “projekt rezolutën mbi të drejtën e qytetarëve të Malësisë për vetëqeverisjen lokale”

Tuz – Të premten u mbajt seanca e 20-të e Kuvendit të KU të Tuzit. Në këtë seancë u diskutua në lidhje me Propozimin e Rezolutës “Mbi të drejtën e qytetarëve të Malësisë për vëtëqeverisjen lokale” dhe disa çështje të tjera me rëndësi për qytetarët e Malësisë.
Seanca e Kuvendit të KU të Tuzit aprovoi Propozimin e Rezolutës “Mbi të drejtën e qytetarëve të Malësisë për vëtëqeverisjen lokale”, si projekt i propozuar nga ana e shumicës në KU të Tuzit. Për tekstin e Rezolutës votuan të gjithë të pranishmit, në mesin e të cilëve ishte edhe këshilltari i Partisë Socialdemokrate, Ismet Gjokoviq, i cili nuk e përkrahu bojkotin e opozitës duke votuar për Rezolutën me disa ndryshime të propozuara nga vetë kjo parti.
Për rëndësinë e aprovimit të Rezolutës për banorët e Malësisë, në emër të propozuesit, foli këshilltari Vasel Sinishtaj i cili tha se me këto zgjidhje aktuale juridike nuk u respektuan normat ndërkombëtare, kushtetuta dhe ligji. Ai po ashtu tha se shpreson që me ndryshimet në Propozimin e ligjit mbi ndryshimin e organizimit territorial të Malit të Zi do të njihet e drejta për komunë.
Kryetari i Kuvendit të KU të Tuzit, Nikollë Camaj, njoftoi këshilltarët se projekti me të cilin kërkohet që statusi i Komunës Urbane të Tuzit të ngritet në komunë të plotë do t’u shpërndahet përfaqësive diplomatike dhe organizmave ndërkombëtar të akredituara në Mal të Zi dhe njëkohësisht do t’i dërgohet Parlamentit të Malit të Zi për miratim.

Në këtë seancë u diskutua edhe për Propozimin Vendimit mbi llogarinë përfundimtare të vitit 2008, me ç’rast kryetari i KU të Tuzit, Maliq Çunmulaj foli për shpenzimet e planit financiar dhe mjeteve të cilat kanë kaluar përmes xhirollogarisë së KU të Tuzit. Ai u shpreh se Podgorica nuk respektoi kërkesat të cilat janë të shumta nga ana e kësaj komune e që nuk realizohen.
“Për të gjitha këto dështime është fajtore Podgorica”, theksoi Çunmulaj.
Të gjitha subjektet që ushtrojnë pushtetin lokal në KU të Tuzit përkrahen propozimin e kryetarit Çunmulaj për llogarinë përfundimtare.
Këshilltari i Partisë Popullore Socialiste, Zhelko Miliq, tha se “kjo krijesë e pushtetit, e quajtur komunë urbane, nuk është gjë tjetër përveç se një instrument për pastrim parash”.
Në fund të diskutimit lidhur me këtë pikë, kryetari i Kuvendit të KU të Tuzit, Nikollë Camaj, shprehu qëndrim pozitiv mbi mënyrën e hartimit të Llogarisë përfundimtare për vitin 2008, “përkundër faktit se shumë projekte nuk kanë të bëjnë fare me shpenzimet e KU të Tuzit apo nuk janë realizuar fare dhe shpenzimet për rrugë apo projekte të tjera që janë të evidentuara si projekte të realizuara për vitin 2008, e që në realitet ato as nuk ekzistojnë”.
Gjatë kësaj seance u konstatua edhe dorëheqja e këshilltarit Luigj Junçaj, kurse këshilltari i ri i KU të Tuzit është Rexhep Çunmulaj nga radha e Iniciativës Qytetare.

Vendimin e Komisionit zgjedhor e kundërshtoi kryetari i Alternativës Shqiptare, Gjergj Camaj, i cili pohoi se kjo zgjedhje e këshilltarit të ri është bërë në mënyrë joligjore dhe se për këtë gjë është përdorur vula e një OJQ-je, përkundër faktit se me ligj kjo e drejtë është e përcaktuar vetëm për partitë politike.
“Kjo nuk është ajo çfarë populli i Malësisë ka votuar në zgjedhjet lokale. Por, ne si subjekt serioz do t’i durojmë të gjitha për hir të interesit të përgjithshëm për fitimin e komunës së plotë”, tha Camaj, duke shtuar se “kjo çështje nuk ka përfunduar”.
Kuvendi aprovoi listën e anëtarëve të komisionit për dhënien e Çmimit të KU të Tuzit, në përbërje: Pjetër Dreshaj – kryetar, Edmond Ujkaj – sekretar, dhe anëtarë Mark Dushaj, dr. David Kalaj, Teuta Gilaj, Zef Gjuravçaj dhe Sead Lulanaj./M. Gjokaj/kohapress/

KOMENTOJE