Takim me Bamir Topin

Siç dihet, dy ditët që kaluan, Kryetari i Republikës së Shqipërisë qëndroi për vizitë zyrtare në Malin e Zi, mysafir i kryetarit Vujanoviq.

Në kuadër të protokolit që realizoi Kryetari i Republikës së Shqipërisë, gjatë vizitës Malit të Zi, përpos takimeve me liderët politikë shqiptarë në Mal të Zi, ishte edhe takimi me kreun e Komunës urbane të Tuzit, me çka çështjes së të drejtës së Malësisë në vetqeverisje lokale, iu dha rëndësia e dorës së parë. Në takim ishin Smail Çunmulaj dhe Nikollë Camaj. Siç na njofotjnë bashkëbiseduesit tonë, ishte ky një takim vëllazëror, plot mirëkuptim. Kryetari Topi ishte fort mirë i informuar mbi statusin dhe kërkesën për komunë të plotë, andaj takimi u shfrytëzua më tepër për të kërkuar nga shteti shqiptar që të ushtrojë trysni më të madhe mbi pushtetarët malazes, në mënyrë që të ndërrohet vullneti politik i qeveritarëve të këtushëm, në raport me këtë çështje jetike, jo vetëm për banorët e Malësisë, por edhe për shiqptarët e Malit të Zi. Kryetarit Topi iu tha se nëse në Tirana zyrtare mendon që në këto troje etnike shqiptare, në këto troje, ku deri disa vite më parë popullata ishte pothuaj 100% shqiptare, pritet që të vazhdohet të flitet shqip, atëher tani është rasti më i volitshëm që të veprohet në këtë drejtim, e vetëm vetëqeverisja e mirëfilltë lokale mund të evitojë asimilimin e sigurt të popullatës së këtyre anëve. Mos të harrojmë se jo fort kaherë, në Tivar flitej shqip, pothuaj në çdo familje. Njëjtë edhe në Plavë-Guci e në viset e Rozhajës. Po sot!? Në momentin kur Mali i Zi pret përkrahje nga Shqiëria, duhet vlerësuar si duhet kontributi i shqiptarëve në demokratizimin dhe mvehtësimin e Malit të Zi dhe tu plotësohet kjo kërkesë e cila madje as nuk e damton shtetin e Malit të Zi.

Në fund, Kryetarit Topi iu dorëzua një dokumentacion që dëshmon krejt veprimtarinë e liderëve lokal lidhur me këtë kërkesë legale dhe transparente të Malësisë. Kryetari Topi premtoi se do të angazhohet në këtë drejtim dhe se në agjenden e tij, çështja e komunës për Malësinë do të ketë vend primar, madje edhe gjatë drekës së sotme me kryeministrin Gjukanoviq. Në takime të ndara ishin edhe: Mehmet Bardhi e Gjergj Camaj, në emër të Listës shqiptare; Nazif Cungu, Xhaudet Cakuli e Genc Nimanbegu, në emër të Forcës; Amir Hollaj e Vasel Sinishtaj, në emër të listës Perspektiva dhe Ferhat Dinosha, në emër të UDSH. Takimet u realizuan në Hotelin Avala në Budvë.

Albert Camaj

KOMENTOJE