Nuk ka ditë që nuk bisedoj me dikë nga Malësia dhe shumë prej tyre , gati me lot në sy, më tregojnë se një e keqe e madhe ka nisur të lëshoj shtat e të marrë forcë në Malësinë e Madhe. Më, thonë se armiku i dha zjarr e flaka e përçarjes po merr hov në Malësinë tonë. Kthehem e vështroj me kujdes çdo shkronjë në malësia.org dhe në forumin e saj dhe , po, po , hetohet kjo. Në komente e tekste fjalë plot vrer e inat. Armiku e nisi vallen e qoftëlargut dhe disa nga malësorët është rrezik të bëhen valltarë të dalluar në këtë valle dreqërish. Dallimet e përplasje mes ideve politike e mes partive ka edhe në trojet tjera, por ajo mund të falet, por kur nisin përçarjet e ofendimet mes vëllezërve të një gjaku pse ai qenka i këtij apo i atij besimi atëherë puna është plot rrezik dhe nëse me a po pa dije, i fryjmë këtij zjarri atëherë mjerë Malësia. Atëherë armiku do të kënaqet e do të bëj ama çfarë t’i teket e malësorët nuk do të kenë kohë të merren me poshtërsitë e tij duke u përplasur me njëri-tjetrin. E di se ndokush nga ata që janë mbushur me magjinë e keqe të armikut dhe ka nisur t’u mbushet koka me fyerje e mllef do të reagojnë e mbase edhe do të thonë çfarë po do ky njeri që na lodhi me shkrimet e fjalët e tij. Do të thonë le t’i shikoj punët e tij ai se nuk është nga Malësia, por le ta dinë ata se unë edhe jam duke i shikuar punët e mija. Malësia ka vëllezër në Kosovë dhe mes tyre jam unë dhe plot veprimtarë nga Shoqata “Martin Dreshaj”. Ne e duam Malësinë e Madhe dhe atje kemi shumë vëllezër e motra. Malësia për ne është vendlindja e dytë dhe këtë nuk mund të na mohojë ndonjë njeri që , si ka thënë Çajupi i madh, i ka marrë koka erë. Dashuria e madhe për malësinë dhe respekti i lartë për këtë truall të besës, mikpritjes e trimërisë na jep të drejt t’i drejtohemi gjithë atdhetarëve , kudo janë, që ta ngritin zërin kundër përçarjeve dhe me veprime të buta e vëllazërore ta shuajnë zjarrin e ndarjeve e thyerjeve, që nëse nuk shuhet mund të kthehet në flakë që përpijnë çdo gjë.
Unë jam gazetar dhe njëri nga lexuesit më të rregullt të malësia.org. Kjo media është dritare e së vërtetës për Malësinë dhe ka krijuar mijëra lexues në Kosovë. Këtu kam botuar shumë shkrime dhe kam marrë shembuj të vërtetë e të bukur të festave e angazhimeve të përbashkëta të vëllezërve të një kombi e të besimeve të ndryshme. Ajo që kam shkruar është e vërtetë. Mijëra raste të bukura të respektit, dashurisë e unitetit mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme në Kosovë janë përditshmëri. Po raste të tilla ka edhe në diasporë, ka kudo. Për to duhet shkruar. Kam vërejtur në media disa individë marrin një shembull të izoluar e të shëmtuar dhe, gjoja duke e demaskuar e kritikuar, krijojnë përshtypje se shqiptaret e besimit islam qenkan bërë arab a turq. Kjo është turp. Disa ‘penda” tërë ditën dërgojnë shkrime e komente degraduese për shqiptarët dhe se gjoja ata të besimit islam janë bërë me Arabinë e kundër vëllezërve të tyre të besimit të krishterë. Madje ka edhe shkrime që gjendjen e shqiptarëve të besimit të krishterë e paraqesin si shumë të rrezikuar. Kjo nuk është e vërtetë. Nëse doni, mos më besoni mua, po eja në Kosovë dhe bisedoni me këta vëllezër . Nëse ata deklarojnë ndryshe atëherë më pështyni publikisht në fytyrë. Të punojmë në zhdukjen e përçarjeve sa janë të vogla ato sepse kombit tonë nuk i ka hije të hap kanale të përçarjeve mes vëllezërve të një gjaku. Feja është çështje personale e individit dhe atë nuk bën t’ia imponojmë dikujt. Kombi e gjuha shqipe na takojnë të gjithëve. Për to duhet punuar deri në angazhime sublime.
Rrahman Jasharaj