Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” ka shfrytëzuar atë pak hapësirë para fushatës zgjedhore në Kosovë për të sensibilizuar opinionin për apelin e intelektualëve, shoqatave, përfaqësuesve politikë dhe të anëtarëve të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi lidhur me përkrahjen për realizimin e të drejtës elementare për komunën e plotë në Malësi. Për të bërë këtë Shoqata “Martin Dreshaj” ka ftuar që para mediave, që raportojnë nga Peja, të dalin bashkë ata dhe Aida Derguti, përfaqësuese nga Prishtina e Lëvizjes Vetëvendosja, Drita Krasniqi nga Qendra Rajonale e Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut dhe autoritetin moral nga fshatrat e Kryedrinit, Mulla Sadri Zeka.
“Shoqata e Vëllazërisë Kosovë Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” tani e 10 vite ka ngritur ura të bashkëpunimit vëllazëror në kulturë, arsim dhe çështje të tjera kombëtare me Malësinë e Madhe, Kosovën Lindore dhe trojet tjera etnike dhe është bërë edhe zë i Malësisë e për Malësinë në Kosovë. Shoqata jonë ka një pjesë të konsideruar të anëtarëve edhe në Malësi dhe prandaj ndjen obligim që të ngrit zërin në mbrojtjen e të drejtave legjitime të shqiptarëve atje. Shoqata jonë do të angazhohet për përkrahje të angazhimeve të Malësisë edhe lidhur me të drejtën legjitime për komunë të plotë të Malësisë, kjo aq më tepër kur po dëshmohet se Mali i Zi në vazhdimësi shkel të drejtat më elementare të shqiptarëve atje. Ky shtet , kur është fjala për Malësinë dhe shqiptarët, nuk respekton as Kushtetutën e vetë e as aktet e dokumentet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut”, ka thënë në hyrje të konferencës për media, Rrahman Jasharaj, zëdhënës i kësaj Shoqate. Ai pastaj ka bartur përmes mediave apelin për opinionin e Kosovës që të jenë në mbështetje të kërkesës legjitime të Malësisë për komunë të plotë duke paralajmëruar se kjo Shoqatë do t’i bëj apel edhe Lëvizje VETËVENDOSJA që përmes Rrjetit të Organizatave Shqiptare (RrOSH) ta ngrit në nivel gjithëkombëtar çështjen e përkrahjes së kërkesës për komunën e plotë të Malësisë. Jasharaj ka shtuar se Mali i Zi deri dje ka nëpërkëmbur të drejtat elementare të vëllezërve tanë në Malësi e tani është trimëruar dhe po shkel edhe kufirin e Kosovës duke vjedhur tokat shqiptare e duke vënë pllaka kufitare. Ai ka kritikuar kreun e institucioneve të Kosovës për deklarime qesharake se çështja e kufirit na qenka e garantuar.
Aida Dërguti nga Prishtina , përfaqësuese e Lëvizjes Vetëvendosja, ka shprehur gjithë respektin për Shoqatën “Martin Dreshaj” në angazhimet që po bën ajo në mbajtjen gjallë të urave të vëllazërisë mes trojeve etnike. Ajo pastaj ka cekur se Lëvizja Vetëvendosja është në përkrahje të fuqishme të kërkesës legjitime të Malësisë për komunë të plotë. Dërguti ka nxjerr para mediave shumë fakte që flasin se Evropa në Ballkan për dikë është nënë e për dikë njerkë. Trimërimin e Malit të Zi për shkeljen e nëpërkëmbjen e të drejtave elementare të shqiptarëve atje dhe të okupimit e vjedhjes së trojeve shqiptare me tabelat e reja në bjeshkët shqiptare në perëndim të Kosovës Dërguti e ka gjetur të defektet e mëdha të institucioneve të Kosovës dhe të servilizmi i tyre karshi faktorit ndërkombëtar. Ajo i ka shprehur gjithë përkrahjen në emër të Vetëvendosjes angazhimeve në Malësi për komunë të plotë dhe aktiviteteve të Shoqatës “Martin Dreshaj”.
Drita Krasniqi nga Qëndra Rajonale e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka qenë shumë konkrete në paraqitjen e saj para mediave. “Skenarë të njëjtë të shkeljes së të drejtave në Malësi nga pushteti i Malit të Zi janë reprizë e skenarëve të dikurshme të Serbisë ndaj të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve të Kosovës . Si Këshill jemi në përkrahje të të drejtës elementare të Malësisë për komunë të plotë sepse kjo e drejtë është e garantuar edhe me Kushtetutën e Malit të Zi , por edhe me gjithë dokumentet valide ndërkombëtare. “, ka thënë znj. Krasniqi, e cila pastaj duke u ndalur të çështja e tokës së vjedhur me kilometra nga ana e Malit të Zi ka shprehur keqardhjen pse gjithë gjeneratat shqiptare janë të shtyra ta kalojnë rininë e tyre me protesta e angazhime në mbrojtje të tokave stërgjyshore e të drejtave legjitime.
Përshtypje të veçantë në këtë takim të organizuar me mediat nga Shoqata “Martin Dreshaj” ka lënë autoriteti moral i banorëve të fshatrave buzë kufirit më Malin e Zi, Mulla Sadri Zeka. Ai fillimisht është shprehur se bashkë me popullin e fshatrave të Kryedrinit është në përkrahje të plotë të kërkesës legjitime të vëllezërve tonë në Malësi për komunë të plotë. “Vëllezërit tonë në Malësinë e Dedë Gjo Lulit kanë shtruar një kërkesë legjitime për komunë e plotë. Le ta dinë malësorët se e kanë përkrahjen tonë dhe këtë përkrahje do ta përsërisim kudo që të jemi , qoftë në obligimet fetare, qoftë në takime e ndeja”, ka thënë Mulla Sadriu. Ai pastaj para mediave ka rrëfyer për shqetësimet e mëdha të banorëve të fshatrave buzë kufirit për arsye të tokave të vjedhura nga Mali i Zi. “ Ky veprim i Malit të Zi me vjedhjen e tokave dhe me lojën me kufirin ka shkaktuar shqetësime e ankth të banorëve të Kryedrinit. Ata kanë ardhur te unë dhe më kanë pyetur se çfarë do të bëjmë tani. Ky është problem i madh sepse janë 500 familje nga kjo pjesë e Kosovës qyq me shekuj kishin hiset e tyre në bjeshkët shqiptare, që tani u ka vënë kufi të ri Mali i Zi . Ne po punonim e po angazhoheshim për projekte të zhvillimit të blegtorisë e turizmit malor në bjeshkët tona, por çdo gjë po bie në ujë nga ky hap pushtues i Malit të Zi. Kemi kontaktuar me pushtetin lokal në Pejë e do të kemi takim edhe me atë qendror në Prishtinë, nëse ata nuk bëjnë diçka atëherë pranvera nuk di se çfarë do të sjellë. Njerëzit nuk do të pajtohen lehtë që dikush e as Mali i Zi t’i lë pa hiset e tyre në bjeshkë. Puna mund të bëhet shumë keq nëse nuk angazhohen institucionet e të dy shteteve për një marrëveshje të drejtë. Populli nuk do të durojë që Mali i Zi t’ua vjedh tokat e bjeshkën aq lehtë”, ka shtuar Mulla Sadriu.
Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” ka gjetur përkrahjen e plotë nga bashkëpjesëmarrësit në këtë takim me mediat që të vazhdojë angazhimet si zë i Malësisë duke përgatitur dy peticione, njërin në mbështetje të fuqishme për komunën e plotë të Malësisë dhe tjetrën si reagim kundër tokave të vjedhura. Këto dy peticione do t’i dërgohen institucioneve të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Ambasadave të shteteve të ndryshme në Kosovë dhe shumë organizmave e Shoqatave shqiptare në Malësi, SHBA dhe në gjithë diasporën.
Rrahman Jasharaj