Populli i Kosovës shton kundërshtimet ndaj politikës antishqiptare të Malit të Zi

Niset me Protestat e me bllokimin e rrugës Pejë-Rozhajë

Vënia e tabelave të Malit të Zi 5 kilometra thellë në tokat e Kosovës, vizita në vendin e vjedhjes së tokave nga kreu i komunës së Pejës z. Ali Berisha dhe atij të policisë së Kosovës për Rrafshin e Dukagjini, Ahmet Hasi dhe politika antishqiptare e këtij shteti ndaj vëllezërve në Malësinë e Madhe kishte bërë që Shoqata e Vëllazërisë Kosovë Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” të delte në një konferencë me mediat duke ftuar edhe Lëvizjen Vetëvendosja, Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe autoritetin moral nga fshatrave të Kryedrinit, Mulla Sadri Zekën. Kjo konferencë pati jehonë të madhe te banorët e Dukagjinit dhe nuk u bë një javë dhe në mënyrë të organizuar nga ta dhe Shoqata kanë nisur kundërshtimet ndaj politikës antishqiptare të Malit të Zi. Ky kundërshtim ka shënuar nismat të hënën me një protestë e me bllokimin e rrugës Pejë-Rozhajë

Duke iu drejtuar protestuesve, përfaqësuesi i fshatrave të Kryedrinit, Mulla Sadri Zeka ka kërkuar fillimisht qëndrim dhe sjellje dinitoze. Ai në cilësinë e Këshillit organizativ të kësaj proteste i ka bërë të ditur opinionit dhe institucioneve të Kosovës se kjo është nismë e shprehjes së pakënaqësisë për tokat e vjedhura dhe për vjedhjet fort të këqija të pushtetit të Malit të Zi.

“Ua bëjmë me dije institucioneve tona se kjo protestë është nismë e angazhimeve tona në mbrojtje të kufirit dhe tokave shqiptare, të cilat janë prona tonat me dekada e shekuj. Tabelat e vëna nga Mali i Zi janë thellë në tokat e Kosovës dhe për 6 kilometra hapësirë e tkurrin tokën e Kosovës. Ne nuk pajtohemi me këtë veprim të Malit të Zi dhe e konsiderojmë si akt të okupimit të tokave tona. Kërkojmë nga institucionet tona që urgjentisht e brenda kësaj jave të takojnë delegacionin e të 21 fshatrave të Dukagjinit, që ishin pjesë e kësaj proteste dhe të shohin dokumentacionin që kemi ne e që flet se janë vjedhur tokat tona e është cenuar kufiri i shtetit tonë. Kërkojmë që një komision ndërshtetëror të punojë me mendje dhe ta vë kufirin aty ku ishte e jo të hesht e të pranojë tabelat e vëna në truallin e Kosovës”, ka thënë, veç tjerash, Mulla Sadriu. Ai pastaj ka ftuar ta marrë fjalë Rrahman Jashrajn, zëdhënës dhe koordinator për bashkëpunim me trojet etnike të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin DReshaj”. Jasharaj ka thënë se Shoqata, që ai përfaqëson, është në mbrojtje e të drejtave legjitime të Malësisë dhe mbështetje e zërit për komunë të plotë.

“Mali i Zi pavarësinë e fitoi edhe me votën e vëllezërve tonë në Malësi e kudo në trojet tjera shqiptare të administruara nga Mali i Zi. Pas kësaj pushteti i Malit të Zi nisi dhunën e torturat në malësi duke ua mohuara atyre edhe të drejtat më elementare. Nisi me burgosje, tortura e me ndalimin e gjuhës shqipe, flamurit e simboleve tjera. I trimëruar Mali i Zi nga heshtja e institucioneve të Shqipërisë e Kosovës tani ka nisur të okupojë edhe trojet tona. Shoqata përkrah këtë angazhim të banorëve të fshatrave të Dukagjinit dhe kërkon nga institucionet e Kosovës të marrin në mbrojtje tokën e Kosovës”, është shprehur para protestuesve, Jasharaj .

Gjatë gjithë kësaj kohe protestuesit në mënyrë të vendosur e dinjitoze po mbanin të bllokuar rrugën Pejë-Rozhajë, që qon drejt Malit të Zi. Pjesëmarrësit në komunikacion, po ashtu, kanë treguar kulturë duke respektuar bllokimin. Ata janë informuar nga protestuesit për arsyen dhe bllokadës së rrugës dhe kanë shprehur solidaritetin me ta.
Në këtë protestën e parë masës i janë drejtuar edhe njerëz të moshuar nga të 21 fshatrat, që kanë me shekuj bjeshkën dhe pronat e tyre në tokën, që tash është e okupuar nga Mali i Zi. Ata kanë treguar se që nga fëmijëria e tyre kanë dalë në ato bjeshkë dhe se atje kanë edhe varret e të parëve të tyre. Ata kanë dëshmuar se gjithë ajo pjesë madhështore ishte e Kosovës sepse prindërit e tyre, e më vonë edhe ata vet, taksat për pronën dhe kërkimin e lejeve për të prerë ndonjë lis i merrnin të organet gjegjëse të Pejës e Kosovës.

Këshilli organizativ bashkë me protestuesit i janë drejtuar institucioneve të Kosovës me kërkesën që ata të angazhohen në zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje madhore. Në të kundërtën, si është thënë zëshëm në këtë protestë, veprimet do të përshkallëzohen dhe janë të natyrshme edhe ngritjet e tensioneve dhe komplikimet e mëdha në këtë pjesë të Kosovës.
“Nuk po mbrojmë pronat tona, por po mbrojmë tokën e Kosovës, e cila është vjedhur tinëzisht nga Mali i ZI”, “Trojet stërgjyshore nuk lejojmë t’i pushtojë Mali i Zi”, “Kërkojmë angazhim të institucioneve tona”, ishin disa nga mbishkrimet që mbaheshin prej protestuesve në rrugën që lidh Kosovën me Malin e Zi okupues.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE