Marrëdhëniet diplomatike i hapin rrugë bashkëpunimit më intensiv

Ministri për të drejtat e njeriut dhe pakicave Ferhat Dinosha, pret që Mali i Zi dhe Kosova të vendosin së afërmi marrëdhënie diplomatike

Podgoricë – Mali i Zi dhe Kosova do të vendosin marrëdhënie diplomatike deri në fund të vitit, parashikon ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Ferhat Dinosha.
“Mendoj se kjo do të ndodhë së afërmi. Kur them së afërmi, e kam fjalën gjithsesi për këtë vit, mundësisht edhe para mbarimit të tij”, ka thënë ai.
Dinosha vlerëson se është në interesin e Malit të Zi që “të bëjë edhe këtë hap” në mënyrë që, me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Podgoricës dhe Prishtinës, t’i hapet rruga bashkëpunimit më intensiv ndërmjet dy fqinjëve.
“Kjo do t’u shërbente të dyja palëve dhe rajonit”, vlerëson ai.
I pyetur nëse pret që vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës do të prishë raportet e Podgoricës me Beogradin, siç ka paralajmëruar Vuk Jeremiq në rastin e Maqedonisë, Dinosha ka thënë se qëndrimi i tillë bën pjesë në atë që quhet “agjendë e punës” së ministrit serb të Punëve të Jashtme.
“Kjo është gjuajtje e zbrazët në ajër sepse çdokush e ka të qartë se proceset demokratike në mënyrë të pashmangshme ecin përpara dhe se realiteti i ri në Ballkan është i pashmangshëm. Ka mundësi që nga Beogradi të ketë reagime të tilla, por kjo nuk do të reflektohet në ashpërsimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”, ka thënë Dinosha./kohapress/

KOMENTOJE