S’kam nevojë të them asgjë nga koka ime që më vlon e as të trilloj. Lexoj mediat dhe dëgjoj shqetësimet e njerëzve, prej atyre të moshave miturake e deri të pleqtë me plisa të bardhë e me mustaqe. “ Arsimtar lexova se 8000 vajza shqiptare ka gjasa të martohen me pleq serbë, çka thoni Ju a është e vërtetë”? , më zë ngushtë pyetja e një nxënësi të mirë. Ai nga unë ka dëgjuar poezi e fjalë admirimi për trimat e rangut të Gjergj Kastriotit, Oso Kukës, e Adem Jasharit.
Çfarë t’i them këtij nxënësi të mirë . Ta gënjej nuk mundem e t’ia them të vërtetën nuk ka se si. Ashtu si pyet ai është. Femrat shqiptare si makina të vjetra po shiten në Shkodrën e kulturës e trimërisë shqiptare dhe kjo po del në opinion si diçka normale. Martesat me shkije, fushata paraelektorale me plot sharje e fyerje, tragjedia e njerëzve në lumin serb Tisa, laku në fyt që Podgorica i ka vënë Malësisë, Kosova Lindore e robëruar, tokat e vjedhura nga Maqedonia, Serbia e Mali i Zi, ndarjet e përçarjet mes faktorit shqiptar kudo në trojet etnike, “patriotët” që nuk lanë pa marrë gjë në emër të atdhetarizmit, atdhetarët e vërtetë që nuk lënë gjë të mirë pa bërë për trojet etnike e që mezi kanë një bukë për ta ngrënë , ky është realiteti shqiptar. Ky nxënësi im është shumë i zgjuar dhe për të mos më lënë të gaboj e të dal i painformuar më tregon se ka parë në lajme vizitat e liderëve shqiptarë dhe pritjet që u ka bërë diaspora.
“Pse po i presin si heronj, kur nuk janë të tillë”, ma shton edhe një pyetje të rëndë ky nxënësi im. Unë nuk i përgjigjem në klasë se ora do të merrte kahe të keqe, por nuk munda pa e bërë këtë shkrim.
Martesat me shkije, fushata paraelektorale me plot sharje e fyerje, tragjedia e njerëzve në lumin serb Tisa, laku në fyt që Podgorica i ka vënë Malësisë, Kosova Lindore e robëruar, tokat e vjedhura nga Maqedonia, Serbia e Mali i Zi, ndarjet e përçarjet mes faktorit shqiptar kudo në trojet etnike, “patriotët” që nuk lanë pa marrë gjë në emër të atdhetarizmit, atdhetarët e vërtetë që nuk lënë gjë të mirë pa bërë për trojet etnike e që mezi kanë një bukë për ta ngrënë , ky është realiteti shqiptar. E, çfarë bëjmë ne shqiptarët. Shikojmë , bëjmë sehir, mbyllim sytë dhe secili mundohet të qojë ujë në mullirin e më të madhit të partisë së tij. Pjesës më të madhe të popullit të Kosovës nuk i ha palla për nuset shqiptare që po shkojnë të dhëndurët vrasës në Serbi, nuk u ha palla as për viktimat në lumin Tisa e as për vuajtjet e Malësisë së Madhe e të Kosovës Lindore. Ata janë të zënë rob në kurthin e etheve të zgjedhjeve të nëntorit dhe janë duke u lutur nëpër kisha e xhamia që liderët e partitë e tyre të fitojnë e sa për trojet etnike e femrat shqiptare kobzeza punë e madhe. Kjo logjikë e keqe i ka trashur liderët e Kosovës dhe ata nuk ndjejnë as më të voglën përgjegjësi pse ka ndodhur tragjedia në lumin serb Tisa. Foshnjat e mbusha ujë nuk ua lëndojnë shpirtin. Nuk ua lëndon shpirtin as edhe toka e vjedhur nga Mali i Zi. Për ta Kosovë le të mbetet vetëm Prishtina dhe ata le të mbeten në karriqa e ne pushtet dhe s’ka problem. Duket se “pavarësia” e Kosovës është paguar me marrëveshje të fshehta për falje tokash. Po të mos ishte kështu ata, bile me tre rreshta , do t’i përgjigjeshin letrës së hapur, që edhe në adresën e tyre, ka shkuar në emër të 5 OJQ-ve më aktive të Pejës dhe të mijëra banorëve të 24 fshatrave të Dukagjinit.
Nuk mund e të mos i përgjigjem këtij nxënësit tim të mirë edhe në pyetjen pse diaspora në Evropë e SHBA po i pret si trima këta liderët e Shqipërisë e të Kosovës. Në ato vende të largëta pak ka arritur të dalë e vërteta e plotë. Pak dihet atje se cilët janë ata që punojnë për çantat e xhepat e cilët janë ata që punojnë për kombin e atdheun e u mungojnë edhe gjërat elementare për jetë. Diaspora e ka lehtë ta zgjedh këtë mister. Le t’i pyes gjatë vizitave liderët çfarë kanë bërë për trojet dhe atdheun në muajt e fundit dhe le t’i thërras, pse jo, në takime pune, njerëzit, që gjithë kohën ia kushtojnë atdheut dhe trojeve tona. Atëherë e vërteta do të dalë sheshit dhe do të jetë e pastër si loti. Ka njerëz që këtë të vërtetë janë të gatshëm ta thonë para liderëve kudo takohen me ta.
Rrahman Jasharaj