(update) Pas shumë shtyrjeve, Komisioni Qendror Zgjedhor më në fund ka dhënë rezultat preliminare të zgjedhjeve lokale nëpërmjet kryetares, Nesrin Lushta, e cila ka rikujtuar faktin se këto rezultate mund të pësojnë ndryshime, pasi aty nuk përfshihen votat me kusht, dhe se në disa vendvotime ende nuk është bërë numërimi i votave.
Në bazë të rezultateve paraprake, nga qendrat e mëdha, në Prishtinë ka fituar kandidati i LDK-së e në Gjakovë ai i AAK-së, në Ferizaj kandidati i PDK-së, ndërkohë në qendrat tjera të mëdha, Mitrovicë, Prizren, Pejë dhe Gjilan, do të ketë balotazh.
Sipas këtyre rezultateve, në kryeqytet ka fituar kandidati i LDK-së, Isa Mustafa me 56.6 %. Në Deçan ka fituar Rasim Selmanaj i AAK-së me 67.7%. Në Mamushë ka fituar kandidati i partisë turke KDTP, Arif Bytyç me 80.9%
Në Gjakovë fitues ka dalë kandidati i AAK-së, Pal Lekaj me 52.8 %. Në Gllogovc ka fituar kandidati i PDK-së, Nexhat Demaku me 89.9% të votave. Në komunën e Fushë Kosovës zgjedhjet i ka fituar kandidati i LDK-së, Burim Berisha, me 57.2 %.
Në Leposaviq ka pasur vetëm një kandidate, Ardita Hasani nga AAK, e cila ka fituar përqindjen e plotë të zgjedhjeve.
Në Ferizaj, Bajrush Xhemajli nga PDK, ka fituar 50.5% të votave. Kandidati i LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, ka fituar me 50.2% të votave. Kandidati i PDK-së, Sami Lushtaku, ka fituar zgjedhjet në komunën e Skenderajt me 85%. Në Shtime, kandidati i PDK-së, Naim Ismajli, ka fituar 51.6% të votave në këtë komunë.
Në Zveçan, të gjitha votat i ka fituar kandidati i AAK-së, Sami Kelmendi, ndërsa në Zubin Potok ka dalë fitues kandidati i PDK-së, Naser Ferizi me 53.4%. Në komunën e Graçanicës, fitues është Bojan Stojanoviq nga SLS me 61.8%. Në Ranilug, Dragimir Mikiq, nga GIZOR me 70.4%, ndërsa në Kllokot, Sasha Mirkoviq, nga SLS ka fituar të gjitha votat.
Në Mitrovicë do të shkojnë në balotazh, kandidati i PDK-së, Avni Kastrati, i cili ka fituar 39.4 % të votave, dhe ai i AKR-së, Nexhmedin Spahiu, i cili ka fituar 22.9% të votave.
Në Prizren do të ketë balotazh ndërmjet kandidatit të PDK-së, Ramadan Muja, që ka fituar 31.2% të votave dhe atij të LDK-së, Hanefi Muharremi që ka fituar 30.3% të votave.
PDK dhe LDK në raundin e dytë do të garojnë edhe në Gjilan, me anë të kandidatëve të tyre respektivë, Qemajl Mustafa që ka fituar 38.4% të votave dhe Fatmir Rexhepi që ka fituar 27.6% të votave.
Për postin e kryetarit të Pejës do të shkojnë në balotazh, kandidati i AAK-së, Ali Berisha (43.4%) dhe kandidati i LDD-së, Elmi Berisha (16%).
Në të gjitha komunat tjera do të ketë balotazh.
Kryetarja e KQZ-së deklaroi se pas dy ose tri ditëve do të jepet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. /Telegrafi/
Thaçi: Fitore e PDK-së në 70% të komunave
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur fitoren e PDK-së në 70% të komunave të Kosovës.
Në një konferencë për media, në orët e hershme të së hënës, Thaçi ka thënë se PDK-ja ka fituar 38-43% të votave në nivel të Kosovës, respektivisht ka fituar bindshëm apo ka arritur suksese të mëdha në 20 komuna të Kosovës.
Sipas Thaçit, PDK-ja ka fituar në Mitrovicë, Prizren, Ferizaj, Gjilan, Kamenicë, Skenderaj, Rahovec, Klinë, Kaçanik, Drenas, Obiliq, Dragash, Malishevë, Suharekë, Vushtrri, Lipjan, Shtime, Shtërpcë, Han të Elezit dhe në Viti.
Sidoqoftë, Thaçi nuk ka specifikuar në tërësi se në cilat komuna janë fituar nga PDK-ja që në raundin e parë të zgjedhjeve – përpos Ferizajt dhe bastioneve të kësaj partie në Drenas dhe Skenderaj – dhe në cilat do të ballafaqohet PDK-ja në balotazh me parti të tjera. /Telegrafi/