Presidenti Topi fton Papën në Shqipëri

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, u takuan të hënën me Atin e Shenjtë, Papa Benediktin XVI në kuadër të Samitit Botëror të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së OKB-së, (FAO) i cili po zhvillon punimet e tij mbi “Sigurinë e Ushqimit” në Romë.

Pas zgjedhjes së kryetarit dhe zëvendëskryetarëve dhe aprovimit të Deklaratës së Samitit Botëror për ‘Sigurinë e Ushqimit”, Shenjtëria e Tij, Papa Benedikti XVI, i cili edhe hapi sesionin e parë plenar me fjalimin e tij, u takua me presidentin Topi në mjediset e FAO-s në Romë.

Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira historike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, e falënderoi Atin e Shenjtë për ndihmesën e çmuar dhe rolin që Vatikani dhe kisha katolike kanë luajtur për ringjalljen shpirtërore dhe fetare të besimtarëve shqiptarë dhe të parimeve e vlerave të shenjta.

Topi dhe Ati i Shenjtë vlerësuan harmoninë, tolerancën dhe bashkëjetesën fetare që e shquan vendin tonë përsa u përket marrëdhëniet mes tri besimeve të ndryshme, duke nënvizuar rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis feve.

Ati i Shenjtë vuri në pah lidhjet e vjetra historike e kulturore të Shqipërisë me familjen evropiane, si dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë për përmbushjen e aspiratës së popullit shqiptar për t’u bërë pjesë edhe zyrtarisht, përveç se gjeografikisht, e Evropës së Bashkuar.

Në emër edhe të mbarë popullit shqiptar, Topi e ftoi Atin e Shenjtë, Papën Benedikt XVI që të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u mirëprit me shumë kënaqësi nga Shenjtëria e Tij dhe kjo vizitë mbetet për t’u realizuar në një kohë të përshtatshme. /Telegrafi/