Demantim: Shpifje të pabaza nga “Humanistët” Gojçaj

Kohë më parë në Tuz u bë përurimi I librit (dokumentarit) “Shtatoret e Përjetësisë” të autorit Lekë Gojcaj. Në librin autobiografikë të familjes së Gjeto Dedës dhe vëllazërisë Gojcaj, në faqet 179 dhe 180 gjejmë shënime që në mënyrë pezhorative e përshkruajnë mësuesin e tyre Rexhep Bajramin Gjokaj.

Çdo botim libri duhet të pritet me admirim e posaçërisht librat që temë kanë individ dhe familje që u kontribuojnë çështjeve humane dhe kombëtare siç është rasti i vëllezërve Lekë dhe Pashko Gojcaj. Mirëpo, në vend që autori i këtij libri voluminoz që në qendër të vëmendjes ka humanisten Nënë Terezë dhe kryetarin historik të Kosovës Ibrahim Rugova, të mbetet në këtë nivel, ai për fat të keq merret me shpifje, të pavërteta, dhe etiketime të papara për mësuesin e tyre Rexhep Bajramin Gjokaj. Autori i librit në fjalë Rexhepin e përshkruan si njeri të verbuar nga ideologjia komuniste, njeri i regjimit te atëhershëm të egër i cili propagandonte idenë e kolektivizimit. Ai nuk heziton ta njollosë dhe ta etiketoi “ ai kishte shpirt Millosheviqi”. Jemi të befasuar se si autori i jep të drejt vetes të merret me këto të pavërteta kur dihet fakti se në atë periudhë, në të cilën e përshkruan mësuesin e tij Rexhep Gjokaj, ishte diku 10 vjeçar. Pasi që Leka në atë moshë nuk ishte në gjendje të bëjë vlerësime për karakterin e Rexhepit dhe as për orientimi e tij politikë, lënë hapësirë të dyshohet se shkrimet në fjalë janë vepër e mentorit të tij. Kushdo qoftë, autori apo mentori i këtij shkrimi, shkruan gënjeshtra dhe çka është edhe më e keqe ka qëllime të këqija.

E vërteta për Rexhepin dhe familjen tonë është kjo: Bajram Sadiku babai i Rexhepit në luftë për mbrojtjen e këtyre trojeve nga ushtria malazeze në vitin 1912 plagoset rënd. Rexhepi po ashtu është nip i Mehmet Muratit dhe Baca Kurtit që janë simbol të rezistencës në këto troje. Rexhepi dhe 5 vëllezërit e tij jo se nuk ishin komunistë por askurrë nuk ushtruan ndonjë detyrë politike, as në fshatin e vetë e jo më gjerë, jo pse nuk ishin të aftë, apo pa traditë familjare, por për arsye se nuk ishin të përshtatshëm për regjimin e asaj kohe. Kur është fjala për Rexhepin ai ishte ndër intelektualët e rrallë të përndjekur nga pushteti i atëhershëm komunistë. Kjo dëshmohet në librin “Meteorët e arsimit shqip ne Mal te Zi 1916-1966” të prof. Dr. Palokë Berishës. Profesori Palokë Berisha në tekstin që ja kushton Rexhepit shkruan. “Rexhepin e ndiqnin këmba këmbës organet e sigurimit, sepse ishte i dyshimtë si nacionalist. Në të vërtetë, qysh në vitin 1949 ishte anëtar i Komitetit të Lidhjes së Prizrenit. Komitetin e udhëhiqte Rexhep Kosova dhe kishte shumë anëtar, të cilët shumë vjet vepruan pa u ra në sy komunistëve. Në vitin 1953 një numër anëtarësh të këtij komiteti dënohen. Rexhep Kosova dënohet me 15 vjet burgim kurse shumë anëtare për dy vjet rresht janë thirr në gjyq në Gjakovë, e ndër ta ka qenë Rexhepi i merituar si mësues dhe patriot. Më në fund, lirohet prej akuzës në vitin 1954. E tërë kjo ndikoi që Rexhep Bajrami ta lerë arsimin e të regjistrohet në studime.
Por, shërbëtorët e pushtetit monist komunist e përcjellin dhe nuk i dhanë bursë as kredi dhe kjo ndikoi që ti lëshoi studimet”.
Pra, kjo është e vërteta për Rexhepin që e shkruan në libër njeriu kompetent. Të këtillë e njohshim ne familjarët, këtë e dëshmojnë edhe bashkëkohësit, kolegët dhe nxënësit e dikurshëm të tij. Çuditemi dhe pyetemi pse gjithë këto shpifje dhe kjo urrejtje ndaj Rexhep Bajramit Gjokaj nga të bijtë e Gjeto Dedës Gojcaj, nga Leka dhe Pashku.

Familja e Rexhep Bajramit Gjokaj

KOMENTOJE