Komuna Urbane si bashkësi lokale

Finansimi i komunave në Mal të zi dhe i KU të Tuzit

Kryeqyteti e arsyeton financimin aktual me tezën se Komuna e plotë nuk mund të vetëfunksionojë dhe enkas për territorin e Komunës Urbane ofron mundësinë e financimit të ngjashëm me atë të bashkësive lokale. Përveç që Podgorica dështoi në zhvillimin e saj, kjo do të thotë edhe dështimin e saj në përgatitjen si ekonomike ashtu edhe kadrovike që Komuna e ardhshme e plotë të jetë funksionale, nga të ardhurat e vjela në territorin ku ajo ushtron pushtetin lokal.

Muhamed Gjokaj

Për të funksionuar mirë dhe në mënyrë adekuate një Komunë, sistemi i financimit të saj duhet t’i plotësojë disa kushte, siç janë: organizimi i mirëfilltë i shërbimeve komunale, efikasiteti në punë, sistemi adekuat i financimit, si dhe aplikimi i këtyre në tërë territorin e komunës.
Financimi i vetëqeverisjes lokale është përcaktuar me Ligjin mbi vetëqeverisjen lokale (Gazeta zyrtare e Malit të Zi, nr. 45/90), si dhe me ligje të veçanta që përcaktojnë dhe përkufizojnë të ardhurat publike apo me ndryshimet ligjore për shpenzimet publike nga viti 1996.
Me këto ligje është kodifikuar vetë mënyra për vjeljen e të ardhurave, të cilat i përkasin vetëqeverisjes lokale.
Në sistemin e përgjithshëm të financimit të shtetit të Malit të Zi janë definuar edhe mënyra e financimit të komunave dhe kjo është përcaktuar me Kushtetutë, me ligje, me akte nënligjore, me vendime të ndryshme institucionale, etj.
Në këtë sistem definohen: subjektet shtetërore, të cilat vendosin për financa, për.llojin e të ardhurave publike, me ç’rast përcaktohen të ardhurat dhe ndarja e tyre sipas niveleve administrative, mundësitë për marrjen e huave dhe shpallja e borxheve publike, si dhe vetë mënyra e shpërndarjës së të ardhurave publike.
Në ligjin ku janë të definuara të ardhurat publike janë të përcaktuara këto të ardhura: tatimet, kontributet për sigurim social, taksat, shpërblimet për shfrytëzimin e të mirave natyrore dhe të mirave të tjera të përgjithshme shoqërore, kontributet, huamarrjet publike, kreditë, si dhe të ardhurat e tjera të përcaktuara me ligj.

Buxhetit për financimin e vetëqeverisjeve lokale u përkasin të ardhurat e realizuara në bazë të të ardhurave (personale) të Komunës, të të ardhurave të transferuara nga buxheti dhe të ardhurave shtesë ose dotacionet nga Fondi Egalizues.
1) Të ardhurat vetanake të Komunës.
Administrata lokale e komunës i siguron të ardhurat nga: taksat administrative lokale, taksat komunale lokale, shpërblimet për shfrytëzimin e të mirave me karakter të përgjithshëm, shpërblimet nga shfrytëzimi i truallit ndërtimor të Komunës, etj.
2) Të ardhurat e transferuara nga buxheti
3) Te ardhurat shtesë ose dotacionet nga Fondi Egalizues

Shuma e mjeteve shtesë apo dotacioneve varet nga disa faktorë: nga bilanci i përgjithshëm i të ardhurave dhe shpenzimeve publike në nivel të administratës shtetërore dhe Komunës për vitin buxhetor, nga shkalla e mbulimit të shpenzimeve të realizuara nga mjetet e arritura nga të ardhurat lokale dhe nga mjetet e transferuara nga buxheti i shtetit, nga madhësia e territorit, nga numri i banorëve dhe dendësia e vendbanimeve.
Nëse të ardhurat lokale nuk mjaftojnë, atëherë kemi ndërhyrjen e shtetit për të korrigjuarr dhe përkrahur me mjete shtesë nga buxheti i tij.
Kurse, kur është fjala për financimin e Komunës Urbane, ajo është e definuar në nenin 45 të Ligjit për Kryeqytetin (Gazeta zyrtare e MZ, nr. 65/05 – 2005).
Mjetet për financimin e komunave urbane sigurohen nga buxheti i Kryeqytetit dhe përcaktohen varësisht nga kërkesa, lloji, komplekisteti dhe madhësia e punëve të parapara me planin financiar të Komunës Urbane, nga të ardhurat sipas përqindjes së popullatës së Kryeqytetit dhe nga mundësitë reale materiale që ka në dispozicion Kryeqyteti.
Duke u bazuar në dispozitat ligjore, alineja 1 e nenit 45, mjetet për funksionimin e administratës lokale sigurohen nga: buxheti i Kryeqytetit, mjetet e transferuara nga të ardhurat e Kryeqytetit, kontributet, donacionet, dhuratat, si dhe nga burime të tjera në pajtim me ligjin.
Në rastin tonë, Kryeqyteti e arsyeton këtë me tezën se Komuna e plotë nuk mund të vetëfunksionojë dhe enkas për territorin e Komunës Urbane ofron mundësinë e financimit të ngjashëm me atë të bashkësive lokale. Përveç që Podgorica dështoi në zhvillimin e saj, kjo do të thotë edhe dështimin e saj në përgatitjen si ekonomike ashtu edhe kadrovike që Komuna e ardhshme e plotë të jetë funksionale, nga të ardhurat e vjela në territorin ku ajo ushtron pushtetin lokal.

Neni 46 i Ligjit për Kryeqytetin (Gazeta zyrtare e MZ, nr. 65/05 – 2005), thotë: Komunës urbane i takojnë 50% nga shuma e të ardhurave të vjela në territorin e saj, në të cilat hyjnë: të ardhurat nga patundshmëritë, koncesionet, të ardhurat nga shfrytëzimi i të mirave natyrore si dhe nga taksat komunale lokale.
Përveç këtyre të ardhurave sipas nenit 46, Komunës urbane në tërësi i takojnë edhe të ardhurat nga taksat administrative për punët dhe veprimet nga organet e administratës së KU-së.
Prandaj nga kjo mund të kuptohet se 100% të të ardhurave nuk mjaftojnë për ekzistencën dhe funksionimin e Komunës së plotë të Tuzit. Kryeqyteti si alternativë e kësaj i ofron vetëm gjysmën e tyre. Kurse për sasinë e mjeteve të vjelura, mungon transparenca. Atëherë ky është argument më bindës që Podgorica ta mbajë Tuzin nën varësinë e vet, sepse siç kemi thënë më parë, kjo situatë stimulon sistemin korruptiv të Kryeqytetit./kohapress/

KOMENTOJE