Festë e madhe në Prishtinë për ditën e Flamurit Kombëtar, do të jehojë zëshëm zëri i Malësisë dhe për Malësinë

Rrjeti i Organizatave Shqiptare ka bërë gjithë përgatitjet për të festuar në mënyrën më madhështore Ditën e madhe të Flamurit tonë Kombëtar. Manifestimi qendror për Kosovën do të mbahet në Prishtinë me një varg aktivitetesh kulturore. Organizatori ka paraparë që kjo festë e madhe të stoliset me një panair të prodhimeve e artizanateve ng të gjitha trojet shqiptare për të vazhduar me defiletë e Asambleve e grupeve muzikore nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare. Organizatori ka paraparë që fragmente nga historia jonë e lavdishme kombëtare të shpalos përmes një ekspozite me fotografi nga historia dhe kultura shqiptare.

“Aktivitetet që do t’i organizojmë do të jenë një manifestim i veçantë i kulturës, traditës dhe vlerave shqiptare. Besojmë që me planin tonë do
të kënaqen qytetarët e Prishtinës, prodhuesit dhe zejtarët që i kemi ftuar të vijnë, dhe grupet e valltarëve së bashku me rapsodët, të cilët janë po ashtu vullnetarë të marrin pjesë në këtë manifestim”, shprehet për malësia.org Dardan Molliqaj, njëri nga veprimtarët e këtij organizimi të madh kulturor e kombëtar.
Një ngjarje e veçantë e këtij Manifestimi kombëtar pritet të jetë edhe Oda shqiptare me ulëse të odës dhe nikoqiri i saj. Do të jetë ky një vend takim burrëror i gjithë rapsodëve nga trojet etnike, që do t’i këndojnë zëshëm flamurit kombëtar dhe trimave, që kanë lënë gjurmë krenarie nëpër shekuj.

Pjesë e festës së madhe edhe Shoqata “Martin Dreshaj”

Në shenjë respekti për punën dhe aktivitetin e vazhdueshëm në ngritjen e urave të vëllazërisë mes trojeve etnike organizatori i festës së madhe të flamurit kombëtar në Prishtinë ka ftuar për pjesëmarrje në aktivitete edhe Shoqatën e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”.

“Kemi pranuar me kënaqësi këtë ftesë dhe kemi bërë gjithë angazhimet që Shoqata jonë bashkë me vëllezërit tonë këngëtarë e artistë nga trojet etnike të përfaqësohet në mënyrën më të denjë në këtë festë të madhe në kryeqytetin Kosovës. Edhe kësaj radhe do të jehojë zëshëm zëri i Malësisë dhe për Malësinë”, ka thënë për malësia.org, kryetari i kësaj Shoqate atdhetare Ukshin Jashari. Ai ka shtuar se Shoqata në këtë festë do të bashkojë në një valle artistë e këngëtarë nga Peja , fshatrat Qyshk e Isniq, artistë nga Gjilani dhe Ansamblin “Shpëtimi” nga Kosova Lindore me të cilin kjo Shoqatë ka bashkëpunim vëllazëror tani e 10 vite.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Frashër Rraci ka thënë për malësia.org se edhe në këtë festë Shoqata do të jetë zë i Malësisë dhe për Malësinë duke i treguar opinionit të gjerë në Kosovë se janë Malësia e Madhe dhe Kosova Lindore trojet shqiptare që edhe këtë festë të flamurit e presin me plot shqetësime e halle sepse atyre u janë mohuar edhe të drejtat më elementare nga pushtetet malazeze e serbe.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE