Malesia.org në festën e madhe të Flamurit kombëtar në Prishtinë
Që nga mëngjesi i festës së madhe të Flamurit kombëtar gazetari i malësia.org ka qëndruar në Prishtinë për të përcjellë të lexuesit e shumtë atmosferën e bukur e madhështore që rinia shqiptare e Kosovës kishte krijuar në shenjë respekti për flamurin e Gjergj Kastriotit dhe në shenjë të dashurisë vëllazërore për trojet etnike, që janë nën administrimin e shteteve pushtuese. Rrjeti i Organizatave Shqiptare bashkë me Vetëvendosjen kishin bërë punë të madhe që festa e dalë vërtetë madhështore dhe e bukur. Në sheshin “Nëna Terezë” , të kësaj nëne të madhe shqiptare, ishin vënë tenda e në to prodhime vendore. Ishin aty të renditura për bukuri shumë e shumë punime dore të veshjeve kombëtare. Kjo bënte që Prishtina të frymojë shqip. Më tutje prodhues të shumtë kishin ekspozuar prodhime bujqësore e blegtorale. Mijëra flamuj kombëtar valonin lirshëm dhe i jepnin gjallëri e forcë festës. Ky shesh me emrin e madh, po bëhej pikë takimi i Shoqatave e Ansambleve. Vallja e një trualli etnik fillonte për të hyrë në të gjithë pjesëmarrësit. Kështu krijohej atmosferë e bukur dhe përcillej mesazhi se kombi e do bashkimin.
Në mënyrën më të denjë në këtë festë të madhe është prezantuar edhe Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”.
“Edhe Malësinë e Madhe e kemi në këtë festë të madhe”, flet këngëtari Ismet Bajri dhe bëhet pjesë e valles. Lodrat e instrumentet frymore nga Gjilani e Kosova Lindore i japin gjallëri hapërimit të Shoqatës drejt Sheshit të festës.
“Nuk ka datë e ngjarje të madhe kombëtare e në të cilën nuk ka valuar flamuri ynë kombëtar. Flamuri valoi në Lezhë, Malësi të Madhe e në Prekaz. Valoi dhe bashkë me trimat u bë pjesë e historisë së lavdishme. Ky është flamuri ynë”, flet për malësia.org, Shefki Halimi, i cili me krenari mbante flamurin tonë duke prirë pjesëmarrësit e Shoqatës “Martin Dreshaj”. Vizitorët e festës kanë pritur me duartrokitje parakalimin e Shoqatës dhe kanë brohoritur për Malësinë e Madhe. Organizatori i kësaj feste të madhe kishte rezervuar një hapësirë të madhe kohore për prezantimin artistik të Ansambleve e Shoqatave të njohura atdhetare. Shoqata “Marrtin Dreshaj” e ka ndezur atmosferën me paraqitjen skenike për trojet etnike. “Shumë mendojnë se jem çlirue edhe me zë këtë e thojnë, po nuk hedhin syrin tutje , dhembjen Malësisë nuk ia kuptojnë”, ishte një fragment nga kjo paraqitje. Shikuesit kanë brohoritur për kohë të gjatë “Rroftë Malësia e Madhe”.
Pas kësaj aktorët kanë vazhduar me shpalosjen e programit. N’Kosovë Lindore burgje e zi, lot e burgje edhe në Malësi. Vëllezërit tonë po i burgos horri duhet me u çua trimat prej vorri”, ishte një apel skenik e pastaj aktorët kanë ftuar dëshmorët të ngrihen nga varret e të bëjnë bashkimin kombëtar. Ishte ky mesazh kritike për liderët që nuk po punojnë sa duhet për këtë mision të shenjtë të unifikimit e bashkimit të trojeve e kobit. Për disa minuta me radhë shikuesit janë bërë pjesë e skenës dhe bashkë me aktorët e Shoqatës i kanë brohoritur dëshmorëve, flamurit dhe Bashkimit të kombit tonë. Në vazhdim të programit festiv në mënyrën më mjeshtërore janë prezantuar këngëtarët e Shoqatës dhe të Ansamblit “Shpëtimi “ nga Kosova Lindore. Ata , si në këtë festë, edhe në shumë programe festive të tjera gjenden tok duke dhënë shembull se si duhet bashkuar trojet.
“O moj Shqipni mos thuj mbarova”, ishte këngë e nisur nga Enver Lukaj e Hysni Gashi, për t’u kënduar nga gjithë publiku. Janë pëlqyer shumë edhe këngët “Mos ta lam Medvegjën n’Serbi”, “Xhamadani vija-vija” dhe kënga për 28 Nëntorin. Dhjetëra mijëra pjesëmarrës të kësaj feste të madhe kishin të njëjtin mesazh dhe ideal. Kishin angazhimin për bashkimin e kombit . Kishin respektin për të vetmin flamur që kemi. Ata bashkë me Shoqatën e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” ngrihen lart flamurin kombëtar dhe apelin për unifikimin dhe bashkimin e kombit e trojeve. Rroftë bashkimi kombëtar – u dëgjua zëshëm e me mijëra herë në Prishtinë në ditën e festës së madhe të Flamurit kombëtar.
Rrahman Jasharaj