Me krijuesit e mëdhenj në diasporë: Gjelosh Gjokaj

Piktura e grafika që të frymëzojnë dhe të bëjnë të ndihesh i frymëzuar: Piktori e grafiku i madh shqiptar Gjelosh Gjokaj, i cili jeton në Augsburg të Gjermanisë
Veprat e Gjeloshit janë të fuqishme, janë të sajuara nga copëza shkëmbore. Kjo është vendlindja e autorit, kjo është forca e tij dhe shfryrja me një vijëzim pasqyrimi të forcës kombëtare dhe të qendresës së tij gjatë gjithë historisë. Vijëzimet e paraqitura janë thundërrimi i plasaritjeve tona që fatkeqësisht na kanë dobësuar duke krijuar edhe rragama. Të gjiha këto janë përcjellë edhe me ofshama dhembjeje sepse asketistët me apologjitë e tyre nuk e justifikuan rrugën e tyre ogure prandaj veprat e shkrimtarëve, piktorëve dhe të arteve tjera u vunë në shërbim të forcës përparimtare për ecje të sigurt drejt rrugëve dhe ditëve që sot i përjetojmë.

Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 në Milesh të Tuzit ne Malësinë e Madhe, në një vend shkëmbor. Aty që në fëmijëri duke kryer shkollimin fillor dhe atë të mesëm u mishërua me forcën e shkëmbit, me rrasat e thundëruara në qenien e tij shpirtërore për t’iu bërë më vonë motiv dhe mjet shprehës në pikturat e tija me një përëmbajtje shumëdimenzionale, me një mbrujtje dhe frymë atdhedashurie. Që aty trupi i tij mori forcën e shkëmbit për t’iu përballuar lëvizjeve të ndryshme nëpër vende të shumëta.
Në vitet 1958 – 1963 Gjelosh Gjokaj ishte në Beograd, në atë qytet të mbushur me shqiptarë sharaxhinjë, për të fituar pak bukë për fëmijët që i kishin lënë pas qindra bjeshkëve, me bashkëkombasit e Gjeloshit të cilët nga vendësit quheshin me një emër përbuzës dhe nënçmues “shiftar”. Këto Gjeloshi i dëgjoi, i shijoi me tërë idhtësinë që përmbante ai emër fyes, dhe u përballoi.
Gjeloshi ynë me forcën e shkëmbit të vendlindjes i përballoi dhe brenda pesë vjetëve Gjeloshi ynë kreu fakultetin e arteve pamore në grafikë e pikturë.Ai nuk shkoi rastësisht në Beograd. Ai atje shkoi për t’ua hapur derën në formë profesionale aftësive që ia kishte dhuruar nëna natyrë. Atje përballoi të gjitha mënxyrat e jetës. Shijoi bukën e hidhët të kurbetit, jetën e të përbuzunit, fyerjet e ndryshme, presionet dhe trysnitë si shumë studentë të tjerë dhe të gjitha këto bëheshin me një plan perfid – për ta braktisur shkollimin. Atë që e përjetoi dikur Esat Mekuli më vonë në kohën e sundimit rankoviçian e përjetoi Gjeloshi po forca e tij e mundi tërë atë shfrenim antinjerëzor dhe iu kthye Kosovës për ta krijuar shkollën e tij pamore duke i aftësuar qindra studentë duke ua dhënë njohuritë thundrruese dhe krijuese në Shkollën e lartë për pikturë dhe grafikë në Prishtinë.
Rrethanat që u krijuan gjatë rrjedhave të ndryshme politike të kohës ia pamundësuan veprimtarinë e tij të zellshme para studentëve dhe atë krijuese për ta shpreh tërë atë që shpirti i tij ndiente për ta pasqyruar në artin e tij sublim. Prandaj, iu desht të kalojë në Itali dhe, prej vitit 1969 ishte piktor i lirë në Romë të Italisë.

Gjatë qëndrimit të tij 14 vjeçar në Itali e profesionalizoi edhe më shumë artin e tij krijues si në grafikë ashtu edhe në pikturë dhe, duke u njohur me veprimtarinë përkatëse me shumë piktorë të vendit Gjeloshi mori një kulturë thuaja univerzale dhe në saje të talentit dhe përvojës që mori i tejkaloi kufijt e anonimitetit duke u bërë piktor dhe grafik me renome, duke u futur në mesin e krijuesve më të njohur të kohës jo vetëm mbarëshpiptar por edhe më gjerë.
Gjelosh Gjokaj duke e njohur Augsburgun si një qytet me tradita të lashta në arte të ndryshme si në pikturë, skulpturë, grafikë, teatër, operë, balet dhe arte tjera në vitin 1983 do të kalojë aty për ta vazhduar talentin e tij me dhuntinë e natyrshme duke kontribuar jo vetëm në atë vazhdë të krijimtarisë së vet por duke e njohur edhe opinionin artdashës gjerman me piktorët shqiptarë dhe krijimtarinë e tyre pamore.
Të gjthë krijuesit, artistët e adhurojnë kontributin e Gjeloshit, piktorit dhe grafikut i cili ka pasur 37 ekspozita personale brenda dhe jashtë vendit, duke marrë pjesë edhe në 60 ekspozita kolektive.

Pjesëmarrja në gjithë këto evenimente kulturore dhe reprezentative të një krijimtarie artistike me një bagazh veprash monumentale, Gjeloshi u shpërblye me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare siç janë:
Në vitin 1965, në Prishtinë u shpërblye me “Çmimin e Tetorit”
Në vitin 1976, iu nda “Çmimi i Nëntorit” i Kosovës,
Në vitin 1976, u laurua me çmimin “Amici di Lignaiano” – Miqtë e Linjanos.
Në vitin 1977 në Mal të Zi mori çmimin “13 Korriku”,
Në vitin 1978, në Kalabrinë e arbëreshëve tanë u dekorua me çmimin “Villa San Giovanni”,
Në vitin 1988 e mori çmimin jubilar “25 vjet të Galerisë Ecke” në Augsburg.
Në vitin 1989 mori çmimin e parë për “Formati i vogël” i Galerisë Ecke – Augsburg,
1991 fitoi çmimin special “Hermann Gotz” i qytetit Marktoberdorf
Më 1995 mori çmimin nga “Kreissparkasse” në Augsburg etj.

Në pikturat dhe grafikat e Gjelosh Gjokajt ka art të njimendtë, art i cili frymëzon dhe të bën të ndjehesh i frymëzuar jo në masën e autorit krijues po në atë masë të një shikuesi i cili fiton atë mesazh që autori i a jep përmes figurave artistike. Siç e dijmë arti pamor flet me imagjinatën e shikuesit dhe, kështu ia jep mundësinë dhe kënaqësinë që gjatë shikimi ai ta shprehë ndjenjën e vet bile edhe ta frymëzojë për të krijuar me imagjinatën e tij. Si i tillë, arti pamor jep mundësinë e shfryrjes dhe të përjetimit.
Veprat e Gjeloshit janë të fuqishme, janë të sajuara nga copëza shkëmbore. Kjo është vendlindja e autorit, kjo është forca e tij dhe shfryrja me një vijëzim pasqyrimi të forcës kombëtare dhe të qendresës së tij gjatë gjithë historisë. Vijëzimet e paraqitura janë thundërrimi i plasaritjeve tona që fatkeqësisht na kanë dobësuar duke krijuar edhe rragama. Të gjiha këto janë përcjellë edhe me ofshama dhembjeje sepse asketistët me apologjitë e tyre nuk e justifikuan rrugën e tyre ogure prandaj veprat e shkrimtarëve, piktorëve dhe të arteve tjera u vunë në shërbim të forcës përparimtare për ecje të sigurt drejt rrugëve dhe ditëve që sot i përjetojmë.

T’i kërkojmë në atelenë e krijuesit dhe nëpër galeritë e ndryshme ku gjenden krijimet e Gjelosh Gjokajt dhe të vështrohen me vëmendje ciklet e pikturave “Ditari nga Roma”, “Zogjtë”, “Robotët”, “Ekzodi” e shumë të tjera në të cilat ka aq shumë elemente të shkëputura nga qenia e jonë historike, biologjike dhe fizike; ka aq shumë art ku sublimohet e bukura dhe vetëm e bukura e shtrirë në ngjyra të përdorura me një mjeshtri të një mjeshtri të madh i cili meriton atributet piktor, grafik, krijues, artist senzibil, mendimtar, meditues, hulumtues, profesor në kuptimine fjalës, i madh, temëgjerë, i shumënduarshëm dhe gjeni në fushën që e lëron deri në pafundësi.

Halil Këqiku

KOMENTOJE