Kushtëzimet malazeze dhe heshtja e Prishtinës zyrtare

Mediat në Kosovë e  emituar shumë herë duke i dhënë hapësirë të madhe e qendrore lajmit se po vendosen marrëdhëniet diplomatike mes Malit të Zi dhe Kosovës. Ky gëzim i madh u shpreh, mbase, nga fakti se  kishin kaluar shumë muaj nga njohja e Kosovës nga ana e Podgoricës, por hezitohej të  bëheshin hapa konkret. Kosova i duartrokiti gjatë letrës së ministrit të jashtëm malazez Roqen dhe me të dy duart ishte e gatshme të shkëmbej edhe ambasadorët pa paraqitur as edhe një kushtëzim. Nga kjo mund të lexohet se  çdo gjë na qenka në rregull dhe se nuk ekziston as edhe një element i vogël për ta diskutuar më parë.  Prishtina zyrtare  ka për çfarë të bisedojë me Podgoricën , por hesht se , sipas saj, kryesorja është të  bëhen ambasadat e të shkëmbehet kori diplomatik, se për hektarët e tokave të vjedhura përgjatë gjithë kufirit s’paska dert hiç.  Nuk paska dert për Prishtinën as fakti se shqiptarëve  në trojet e tyre etnike Mali i Zi po ua mohon të drejtat më elementare dhe po punon në mënyrë tinëzare për t’i asimiluar apo për t’i detyruar t’i lënë trojet stërgjyshore e të katandisen diku nëpër botë. Kosova nuk i sheh këto fakte e as nuk do të lexojë e të dëgjojë dhjetëra e dhjetëra apele, shkresa e protesta të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e madhe “Martin Dreshaj” dhe të shumë Organizatave Joqeveritarëve e banorëve të 24 fshatrave të Dukagjinit , që Mali i Zi ua ka vjedhur bjeshkën dhe varret e të parëve.  Kosova hesht dhe paraqitet e shurdhër ndaj gjithë këtyre ankesave e vajtimeve, por kështu nuk bëri Mali i Zi. U ngrit, që moti, tërë aparati shtetëror malazez dhe u takua  kokë me kokë me përfaqësuesit e një Shoqate, që e quajtën “e malazezëve të Kosovës”, e që më vonë na është kthyer edhe në parti dhe kërkon, sa qel e mbyll sytë, të futet në Kushtetutë dhe të jetë e pranishme në institucionet më të larta të Kosovës. Kosova hesht edhe pse ka të drejtë të flas, kurse Mali i Zi flet edhe pse nuk ka fare të drejt.

“Unë gjithsesi nuk do t’i nënshkruaj aktet e shkëmbimit të ambasadorëve derisa bashkësia nacionale malazeze të pranohet qartë si pakicë, dhe t’i sigurohet përfaqësim autentik në pushtetin e Kosovës”, ka thënë  presidenti i  Malit të Zi ,Filip Vujanoviç, i shtyrë nga ankesa e Gjokiqit se gjoja “Malazezët në komunitetin e Kosovës janë më të padëshiruarit i bashkësi kombëtare dhe se dikush nuk i lejuaka të kthehen në “Metohi”. Vujanoviçit  do t’i thonë kudo të lumtë se po përfaqëson dhe po mbron kërkesat, qofshin ato edhe të padrejta, të malazezëve, kudo janë ata. E sa i takon këtij farë Gjokiqit? Te ai po shihet se jeton me ato andrallat e vjetra e me emocionet e kohës së ligë. Metohi  nuk ka në Kosovë. Në momentin  kur forcat barbare serbe, o Gjokiq, thyen qafën nga Kosova dhe u kthyen në shpellat e dreqërve me ta theu qafën edhe termi i dhunshëm “Kosova e Metohija”. Vendi ynë, ku jeton ti , e kërkon të jesh pjesë e Kushtetutës dhe institucioneve, quhet bukur Republika e Kosovës. Këtë dije  Gjokiq dhe mësohu të jetosh me realitetin e ri. Gjokiqi  dhe Vujanoviqi e dinë, por duan ta heshtin pse, ata që po i quajnë malazez në Kosovë kishin mbetur jashtë Kushtetutës. Nuk i kanë  lënë  jashtë institucionet e Kosovës e as autorët e Kushtetutës së saj, por fajet i kanë vetë Gjokiqi me gjithë  gjokiqët tjerë.  Vujanoviq ti bashkë me Gjukanoviqin, ndoshta, nuk keni shënime dhe këta që po kërkojnë të quhen tani malazez në Kushtetutën e Kosovës, nuk ua kanë shpjeguar, por ata në kohët kur Kosova mezi frymonte nën  robërinë e egër nga Serbia dhe në kohën e burgosjeve, rrahjeve, maltretimeve e dhunës së pa parë ndaj shqiptarëve nga makineria vrastare serbe ishin bërë pjesë e kësaj makinerie. Bile në shumë raste mundoheshin të tregoheshin më serb se serbët. Ata as në vitet e katrahurave e as  në edhe në fillimet e pas luftës në Kosovë nuk e kanë pyetur  fare për asgjë Podgoricën, po Beogradin. Mediat shqipe kanë vizituar vendbanime në Dukagjin për të biseduar me të kthyerit që dikur ne i konsideronim si malazez, por ata janë deklaruar se nuk ndjehen të tillë, por se ndjehen serb. Tani Vujanoviq, kur qendrat më të mëdha të vendosjes në botë dhe ju e pranuat Kosovën shtet të pavarur, Gjokiqi e ka parë sa është ora . Tash ai duke  parë se në Kosovën e lirë më shumë kanë të drejta pakicat se vetë shqiptarët, do që sa qel e mbyll sytë ta shpikë në Kosovë pakicën malazeze. Anoi edhe le ta shpikë, por le të tregojë drejt sa po i  deklarohen malazez dhe se a e njohin realitetin e ri në Kosovë ata, apo duan ende ta kenë barkun në Kosovë e kokën e mendjen në Serbi. Ata, o Vujanoviq në enklava e mbajnë flamurin e Serbisë e jo as atë të Kosovës e as flamurin tënd. Merru vesh ti me ta  se sa për institucionet e Kosovës mos ke dert. Ata po qëndrojnë gatitur dhe ju japin të drejta, edhe nga ato që nuk ekzistojnë në botë, edhe malazezëve tu. Po ti sa je në gjendje të bësh për shqiptarët në Malësi  e kudo në trojet e tyre që ta kishin dhënë votën vendimtare për pavarësi e ti me gjithë Gjukanoviqin e aparatin shtetërori “falënderuat” me tortura, dhunë, burgje e duke ua përdhunuar figurat kombëtare, figurat e shenjtëruara dhe flamurin kombëtar.    Vujanoviq  ambasada mund të hapen , por marrëdhëniet e mira nuk mund të vendosen kur dikush paraqet e paraqet kushtëzime pa pasur argumente e tjetri i hesht argumentet. Bëhuni në Podgoricë të sinqertë se edhe juve ju duhen marrëdhëniet e mira e të qëndrueshme  me Kosovën sepse jemi fqinj.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE