Me rastin e lajmit të sotshëm që Mali i Zi dhe Kosova, kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike me shkëmbimin e letrave të ministrave të punëve të jashtme të Malit të Zi dhe të kosovës, Mehmet Bardhi, kryetar i Lidhjes Demkratike në Mal të Zi, dha këtë

Lajmi që sot u dha në mjetet e informacionit që Mali i Zi dhe Kosova, kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike me shkëmbimin e letrave të ministrave të punëve të jashtme të Malit të Zi, zotëri Millan Roqen dhe të kosovës, Skënder Hyseni, është lajm i mirë, të cilin akt e përshëndesim. Është lajm i mirë sepse ishte edhe akt i pritur. Kishte nevojë edhe kushtet ekzistonin, që këtë ta kryenin edhe më herët, por edhe tash nuk është vonë, sidomos po të kemi parasysh kankulimet politike, klimën politike brenda Malit të Zi, e sidomos sugjerimet dhe presionin politik nga Serbia, e cila insistonte që Mali i Zi mos të ngutet me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën deri sa Gjykaka Ndërkombëtare e Hagës mos të bjerë vendim.

Them se është mirë, pikë se pari për Malin e Zi e pastaj edhe për Kosovën. Është mirë pasi Mali i Zi e Kosova janë dy shtete fqinje, e me fqiun, dihet se, marrëdhëniet gjithëherë duhet të jenë të mira… Në rastin konkret kemi të bëjmë me dy shtetet më të reja fqinje në Ballkan, prandaj nevoja është edhe më e madhe. Mirë është edhe për tërë regjionin, pasi që këto marrëdhënie i kontribuojnë,jo vetëm marrëdhënieve të mira, por ato janë bazë edhe për stabilitetin. Madje është mirë edhe për çështjet eventualisht e të hapura e kontestuese që mund të jenë, marrëdhëniet diplomatike janë parakusht që të zgjidhën me bisedime e marrëveshje.

Globalizimi politik e gjithënjë e më tepër sidomos ai ekonomik, kërkon gjithnjë e më tepër koordinim në mes të shteteve, sidomos atyre fqinje, për të arritur marëveshje e koordinime për një funksionim më të mirë të ekonomisë, e çështjeve të tjera, poashtu edhe kundërvënia dhe lufta kundër kriminalitetit të organizuar në regjion dhe më gjërë etj. etj.

Pastaj, është mirë edhe për arsye se në Malin e Zi sot, në trojet e veta stërgjyshore, në kufi me shtetin amë Shqipërinë, nga Rozhaja deri në Ulqin, jetojnë shqiptarët, ndërsa edhe në Kosovë – një numër qytetarësh me prejardhje sllave, si serbë, malazezë etj.

Mendoj se vendosja e marrëdhënieve diplomatike e shtetit të Malit të Zi me me shtetin e Kosovës është mirë për të gjithë fqinjët, pra edhe për Serbinë, sepse me këtë Serbisë i ndihmohet që ajo më lehtë dhe realisht të kuptojë ngjarjet jo vetëm të të sotmes, por edhe të pranojë realitetin – Kosovën e pavarur dhe të mëvetsishme, ecila, nëse duam të themi të vërtetën, nuk ishte diçka e papritur.

Prandaj pres që në një kohë sa më të shkurtër Qeveria e Malit të Zi të dërgojë ambasadorin e vet në Prishtinë, të cilit i uroj suksese dhe të gjitha të mirat, si edhe ambasadorit të shtetit të Kosovës në Podgoricë, për të cilin sa kam informacione, do të jetë kolegu im nga ditët e nxehta politike studentore të viteve 1968-1972, zotëri Azem Vllasi, të cilit poashtu i uroj mirëseardhje dhe vazhdimësi të sukseseve të Kosovës në politikën gjithëshqiptare, regjionale e ndërkombëtare.

Në fund , sinqerisht shpresoj që kësaj radhe nuk do të ketë taktizime e kalkulime nga a na e Malit të Zi për shkëmbimin e ambasadorëve, ashtu siç patën në periudhën e kaluar, që nga vendimi i Podgoricës që zyrtarisht pranoi shtetin e pavarur të Kosovës (më 09 tetor 2008) e deri sot.

KOMENTOJE