Shoqata “Martin Dreshaj”- 10 vite angazhimesh për të lidhur penjtë e atdheut

Në pritje të ndihmës vëllazërore nga njerëz atdhetar e të vullnetit të mirë

Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” veprimtarinë e saj për t’i lidhur penjtë e atdheut e për të krijuar ura të unifikimit kulturor, arsimor, sportiv e kulturor mes trojeve etnike është duke e zhvilluar suksesshëm që nga mesi i vitit 1999. Kjo Shoqatë deri tani ka zhvilluar shumë aktivitete të përbashkëta për të prezantuar këtu e kudo në trojet etnike vlerat e këngës, valles, veshjes së bukur dhe traditës shqiptare. Shoqata është kthyer në zë të malësisë dhe për malësinë edhe duke organizuar protesta të shumta në mbrojtje të të drejtave elementare të malësorëve, që janë shkelur e po shkelen nga pushteti në Podgoricë. Veprimtarë të kësaj Shoqate a kohë që kanë nisur me përgatitjet për Manifestimin jubilar, që këtë vit mbahet në shënim të 10 vjetorit të themelimit të Shoqatës, 99 vjetorit të Kryengritjes në Malësinë e Madhe dhe 100 vjetorit të lindjes së humanistes së madhe shqiptare, Nëna Terezë. Kryetari dhe veprimtarët e Shoqatës janë të tërët në angazhime të shumta dhe në pritje të ndihmave materiale vëllazërore nga njerëz atdhetarë e të vullnetit të mirë.
Për gjithë këto angazhime, por edh për shqetësimet që ka Shoqata, biseduam me kryetarin e saj , Ukshin Jashari.

Çfarë Ju ka shtyrë juve dhe veprimtarëve tjerë për gjithë këto angazhime për 10 vjet të punës së Shoqatës “Martin Dreshaj”

Ukshini: Kemi ndjerë obligim të vazhdojmë me takime të tilla të përbashkëta mes artistëve, këngëtarëve, shkrimtarëve dhe sportistëve e veprimtarëve nga trojet etnike dhe prandaj bëmë rrugëtim të vështirë, por edhe krenar deri në momentin kur po shënojmë 10 vjetorin e angazhimeve të suksesshme. Arritjet e përbashkëta dhe vlerat e mirëfillta shqiptare do të shpalosen në prillin e vitit 2010 përmes Manifestimit Tradicional “Zëri i Vëllazërisë”, i cili kësaj radhe do të shënojë pjesëmarrje edhe ma masive të aktorëve, këngëtarëve, valltarëve , poetëve, veprimtarëve e Ansambleve të njohura nga të gjitha trojet shqiptare.

Flitet se Manifestimi Tradicional “Zëri i Vëllazërisë, që organizon Shoqata juaj tani e sa vite , kësaj radhe do të jetë edhe më i gjerë dhe më përmbajtjesor, na tregoni diçka më shumë për këtë

Ukshini: Duke parë se në Manifestimin tonë Tradicional të këtij viti do të marrin pjesë Ansamble, Shoqata, artistë, poetë e veprimtarë nga gjithë trojet etnike, kemi planifikuar që Manifestimi të shpaloset për 3 ditë me radhë me një varg aktivitetesh të përbashkëta kulturore. Peja, Dukagjini e Kosova do t’i bëj bashkë në një valle, në një këngë e në një sofër Shoqatën Atdhetare “ Dukagjini” nga Shkodra , që kanë krijuar e dinë të krijojnë spektakle kulturore, Ansamblin e këngëve e valleve “Visaret e Kërrabës”, nga rrethi i Tiranës, pjesëmarrës këtë në gjithë aktivitetet kulturore në trojet etnike, Shoqërinë Kulturore “Bashkimi Kombëtar” nga Nju Jorku, që mbanë të gjallë këngën dhe vallen e bukur shqiptare në Amerikë e kudo në diasporë, Përfaqësues të Shoqërive Kulturore e Artistike nga Malësia e Madhe , që ka vënë në funksion të ruajtjes së traditës rininë e shënosh shqiptare atje, Grupin Folklorik “Shpëtimi “ nga Medvegja, që me përkushtim po ruan në këto kohë të liga atje, këngën e vallen e bukur shqipe,Rapsodë të njohur nga Gjilani, Peja, Burimi, Deçani, Gjakova, Besiana dhe qytete e vise tjera të Kosovës, por presim pjesëmarrjen edhe të vëllezërve tanë çam. Pa numëruar ansamblet e artistët nga Kosova, presim 150 artistë, këngëtarë, piktorë, poetë e veprimtarë nga trojet etnike.

Për besë numër i madh ky dhe për tri ditë me radhë t’i akomodoni e pritni duhen mjaft mjete materiale, si qëndroni me to?

Ukshini: Shoqata , edhe pse me shumë e shumë halle e mungesa materiale, është mbajtur falë vullnetit të një pjese të mirë të veprimtarëve të saj, ndihmës fare modeste të institucioneve dhe ndihmës, mbase modeste, por shumë domethënëse të njerëzve atdhetar si janë Gjon Pashk Dedëvukaj dhe Shoqata “Malësia e Madhe”. Institucionet ndërkombëtare në Kosovë nuk na ndihmuan kurrë me donacione për projektet tona sepse na konsiderojnë si Shoqatë atdhetare dhe të pastër shqiptare. Ata duan që ne ta përziejmë aktivitetin dhe kulturën me pjesëtarë pakicash, por këtë, edhe sikur të donte dikush, nuk na lejon statuti i Shoqatës dhe arsyeja e fortë pse jemi formuar. Ne ishim dhe do të mbesim zë i Malësisë dhe për Malësinë.

Dhe çfarë tani?

Ukshini: Presim që një pjesë të mjeteve për Manifestimin t’i marrim në formë përkrahjeje nga pushteti lokal i Pejës. Por kjo nuk do të mjaftojë as afërsisht. Prandaj, presim ndihmën dhe përkrahjen materiale të vëllezërve tonë atdhetarë kudo janë. Nëse kjo ndihmë bëhet realitet atëherë atyre dhe neve do të na zbardhet fytyra dhe do t’i falënderojmë publikisht para gjithë pjesëmarrësve të Manifestimit e përmes të gjitha mediave . Do t’i cekim një nga një shumat e ndihmave dhe emrat e atyre që do të na ndihmojnë. Ua them me këtë rast të gjithë miqve të Shoqatës se ne nuk kemi në angazhimet tona vetëm Manifestimin. Shoqata vepron e punon çdo ditë dhe prandaj çdo ndihmë është e mirëseardhur dhe na jep forcë e mundësi për angazhime të vazhdueshme. Me përkrahjen vëllazërore nga njerëz atdhetar e të vullnetit të mirë ne do të vazhdojmë misionin tonë si zë i Malësisë për malësinë dhe në lidhjen e penjve të atdheut.

Intervistën e zhvilloi Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE