Lehtësia dhe bukuria e rrëfimit poetik – Dr.Xhevat SYLA/Prishtinë

Ulqini po bën një punë të mirë me botimin e veprave të zgjedhura të autorëve të vet. Pas botimit të një zgjedhjeje të gjerë nga krijimtaria letrare e Hajro Ulqinakut, publikut lexues ia ofron në një vëllim edhe pjesën më të madhe të krijimtarisë letrare të Ibrahim Berjashit. Ua bën këtë nder autorëve të cilët edhe e kanë nderuar aq shumë atë, autorëve të cilët me krijimtarinë e tyre jo vetëm kanë bërë një kronikë artistike të shpirtit të këtij ambienti, por do të mund të thoshim se janë identifikuar plotësisht me të, duke u bërë pothuajse një shenjë e tij, ashtu siç është bie fjala kalaja, gjiri apo vau.
Një përshtypje e këtillë del edhe nga krijimtaria e gjithëmbarshme letrare e Ibrahim Berjashit, si nga ajo të cilën ua dedikon fëmijëve, ashtu edhe nga ajo për të rritur.
Nuk është e rastit, prandaj, që në ballë të vjershave për fëmijë të Ibrahim Berjashit rri vjersha me titull “Shtëpia ime”, si një çerdhe në të cilën ai fton për vizitë fëmijët nga e mbarë bota, pavarësisht nga ngjyra, nga bindja fetare apo përkatësia kombëtare. Këtë hapje të zemrës autori ndien nevojë ta shfaq që në fillim të librit, meqë i takon një vendi turistik që vizitohet nga njerëz të shumtë, e për të cilët ai ka përherë zemrën të hapur. Motivi i mikpritjes dhe i dashurisë e respektit për njeriun, përshkon edhe vjersha të tjera të kësaj tufëze, sidomos ato që i kushtohen vendlindjes, ku spikaten bukuritë e saj dhe dashuria e poetit për to. Në “Këngën për Ruminë”, ta zëmë, poeti shpreh bukurinë që ka kjo shenjë dalluese në vendlindjen e tij në të gjitha stinët e vitit. Qasjet janë mjaft origjinale dhe interesante. Kemi një përjetim të veçantë të natyrës dhe të njerëzve, një butësi me të cilën ai i drejtohet botës së fëmijëve, një respekt dhe dashuri për të. Poeti ndien si vjeshta i shkruan telegram bjeshkës, duke e përkujtuar se pas saj vjen dimri. Ndërkaq fëmija, një hero lirik, kureshtar për të mësuar për shumë gjëra në jetë dhe për shumë dukuri natyrore, e lut erën të mos fryejë me furi ngase lepurin lodër e ka pa setër.
Edhe pse është modest numri i vjershave për fëmijë të shkruara nga ky autor, ato flasin për një ndjeshmëri të hollë, vejnë në pah atë të njohuren se dhuntinë për të shkruar autori do ta sprovojë para së gjithash duke pasqyruar jetën në rrethin ku jeton, duke përshkruar imazhe të ndryshme të atij ambienti, rrëfime për jetën e njerëzve aty. Të gjitha këto poeti Berjashi përpiqet t’i shpreh me një gjuhë të kapshme nga ata të cilëve edhe ua dedikon krijimet. Kur themi se qasjet e këtij poeti temave e motiveve që trajton janë interesante, kemi parasysh edhe ndërlidhjen që i bën natyrës së vendit të lindjes së tij, lashtësisë së tij, me të arriturat e reja tekniko-teknologjike. Në vizitën në vendlindjen e babait, vogëlushi kureshtar gjithë bukuritë e saj i kap me kamerë, ndaj konstaton:

Hynë brenda
si molla t’ arta,
ara t’blerta
e bjeshkë të larta,
gështenja e hardhi,
fiq e pjeshka
plot luleqershi.

Dhe, njëherësh, vë në pah rëndësinë që kanë mjetet më të reja teknike e teknologjike për jetën, si:

Sa herë më zë malli
për gjyshen
që më përshëndeti me dorë,
unë ndrydh susten,
ajo m’buzëqesh n’ monitor.

Në krijimtarinë letrare për fëmijë të Ibrahim Berjashit një vend më me rëndësi zënë tregimet. Kjo dëshmohet jo vetëm me faktin se ai një përmbledhje tregimesh e pati botuar qysh më 1988 (“Lundra e humbur”) nga Redaksia e botimeve e “Rilindjes” në Prishtinë, por edhe për vlerën që ngërthejë në vete ato.
Siç e thamë, njeriu që ka dhuntinë të shkruajë, posaçërisht në fillimet e tij krijuese rëndom përpiqet të përjetësojë me fjalë jetën që e jeton, atë që e ndien, që është ambient i tij, histori e ambientit dhe e njerëzve që jetojnë aty. Dhe çfarë do ta cysë më shumë të shkruaj se jeta? Ajo është frymëzim i përhershëm, është arti, kënaqësia, vuajtja, dashuria, ëndrra… Pikërisht kjo është bota tematike edhe në krijimet për fëmijë të Ibrahim Berjashit. Dhuntinë të shkruaj ai e shpreh më së miri në përshkrimet dhe në paraqitjen e mjedisit që e njeh më së miri, që ia ndien frymëmarrjen, që ia njeh të kaluarën dhe të sotmen, atë që është dhembje dhe dashuri e tij dhe e njeriut të tij. Ibrahim Berjashi sikur këtë ka në plan të parë. Për këtë këtu do të gjejmë edhe tregime pa fabul, që u ngjajnë prozave poetike, që na bëjnë të kuptojmë se autori mëton para së gjithash të na japë një kronikë shpirtërore të ambientit dhe të njerëzve të tij, të lajë një borxh ndaj asaj që është përjetim i tij, përjetim i njerëzve të tij, ndaj asaj që tek ai është ngulitur si histori apo si një përjetim i veçantë. Për këtë ai nuk shkon nga ajo që tregimet e tij të kenë domosdo mesazh, domosdo funksion edukativ, edhe pse ka tregime, siç është “Letra gjysmë e grisur”, që shquhet pikërisht për mesazhin, madje për mësimin shumë të mirë që i jepet lexuesit. Tregime me mesazhe të vlefshme, por edhe më të bukurat në gjithë përmbledhjen janë ato që mbështeten në motivet popullore, në rrëfime apo legjenda të ndryshme, si tregimi “Bima e kripës”, ku vihet në spikamë injoranca, pasyçeltësia, naiviteti apo budallallëku ndër njerëzit në kohë të hershme. Mbi motivin popullor autori ndërton edhe njërin ndër tregimet e tij më të bukura për fëmijë “Baresha”, i cili të pushton me lehtësinë, qartësinë dhe bukurinë e rrëfimit, i cili na kthen në histori të hershme të të parëve tanë, histori të cilën mbase më së miri lexuesi e kap pikërisht nga krijimtaria gojore e popullit.
Kjo vërehet qartë edhe nga tregimet e tjera të përfshira në përmbledhjen “Floçka e liqenit”, madje që në tregimin e parë, në të cilin bën përshkrimin e Lagjes së Peshkatarëve, me të gjitha karakteristikat që ka ajo dhe njerëzit që jetojnë në të. Njerëzit e këtij ambienti janë sykuqë, ngase tërë nata u shkon në liqen duke peshkuar. Peshkun e kanë bukë, stoli. Në të vërtetë, siç e thotë bukur autori në një tregim tjetër, njerëzit e këtij ambienti liqenin e kanë arë, ndërsa peshkun drithë. Prandaj, tregimi në ballë të kësaj përmbledhjeje do të mund të thoshim shërben edhe si një hyrje në ambientet nga do t’i kenë përjetimet e veta personazhet Jani e Fani, të cilët janë pothuajse kudo, herë si bartës të ngjarjeve dhe të veprimeve, herë si vrojtues apo përshkrues të tyre. Syrit të Janit sikur nuk i shpëton asgjë pa vërejtur. Përjetimet e tij janë bindëse dhe të krijojnë një lidhje me subjektin krijues.
Edhe në tregimet e tjera të përfshira në vëllimin “Floçka e liqenit” të këtij botimi ngjarjet ndodhin në ambientet e vendlindjes së autorit, si përjetime të këtyre dy personazheve apo si vrojtime të tyre. Ajo që bie në sy është lehtësia e rrëfimit, e cila na del e tillë mbase për shkak të poetikës së tij. Fjalitë janë të shkurtra. Shkurt jepen edhe përshkrimet e pamjeve dhe të ngjarjeve, madje edhe ato në të cilat marrin pjesë më shumë njerëz. Berjashi përdor shprehje të figurshme mjaft efikase, e cila është edhe në funksion të qartësisë së rrëfimit, edhe në funksion të bukurisë së tij. Këtë e arrin krysisht nëpërmjet metaforave e krahasimeve, si “liqenin e piu gushti” apo “Kur dielli nxori syrin mbi Bjeshkët e Nemuna, liqenit i ishin qetësuar valët. Dukej si
një foshjne që ëndërron ëmbël në djep”, pastaj “pleqëria është gjarpër që të helmon me vetmi”, ose “Pas një gjysmë ore doli para nesh Liqeni i Sashit: i kaltër, i qetë si foshnja në mëngjes” etj.
Me shprehje të këtilla autori e rrëmben lexuesin që në nismë të krijimeve të tij, si: “Vera e ngrohtë iku diku larg në krahët e dallëndyshes. Deti mbet i vetmuar: lëpin shkëmbinjtë, guralecët e plazhit…” Shprehjet si këto bëjnë artin e rrëfimit të tregimeve të Ibrahim Berjashit, bëjnë që ato të pëlqehen jo vetëm nga fëmijët por edhe nga të rriturit.
Shkrimtari Ibrahim Berjashi ka preokupime të ngjashme edhe në krijimtarinë letrare për të rritur, e cila në këtë vëllim përfaqësohet me përmbledhjet poetike “Lule prej guri”, “E tej malësi e det” dhe “Orët e vetmisë”, si dhe me fragmentin e romanit, të titulluar “Lulet e qershisë”. Duhet theksuar se, edhe njëra edhe tjetra krijimtari e japin profilin e krijuesit pothuajse me të njëjtin preokupim tematik e motivor, kronikun e jetës shpirtërore të njerëzve të ambientit të vet.
Derisa për fëmijë Berjashi përpiqet të ketë parasysh lexuesin të cilit ia dedikon krijimin, sidomos nevojat e tij për mësim, edukim dhe përgatitje për furtunat e jetës, në krijimtarinë për të rritur, ai sikur është i liruar nga kjo. Poezinë për të rritur të tij e karakterizon shprehja e figurshme, një komunkim poetik i lirë, depërtimi në shpirtin e personazheve dhe jo vetëm kaq. Poeti Berjashi mëton të depërtojë dhe në shpirtin e natyrës dhe të objkteve të rrethit të tij jetësor, të gjithë asaj që është e tij, e njerëzve të tij, e të kaluarës dhe të sotmes. Përshkrimet e këtilla janë të përjetuara, dalin nga thellësitë e shpirtit, dimension ky të cilin ato e fitojnë në bazë të figuracionit të prdorur. Ai ndërton kullën e gurtë, objekt ky karakterstik shqiptar, duke vënë në themel të saj ashtin e babait, një metaforë kjo e bukur, e cila vë në pah trashëgiminë, lidhjen e gjakut dhe vazhdimësinë e jetës. Dhe nga ky përjetim personal, del përjetimi në një plan më të gjerë, të identitetit: “dritare i bëra sytë e shiponjës”. Subjekti lirik bën këtë duke “derdhur vargjet nëpër rrugët e gurta të Shestanit”, ndërkaq Majën e Rumisë e përjeton “si nuse kapedane mbi kalë (që) kuvendon me Alpet”.
Duke qenë gazetar, nga disa poezi del se Ibrahim Berjashi sikur shkruan për gjithë atë që kamera apo një reportazh i shkruar nuk ia zë. Shkruan për atë që, në të vërtetë, i mbetet e pathënë, peng shpirti. Kështu përjetohen poezitë e tij, si “Në Liqenin e Labeatëve”, “Maja e Rumisë”, “Te Kroi i Zanave”, “Reportazh” , “Këngë majekrahu” etj. Dhe, si edhe në krijimtarinë letrare për fëmië, Berjashi frymëzimet i gjen kudo në rrethin e tij jetësor, në njerëzit, në natyrën, në objektet, në lashtësinë e truallit dhe në legjendat për to. Kështu ai shkruan për kishën në Krajë, të cilës “koha nga një gur ia merr hua në mur”. Përveçse dhimbjen dhe përjetimin individual, poeti Berjashi e kap bukur edhe dhimbjen kolektive, atë që i shoqëroi njerëzit e tij gjatë historisë, por ai përshkruan bukur edhe gjendjen që e sheh vetë, si në poezinë “Posta”, ku jepet një pamje interesante e njerëzve të tij, të mbldhur pranë postës, duke pritur letra nga “zogjtë që fluturuan kontinenteve për të mbledhur hirin e fatit”, njerëzit që në mërgim “nisen mollë e kthehen limon i thatë”. Në këtë, por edhe në disa poezi të tjera, si në atë për duhanin, autori përpiqet të japë edhe mesazhin për lexuesin. Në të parën, duke mos preferuar ikjen nga vendi dhe, në të dytën, duke preferuar ikjen e njerëzve nga një shprehi e keqe.
Ajo që posaçërisht del në pah në poezitë për të rritur të Berjashit, janë njerëzit e tij, është dashuria dhe dhimbja e tyre. Në poezinë “Natja e mirë” kemi një pasqyrim të bukur të atmosferës që krijon dashuria e njerëzve për njëri-tjetërin dhe për jetën në vendlindjen e poetit, ku, i bëhet atij, se “thua të gjithë ato male / kanë futur në zemër / dashuri e diell / yje e blerim. Poeti ndien rëndë në shpirt plagën që ka hapur kurbeti në njerëzit e tij, e cila shprehet bukur në pozitë “Nusja”, “Baladë” dhe posaçërisht në poezinë “Kurorëzimi”, përmbajtja e së cilës ngërthen në vete një roman të tërë mbi fatin e dy të rinjve dhe të prindërve të tyre.
Një ndjenjë e veçantë dashurie dhe konsiderate i përshkon edhe poezitë përkushtime, si ato për figurat e njohura të letërsisë dhe kulturës sonë (Lasgush Poradeci, Esat Mekuli, Ali Podrimja etj.), si ato për të afërmit e tij, babain, nënën, shoqen, fqinjin, pastaj për gurgdhendësin e njerëz të tjerë të ambientit të tij, në të cilat ai bën portretizimin e shpirtit të tyre. Gurgdhendësi i poetit, ta zëmë, “gurin e bën njeri / e njeriut i jep jetë guri. Ndërkaq, nënës poeti i thotë: “shikimi yt / ngroh si dielli / ndërton ura.
Meditimeve poetike te Ibrahim Berjashit u shkon aq shumë për shtati vargu i lirë, sado që ai e sprovon veten edhe në forma të tjera metrike, si në sonet. Ndërkaq, vargu i lirë i Berjashit fiton në peshë dhe në bukurinë e tij sidomos me ligjërimin figurativ, i cili nga përmbledhja në përmbledhje përdoret gjithnjë e më dendur dhe më me sukses.
Duke qenë banor i një vendi afër kufirit i cili për vite të tëra ndau vëllezërit, njerëzit e një gjuhe dhe të një gjaku, shkrimtarit Ibrahim Berjashi nuk i shpëtoi e patrajtuar edhe kjo dhimbë e njerëzve të tij, ky absurditet në raportet njerëzore, i cili u trajtua edhe nga penat e tjera të kësaj treve, si Mehmet Kraja e Asllan Bisha. Këtë plagë të thellë, që e ka djegur dhe përvëluar njeriun tonë, Berjashi e pasqyron bukur në fragmentin e romanit me titull “Lulet e qershisë”, i cili jepet në fund të këtij vëllimi. Edhe pse fragment, shikuar nga nisja, nga zhvillimi kompozicional dhe sidomos nga mbyllja, ai është një tregim më vete, është baladë për një dashuri, do të mund të thoshim se është fragment që ngërthen në vete fabulën e një romani të tërë, me ngjarjen dhe rrjedhën e saj në kohë dhe në hapësirë, me personazhet, me përjetimet dhe tërë historinë e marrëdhënive të tyre deri në mbarim. Nga fati i dashurisë së penguar të dy të rinjve – Halilit dhe Shegës, lexuesi merr informacione të mjaftueshme për gjendjen e njerëzve të ndarë me kufi të dhunshëm, me kufi të hekurt. Edhe vetëm nga ky fragment, personazhet jepen të tipizuar qartë, me gjithë historitë tyre, me gjithë dashurinë që kanë për njëri-tjetrin dhe me gjithë sakrificat që janë të detyruar të bëjnë për të. Pozita e rëndë e njeriut në këtë kohë e në këto rrethana, pasqyrohet më së miri nëpërmjet Halilit, i cili në njërën anë të kufirit është Halili i Gjuro Udbashit, ndërkaq në anë tjetër Halili i Adem Sigurimit. Kjo është jeta e tij në gërsherë, aty ku e kishte futur veten vetëm për hir të dashurisë ndaj Shegës, për hir të mbajtjes së fjalës së dhënë.
Krijimet dedikuar fëmijëve, bashkë me krijimtarinë e tij për të rritur që përfshihen në këtë vëllim, e bëjnë Berjashin autor që shquhet, para së gjithash, për pasqyrimin e jetës së njerëzve të ambienteve të vendlindjes, por njëherësh, mbase pikërisht për shkak të artit me të cilin e arrin këtë, edhe autor krijimet e të cilit do të lexohen me ëndje nga lexuesit në përgjithësi si një vlerë universale letrare.
FUND

P.S. Kjo është parathënia e Dr. Xhevat Sylës mbi librin tim“ORA E RUMISË”,ART CLUB,Ulqin 2009