110 trupa Komando shqiptare nisen për në Afganistan

Kontingjenti i dytë me 110 trupa Komando nga Regjimenti Komando në Zall- Herr, është nisur sot për misionin e tyre në Herat të Afganistanit
Në ceremoninë e rastit ishte i pranishëm edhe zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, i cili theksoi se ushtarakët tanë, jo vetëm që do ta kryejnë me sukses të plotë detyrën, por se ata “do të jenë edhe shëmbull i mirë për forcat e tjera paqeruajtëse, duke demonstruar në çdo situatë kompaktësi, disiplinë të fortë, aftësi të larta teknike e taktiko-speciale, guxim, maturi e moral të admirueshëm, ashtu siç janë në të vërtetë komandot shqiptarë”.

Zv/ministri Spahiu falënderoi Qeverinë e Italisë dhe FA Italiane për mbështetjen që i kanë dhënë ushtrisë shqiptare në të gjitha misionet dhe besimin që kanë treguar në përfshirjen e trupave tona komando në këtë mision të vështirë. Kontingjenti i 2-të Paqeruajtës përbëhet nga 110 trupa, nga të cilët 12 oficerë, 44 nënoficerë dhe 54 ushtarë profesionistë.

Gjatë qëndrimit në Herat (Afganistan) trupat ushtarake do të kryejnë detyra speciale që lidhen me ruajtjen dhe sigurimin e Bazës Ushtarake përmes shërbimit në vendroje dhe patrullimit me automjete, shërbimin pranë Komandës së Forcës, ruajtjen e depove të armatimit, sigurimin e bazës logjistike si dhe sigurimin dhe shoqërimin e personelit.

Ai do të vazhdojë të përmbushë këtë mision sikundër edhe kontingjenti paraardhës në kuadër të misionit ISAF të NATO-s nën drejtimin e komandës italiane. Trupat e Kontingjentit të 2-të shqiptar janë pjesë e trupave të Regjimentit Komando, njësi e cila ka dhënë një kontribut të çmuar përkrah vendeve aleate në misionet paqeruajtëse si në Bosnje-Hercegovinë, Irak, Afganistan dhe në Çad. Deri më sot, Regjimenti Komando shqiptar ka kontribuar me 2021 trupa në misionet paqeruajtëse. /Gazeta Start/