Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama si dhe presidenti i Gjermanisë, Horst Kohler uruan të martën presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu me rastin e dyvjetorit të pavarësisë.
Në mesazhin e presidentit të SHBA-së, Barack Obama dërguar presidentit Sejdiu thuhet se SHBA-të vlerësojnë partneritetin me Kosovën dhe mbeten të përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në hapat e nevojshëm për të arritur aspiratat euroatlantike.
“Në emër të popullit amerikan, unë ju përgëzoj ju dhe qytetarët e Kosovës në përvjetorin e dytë të pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Unë gjithashtu dëshiroj të përgëzoj popullin e Kosovës për përparimin që keni bërë në ndërtimin e një shteti demokratik, paqësor dhe shumetnik”, thuhet në letrën e Obama-s.
Presidenti i SHBA-së përmes mesazhit të urimit drejtuar presidentit Sejdiu shprehet se “në këtë 17 shkurt, u përcjell urimet e mia dhe besimin më të madh për vazhdimin e miqësisë dhe forcimin e partneritet në mes të dy vendeve tona”.
Edhe presidenti i Gjermanisë, Horst Kohler, përmes një letre urimi përgëzoi presidentin Sejdiu në prag të përvjetorit të dytë të pavarësisë së vendit.
“Vitin e shkuar Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në rrugën drejt stabilitetit ekonomik dhe konsolidimit të politikave të brendshme e atyre të jashtme”, thuhet në letër.
Pranimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore sikurse edhe zhvillimi paqësor i zgjedhjeve lokale cilësohen si suksese, që do të ndiqen nga sukseset tjera, thuhet në letër.
Presidenti gjerman përmes këtij mesazhi urimi ofroi mbështetje e shtetit të tij në rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës. /Koha Ditore/