Shqiptarëve do t’u ipen pasaportat e Serbisë nëse i plotësojnë kushtet, thonë zyrtarët serbë

Sipas agjencisë Beta, Ministria e Punëve të Brendëshme e Serbisë (MPB) ka kundërshtuar njoftimet e disa medieve, sipas të cilave, “shqiptarët nga Kosova masovikisht po paraqesin qëndrimin në Serbi, në mënyrë që të marrin pasaportat serbe, me të cilët mund të udhëtojnë pa viza. Në MPB agjencisë Beta i është thënë se edhe para dhënies së pasaportave janë bërë verifikime serioze në terren për personat që kërkojnë ndërrimin e vendqëndrimit me qëllim për të marrë pasaportë dhe në këtë proces deri tash nuk ka pasur keqpërdorime.
Në MPB kanë përkujtuar se shqiptarët nga Kosova janë qytetarë të barabartë ë Serbisë dhe si të tillë kanë të drejtë në pasaportën serbe.
“Deri tash 970 shqiptarë kanë paraqitur kërkesat për të marrë pasaportën në drejtorinë Koordinuese në Beograd, ndërsa leja është dhënë për 800 kërkesa “, kanë kumtuar për Beta në MPB, duke thënë se sipas disa kontrolleve të brendshme të bëra gjatë vitit 2009, nuk është dëshmuar të ketë pasur ndonjë keqpërdorim gjatë dhënies së këtyre pasaportave.
Në MPB nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ndonjë qytetarë i Kosovës të ketë bërë lajmërim fiktiv të vendbanimit për të siguruar pasaportë serbe për të udhëtuar pa viza nëpër Evropë, por e hedhin poshtë mundësinë që një gjë e këtillë të mos hetohet gjatë lejimit të pasaportës.
Sipas zyrtarëve serbë shqiptarët marrin pasaporta serbe vetëm nëse tregojnë se ndërrimi i vendqëndrimit është i arsyeshëm, apo nëse është në pyetje martesa. Ndërkaq, nëse vërtetohet që vendqëndrimi është fiktiv, atëherë pa kushte refuzohet kërkesa, kanë thënë në MPB-në e Serbisë.
“Mendojmë se për të gjithë qytetarët duhet të vlejë liberalizimi i vizave. Dhe pa marrë parasysh propagandën e ashpër të liderëve shqiptarë, ne gëzohemi që shqiptarët duan pasaportat tonë, sepse me këtë vërtetojnë se Serbia është shtet i tyre”, kanë thënë zyrtarët serbë.
Në MPB thonë se shqiptarët madje janë ankuar te përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare se janë në pozitë të pabarabartë për shkak të numrit të refuzuar të kërkesave të tyre.
Qytetarët e Kosovës, siç shkruajnë mediat, paguajnë deri në 5 000 euro për marrjen e një pasaporte biometrike të Serbisë në mënyrë që pa viza të udhëtojnë në vendet e BE-së. /Koha Ditore/