Ligji mbi ndarjen territoriale të Malit të Zi është jodemokratik

Qytetarët e Malit të Zi pas tranzicionit të vështirë dhe fitimit të Pavarësisë më në fund presin që të jetojnë në një shoqëri demokratike dhe me prosperitet.
Megjithatë, nëse e vlerësojmë shkallen e demokracisë së institucioneve Malazeze në bazë të disa propozim ligjeve, siç është; Ligji mbi ndarjen territoriale të MZ-së, atëherë mund të vërehet që ende janë të pa arritshme standardet evropiane.

Në të drejtën ndërkombëtare nuk është e njohur praktika, së pakti në shoqëritë demokratike, që me referendum me të cilin vendoset për fatin e organizimit territorial të marrin pjesë qytetarët të cilët nuk janë pjesë e atij territori mbi fatin e të cilit vendoset, siç është parashikuar me dispoziten e nenit 29 të propozim Ligjit në fjalë ku është normuar që rezultatet e referendumit të shpallen në territorin e Komunës, e në rast të ndarjes dhe ndërrimit të kufijëve, edhe për rajon në të cilin ka të bëjë me ndërrimin territorial.
Pyes propozuesin e Ligjit: cili do të jetë vullneti i qytetarëve të Kryeqytetit të Podgoricës i shprehur drejtpërdrejt përmes referendumit për të vendosur fatin e minoritetit nacional në Malësi, i cili është 10 herë më i vogël përkundrejt qytetarëve të Kryeqytetit.
Është absurd juridik, madje edhe për laikun, të thuhet që teksti i Ligjit të propozuar është në pajtim me principet e përgjithshme të Këshillit të Evropës, gjegjësisht të Kartës për vetëqeverisje Lokale. Nuk besoj që nënpunësit e Qeverisë sonë, të cilët më së pakti një herë e kanë lexuar kartën e lartpërmendur, nuk e dijnë që në nenin 5 të këtij dokumenti vendoset detyrimi për shtete që para çdo ndërrimi të kufijëve të territoreve lokale, detyrimisht konsultohen lokalitetet lokale. Kjo e drejtë është e pergjithshme dhe shfrytëzuesit e saj gjithsesi janë edhe kolektivitetet lokale të banuara me popullatë minoritare.

Sipas nenit 3 alinea 1, e Kartës për vetëqeverisje lokale, kolektivitetet kanë të drejtë që të jenë të konsultuar për organizimin territorial në bazë të së drejtës dhe aftësisë që të rregullojnë dhe udhëheqin, në kornizë ligjore, nën përgjegjësinë e tyre dhe në shërbim të popullatës së tyre, pjesërisht me punet publike.
A thua që me të tilla Ligje do ti arrijmë të drejtat kolektive të minoriteteve dhe qytetarëve të MZ-së në tërësi?!
Të gjithë e kemi të njohur se si është marrë Komuna e Malësisë, dhe sa ka investuar shteti në këtë pjesë, gjegjësisht sa është papunësia e qytetarëve në këtë rajon. Pavarësisht nga këto, në bazë te studimit të hartuar mbi fizibilitetin e formimit të Komunës Malesia, është dëshmuar qartë që 7 Komuna aktuale (Zhablak, Shavnik, Plluzhinë, Andrijevicë, Kollashin, Mojkovc dhe Tivat) në MZ posedojnë tregues demografik, territorial dhe ekonomik më të dobët se sa Malësia.
Në artikullin e mëparshëm kam cekur mënyrat e zgjedhjes së të drejtave të minoriteteve, gjegjësisht që Komuna paraqet nivelin më të ulët të autonomisë politike administrative.

Shembull tipik të praktikës së mirë evropiane prej kësaj lamie paraqet; Ligji mbi vetëqeverisjen lokale të Sllovenisë i cili në nenin 13, parashikon që 5000 qytetarë kanë mundësi që të themelojnë komunën, dhe ai cenzus mund të jetë edhe më i vogël kur janë në pyetje minoritetet nacionale. Poashtu, neni 14 i Ligjit për vetëqeverisje lokale të Sllovenisë parashikon që referendumi shpallet vetëm në rajon ku themelohet komuna e re.
Këto standarde demokratike janë të inkorporuara edhe në ligje të ngjajshme në Itali dhe Finlandë. Në Finlandë ekziston autonomia territoriale e pakicës kombëtare Suedeze në ishujt Orland. Ukraina në bazë të referendumit të 1 dhjetorit të 1991, ka formuar rajonin autonom Hungar, në kufijtë e qarkut Beregovo. Përveç shteteve të cekura, zgjedhje të ngjajshme kemi edhe në rajon. Domethënë, në Kosovë kemi formimin e komunave të reja siç është Komuna Graçanicë. Poashtu, Shqipëria ka themeluar komuna për minoritetet e sajë nacionale siç është minoriteti grek në jug të Shqipërisë.
Prandaj, propozim ligjet e tilla sigurisht nuk çojnë drejt arritjes së tolerancës dhe perspektives së rajonit i cili tenton që të jetë pjesë e BE. Në vend që të kemi Ligje që krijojnë një klimë të tolerancës dhe dialogut të nevojshme për të mundësuar shumëllojshmërisë kulturore, e cila duhet të jetë burim dhe faktor i pasurimit të çdo shoqërie, dhe jo i ndarjes, ne këtu perkundrazi kemi ligje që in concreto janë të dëmshëm për ato minoritete dhe për shoqërinë malazeze në përgjithësi.
Nëse jemi të dedikuar për një shoqëri pluraliste dhe vërtetë demokratike duhet që jo vetëm të respektojmë identitetin etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar të çdo personi që i përket një pakice kombëtare, por, gjithashtu edhe të krijojmë kushtet e nevojshme që iu japin mundësi atyre për të shprehur, ruajtur dhe zhvilluar këtë identitet, gjithsesi ky objektiv nuk arrihet kur të tjerët vendosin për fatin tënd.

Dr. sc. iur. Angjell Gojçaj

Botuar ne Vijesti me 16.02.2010. sllavisht, dhe me 18.02.2010. ne Kohen Javore.

KOMENTOJE