Tiranë, 25 shkurt – Rikthehen dhe njëherë përmbytjet në zonën e Shkodrës, që në këtë fillim viti shkaktuan dëme të mëdha materiale tek banorët. Vazhdon gjendja e gatishmërisë për të përballuar këtë emergjence që po krijohet dita ditës për shkak të reshjeve të shumta qe kanë tej fryrë lumenjtë dhe liqenet e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Shkarkimet vazhdojnë dhe sot në HEC-et e Vaut të Dejës, Koman dhe Fierzë. Banoret nuk pranojne te evakuohen
Zyrtarisht deri në orën 10:00 të paradites së sotme, sipas Ballkanweb, që raporton nga çasti në çast për situatën atje, në Shkodër rezultojnë rreth 3 600 ha tokë të përmbytura. Ministri I Bujqësisë Genc Ruli bëri të ditur për mediat këtë paradite se situate në Shkodër konsiderohet kritike. Sipas tij vëmendja e veçantë është përqendruar në Shkodër, ku janë vënë në punë me kapacitet të plotë hidrovoret. Por sipas Rulit, e paparashikueshme ka qenë situata e prurjeve në lumin Drin, që ka tejkaluar normën e këtyre ditëve.
Ndërsa dita e sotme në qarkun e Shkodrës është me mot pa rreshje shiu, shkarkimi i ujit nga portat e liqeneve të hidrocentraleve, ka risjellë përmbytje, ku krahas komunës Ana e Malit, e Dajçit të Bregut të Bunës, Gurit të Zi dhe Bushatit, ato janë shtrirë edhe në komunën e Berdicës, shumë pranë qytetit dhe në Trushin e poshtëm.
Korrespondentja e News24, Elion Kodra bëri të ditur sot paradite se sipërfaqja e zonave të përmbytura është rritur.
Nga të njëjtat burime mësohet se në terren ndodhen forca të shumta të ushtrisë dhe policisë, strukturat e Shtabit të Emergjencës civile në prefekturë dhe qendër po punojnë në përforcimin e argjinaturës së fshatit Darragjat të komunës Dajç i Bregut të Bunës për ta ruajtur nga ndonjë dëmtim i mundshëm.
Situata paraqitet kritike në Dajt, Obot, Daragjat në lagjen e Shkodrës Bahcallëk ku uji ka hyrë në oborret e banesave.
Banorët e këtyre zonave që përjetuan në janar të njëjtën situatë nuk pranojnë të evakuohen.
Ndërsa mësohet se rreth 3 mijë hektarë tokë janë zhytur nën ujë, për fat të mirë ende nuk janë konstatuar shtëpi të përmbytura. Ndërkohë autoritetet kanë filluar t’u bëjnë thirrje banorëve të disa zonave për t’u evakuuar.
Në fillim të këtij viti zona e Shkodrës u përmbyt pas reshjeve të shumta që i detyruan autoritetet të hapnin edhe portat e liqeneve të hidrocentraleve të kaskadës së Lumit Drin. Bilanci ishte 11 mijë hektarë tokë dhe 2500 shtëpi të përmbytura. Mbi 5000 familje u evakuan.
Opozita ka akuzuar qeverinë për paaftësi, ndërsa qeveria ka thënë se bëhet fjalë për një fatkeqësi natyrore. /Koha Ditore/