At Shtjefën Gjeçovi për fe e atdhe

Gjatë jetës së njeriut, nji ndër punët ma të veshtira asht me fole per njerëzit e mdhaj ose siç tnonin klasiket në antikitet, njerëzit e vdekjshëm me folë për ata të pavdekshmit.
Sot kombi shqiptar përkujton martirizmin e nji ndër bijve të tij ma të shquem At Shtjefën Gjeçovi të vram nga kriminelat serbomdhej. Kur përmendim emnin e At Shtjefën Gjeçovit për njiherë na shkon mendja te Kanuni i Lekë Dukagjinit që pa dyshim përfaqëson Kartën e Identitetit Shqiptar.
Nji pjesë e madhe e kombeve në historinë e vet kanë nji periudhë e cila quhet e artë për shkak të lulzimit, begatisë e përparimit, ndërsa për ne të thirrret kohë e artë vetëm ajo periudhë kur shumë shqiptarë lavruan sejcili në lamin e vet kultivimine idesë kombëtare.
Dikush në letërsi, kush në propagandë e shtyp, kush në politikë e n’ekonomi, në arsim, folklor e shkenca humanitare, por të gjithë nji heret e sejcili pamvarun dhe të gjithë të bashkuem vetëm në idealin kombëtar numron vllaznit Frasheriote, Faik beun e Konicës, gjithë klerin katolik me në krye Imzot Doçin e Fishtën, dhe në fund themeluesin e kihës autoqefale shqiptare Fan Nolin.
At Shtjefën Gjeçovi lindi në Janjevë të Kosovës. Që në fëmini të parë hini në Kolegjin Françeskan ku asohere, jepte mësim në nji ndër konstruktorët e parë të idesë kombëtare në Shqipëri. Arbëreshi i madh at Leonardi De Martino.

Mbasi kreu studimet e larta në Filozofi – Teologji u kthye në Shqipëri ku asohere kleri katolik shqiptar kish organizue ma së miri jetën kulturore aq sa nën kryesinë e Imzot Preng Docit, plot para njiqind vjetësh u themelue Shoqnia Bashkimi e cila padyshim cilësohet si Akademia e parë shqiptare. Rreth kësaj bërthame kleri katolik shqiptar punonte në të dy krahët:
PËR FE E ATDHE.
Njikohësisht ndërsa krente detyrat fetare ndër malet e vështira të veriut, punonte po me aq vrull për edukacionin kulturor të popullsisë së mjerueme tue shkrue, tue përkthye e tue msue për me hjedh dritë ndër të gjitha mendjet e shqiptarëve.
Kështu veprimtaria e At Gjeçovit të ri, që në ditët e para të këtij shekulli u karakterizue nga dashunia, kujdesi dhe vlerësimi për visaret më të mira që i kishin teprue këtij kombi të pazhvdukun nga studimi i gjatë shumshekullor aziatik, si traditat popullore gojore mbi tokë. Me të njëjtin përkushti e devocjon që i shërbente Zotit, po me aq sakrifica ai i shërente shkencave shoqërore. Kështu kemi at Shtjefën Gjeçovin si të aprin etnograf shqiptar, si folklorist të përsosun, si të parin arkeolog, shqiptar e me Kanunin e Lekë Dukagjinit si një jurist të pavdekshëm.
Shifni këtë reliktë të Gjeçovit që sot ruhet në muzeun e Shkodrës. Ashtu shkopi që e shoqnoi gjithkund. E ka punue Ai vetë, gdhendun prej tij në dru bushti. Shifni me kujdes se si ndër zagnat e gdhenduna Ai ka shkrue për të gjith vendet rradhazi, ku i shekli kamba. Mund të thuhet pa dyshim që kurrnji udhtar i shkencës nuk e përshkoi mbarë Shqipninë qe nga Veriu deri në Jug me shumë se Ai.
Nuk e di nëse ish fat ose fatkeqësi për mue, por po ju tregoj se vorbullat historike të këtij shekulli me caktuen mue si amanetqarin, kujdestarin e fundit të të githa veprave të tij të panumërta, të ndryeme në nji arkë drrase të veshun parasite me plaster metalike e që ruhej me zili në arkivin e Kuvendit Françeskan në Shkodër. Unë fatkeqsi kur jua derzova këto atyne njerëzve që po e shanin e po e përbuznin më dukej se po dorzojshim trupin e tij me dhunue. Sa herë i kishim shfletue ato dorëshkrime të tija: këtu nji regjistër ku ishin mbledhë 15 përralla, aty nji tjetër që përmbante këngët e dashunisë e të dasmave të asaj krahine që thirrej Bregu i Bunës, po ashtu blloqe ku përshkruente doke të vjetra popullore e fletore me fjalë të rralla për fjalorin e shqipes, studime të thella historike si tëkohnave trako-iliriane ashtu të epokës mesjetare për Dheun e Arbnisë, gojëdhëna të mbledhuna në bajrakët e Ohrit mbi Skanderbeun. Dorëshkrimi i veprës Agimi i Gayeties e registrar të panumruem që përmbanin Kanunin e Maleve, e mbi të gjitha dua të vë këtu në pah nji vepër po aq madhështore të fratit shqiptar të Kosovës i cili përmes fesë shqnjtonte idenë e pamvarësisë kombëtare, përkthimi i jetës të heorinës franceze Zah d’Ark që i kalon kufijtë e letërsisë e hin në propagandën e nndjenjës kombëtare për programin Fe e Atdhe. Me këtë përkthim Ai duente Atdheun e vet Shqipninë, pamvarësisht se ishte mulsiman, ortodoks apo katolik.
Ndër të gjitha dokumentet e tija ishte tepër interesante letërkëmbimi me personalitet më patriotike të kohës nga të cilat mund të nxirret vërtetë shkëlqimi i fytyrës patriotike të Gjeçovit aq sa u duk e nevojshme ndihmesa e tij në luftën e Vlonës kundër pushtuesit Italian në vitin 1920.
E thashë që në rreshtat e parë se portreti i Gjeçovit asht Kanuni i Lekë Dukagjinit, portret identik i shpirtit shqiptar. Janë 500 vjet që të gjithë armiqtë e deklaruem edhe ato të mshefunit e luftojnë Kanunin për me pushtu e poshtnu popullin shqiptar tue shpif sikur të ish ligj hajdutash e kriminelash, me në krye gjakmarrjen.
Para pak ditësh lexova librin e Z. Fabio Martello (Capier L’Albania) i cili shifet që jo vetëm që nuk e njef por as nuk e kupton fare dhe paraqet sikur Kanuni të ish shkaku i vërtetë i të gjitha të zezave që sot e kanë mbulue Shqipninë.

Mjerisht, këto opinione janë përqafue edhe prej shumë shqiptarëve të vjetëve të fundit të cilët nuk kuptohen se për çfarë interesash shpifin vazhdimisht në masmediat shqiptare. Së fundi dua të vë në dukje edhe nji të metë tjetër të madhe: A ka hije që dy kolosët e kulturës shqiptare si At Gjergj Fishta e At Shtjefën Gjeçovi të mos kenë në Shqipninë e re asnji përkujtimore. Mendoj që ka ardh koha që kjoftë edhe nga k simpozium të propozohen ato.
Për këtë punë iniciativa e Familjes Gjonlekaj duhet çmue si një veprim i nalt patriotik e kultural, tue thirrë e organizue përkujtimin e 70-vjetorit të martirizimit prej serbëve të At Shtjefën Gjeçovin.
Ky veprim i juj kjoftë i nderuem prej të gjithë popullit shqiptar e paçi bekimin e Zotit. /Koha Javore/

(Kumtesë e mbajtun në New York në Universitetin Fordham me 23 tetor 1999 me rastin e 70 – vjetorit të rënies së At Shtjefën Gjeçovit.
Ky simpozium u organizua dhe u financua nga Gjonlekj Publishing Company.)