Koha Javore hulumton: Pse u tërhoq propozimi i planit financiar për vitin 2010 nga seanca e fundit e Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit?

Tuz – Këshilltarët e Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit nuk miratuan në seancën e fundit Propozimin e Planit Financiar për vitin 2010.
Këshilltarët e shumicës në këtë Kuvend (Iniciativa Qytetare, LD në MZ, Alternativa Shqiptare dhe Partia Popullore Socialiste) nuk arritën të pajtohen rreth Planit të propozuar nga kryetari i Komunës Urbane të Tuzit, Smajl Çunmulaj.

Për këtë, kryetari Çunmulaj u detyrua të tërheqë nga rendi i ditës së Kuvendit Propozimin e Planit financiar.
Propozimi i Planit financiar nuk u përkrah as nga vetë këshilltarët e Iniciativsës Qytetare, nga radhët e së cilës vjen kryetari i KU të Tuzit, Smajl Çunmulaj.
Këshilltari i IQ-së, Vasel Sinishtaj, thotë se arsyet për mospërkrahjen e Propozimit të Planit Financiar kanë të bëjnë krejtësisht me arsye jopolitike.
Madje, sipas tij, në Kuvend nuk është dashur fare të debatohet për Propozimin e Planit financiar duke qenë se paraprakisht ishin marrë vesh me kryetarin e KU të Tuzit, kryetarin e Kuvendit të KU të Tuzit dhe sekretarin e administratës që Këshilli për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim, t’i propozojë Kuvendit tërheqjen e Propozimit të Planit në fjalë nga rendi i ditës.
“Njëkohësisht të sigurohen informata shtesë nga kryebashkiaku i Podgoricës, si përgjegjës direkt për realizimin e Buxhetit në tërësi, për më se 7 milionë euro të planifikuara dhe të siguruara në tre vitet e fundit për investime kapitale në Malësi, të cilat pothuajse fare nuk kanë filluar”, thekson ai.
Sinishtaj thotë se çdo përpjekje për ta trajtuar këtë çështje në mënyra të tjera ka të bëjë “me manipulime dhe lojëra politike”, gjë që, sipas tij, “nuk është hera e parë” që ndodh.
Kryetari i Kuvendit të KU të Tuzit, Nikollë Camaj, thotë se këshilltarët e LD në MZ, pavarësisht vërejtjeve të shumta që kishin ndaj Planit financiar të propozuar, ishin të gatshëm ta përkrahin atë. Megjithatë sipas tij, ata nuk do ta përkrahnin “kur pala politike që e jep propozimin nuk e përkrahë.”
Camaj vlerëson se tërheqja e Planit financiar nga procedura e votimit ishte zgjidhja më e mirë dhe e duhur për momentin.
“Personalisht mendoj se ndodhi zgjidhja më e mençur, për momentin, pasi që është më mirë të jemi përgjegjës ligjor para Kryeqytetit, se sa përgjegjës politik e moral para këshilltarëve tanë apo para atyre që na kanë votuar.

Sidoqoftë, mendoj se ne propozuam variantin e vetëm të mundshëm për momentin, që Plani financiar të mos nxirret në votim, sepse votimi i tij, pa konsensus të shumicës, pa marrë parasysh se cili do të ishte rezultati, nuk mund të sillte ndonjë gjë të mirë”, thotë ai.
Kryetari i Alternativës Shqiptare dhe këshilltari i kësaj partie në Kuvendin e KU të Tuzit, Gjergj Camaj, thotë se arsyeja për të mos e përkrahur Planin e propozuar financiar për vitin 2010 ka të bëjë me faktin se në të është bërë përsëritja e projekteve të cilat kanë qenë të parashikuar të realizohen gjatë tri viteve të mëparshme, shuma e të cilëve kap shumën dhjetë milionë euro.
Po ashtu, sipas tij, është e papranueshme që në momentin kur përveç dy urave të përfunduara në Dinoshë, nuk janë kryer investimet e tjera të parashikuara me planet financiare të viteve të kaluara, të parashikohen investime të projekteve të reja, kurse projektet e mëparshme të papërfunduara nuk figurojnë fare në Propozimin e Planit financiar për vitin 2010.
“Për këtë arsye ne si subjekt i cili është i përkushtuar në rrugën për mbrojtjen e interesave më vitale të Malësisë nuk do të përkrahim projekte të reja”, thotë kryetari i ASH-së.
Camaj thotë se ASH-ja nuk do të përkrahë realizimin e projektit të ri të parashikuar të ndërtimit të tubacionit të ujësjellësit Dinoshë – Vrellë e Ribnicës, pa u përfunduar ujesjellësi për pjesën e Malësisë jugore, që përfshin Vuksalekajt, Dreshajt, Nënhelmin, Sukruqin, Vllanën, Vranen dhe Dushiqin.
“Nuk do të përkrahim as projektin për varrezat në Cem, pa përfunduar projekti i varrezave të qytetit dhe kapela në Tuz. Nuk do të përkrahim as projektin e ndërtimit të rrugës Tuz – Mataguzh, pa u realizuar projekti Dinoshë – Pikalë – Triesh”, është kategorik ai.

Në seancën e fundit, Kuvendi i Komunës Urbane të Tuzit aprovoi një Iniciativë e cila i është drejtuar kryebashkiakut të Podgoricës, Miomir Mugosha, me të cilën kërkohen të dhëna mbi investimet të cilat kanë mbetur të parealizuara për vitet 2007, 2008 dhe 2009. Kjo u bë për shkak se Kuvendi i KU të Tuzit nuk posedon informata të duhura për projektet e papërfunduara, për fatin e mjeteve të planifikuara të cilat aktualisht nuk figurojnë në Buxhetin e Kryeqytetit, por as në Propozimin e Planit financiar për vitin 2010.

Kryetari i Kuvendit të KU të Tuzit, Nikollë Camaj, thotë se Kuvendi pret përgjigje nga kryebashkiaku i Podgoricës lidhur me iniciativën në fjalë.
Por se çfarë do të bëhet dhe si do të procedohet më tej me Propozimin e Planit financiar për vitin 2010, ai nuk është në gjendje të përgjigjet pasi që kjo, sipas tij, varet nga kryetari i KU të Tuzit si propozues i Planit financiar.
“Se a do të procedohet apo jo, varet nga kryetari, andaj përgjegjësia përsëri është e propozuesit, e jo e Kuvendit”, thotë kryetari i Kuvendit të KU të Tuzit, Nikollë Camaj.
Kriza në funksionimin e KU të Tuzit dhe Kuvendin e kësaj komune ka filluar që vitin e kaluar, në prag të zgjedhjeve parlamentare, kur Alternativa Shqiptare u nda në dy pjesë. Kriza mund të shikohet edhe si parapërgatitje për zgjedhjet e ardhshme lokale që priten të mbahen në të ardhmen e afërt në Malësi. /Koha Javore – M. Gjokaj/

KOMENTOJE