Ndryshimet e ligjit mbi kryeqytetin

Ndryshimet pozitive që ishin paralajmëruar, e që do të ishin në funksion të kapërcimit të situatës, për hir të nevojave politike të Podgoricës, (!), e që kanë të bëjnë me ndryshimin e mënyrës së financimit, caktimit të prioriteteve, zhvendosjes së kompetencave nga Kryeqyteti drejt komunave urbane, e jo e kundërta, ndoshta do të dukeshin si të arsyeshme dhe besoj se kishin hapur vend për dialog, sidomos nëse kihet parasysh nevoja e afrimit të spektrit
politik shqiptar por kjo që propozohet, e nëse edhe realizohet, kam frikë se le pak vend për dialog. Kështu, ata që kanë marrë premtime, e u besojnë atyre, le t’i lexojnë propozim-ndryshimet, pastaj të shohin se sa ka vend që ato të besohen. Po aq sa edhe atyre të deritashmëve.

Nikollë Camaj

Në prag të aprovimit të Ligjit mbi organizimin territorial e pa dhënë përgjigjen definitive ndaj kërkesës sonë për komunë të plotë, Qeveria e Malit të Zi, po përgatitë edhe ndryshimet e Ligjit mbi Kryeqytetin. Arsyeja është se edhe ky Ligj duhet të harmonizohet me Kushtetutën dhe me Ligjin e ri mbi vetëqeverisjen lokale. Edhe pse ndoshta, si person i përkushtuar themelimit të komunës së plotë të Malësisë, nuk do të duhej të më interesonte tepër rimodelimi i Ligjit mbi kryeqytetin, e as të merrem me të, ajo që lexova në projektin e ndryshimeve të propozuara, që më ra në dorë krejt rastësisht, nuk më jep të drejtë të heshti. Propozimi i ri, Ligjin mbi kryeqytetin dhe statusin tonë, i bëjnë më të ligshtë. Pra, në vend të avancimit të statusit, çka pritej dhe çka premtohej, Propozimi i ndryshimit të Ligjit mbi kryeqytetin paraqet hap mbrapa, dhe si i tillë i nuk i lë vend kërkimit të kompromisit.
Ndryshimet pozitive që ishin paralajmëruar, e që do të ishin në funksion të kapërcimit të situatës, për hir të nevojave politike të Podgoricës, (!), e që kanë të bëjnë me ndryshimin e mënyrës së financimit, caktimit të prioriteteve, zhvendosjes së kompetencave nga Kryeqyteti drejt komunave urbane, e jo e kundërta, ndoshta do të dukeshin si të arsyeshme dhe besoj se kishin hapur vend për dialog, sidomos nëse kihet parasysh nevoja e afrimit të spektrit
politik shqiptar por kjo që propozohet, e nëse edhe realizohet, kam frikë se le pak vend për dialog. Kështu, ata që kanë marrë premtime, e u besojnë atyre, le t’i lexojnë propozim-ndryshimet, pastaj të shohin se sa ka vend që ato të besohen. Po aq sa edhe atyre të deritashmëve.
Është interesant fakti se edhe në këto ndryshime të propozuara, propozuesi thirret në aktet ndërkombëtare, por zgjidhjet që ofron propozimi, praktika ndërkombëtare nuk i njeh. A thua se propozuesi mendon se ne nuk kemi të atillë që t’i hetojnë hilet e tyre, apo vërtet janë të bindur se faktori ndërkombëtar është i gatshëm që të përshëndesë çfarëdo që ofron Podgorica zyrtare, sidomos kur janë në pyetje shqiptarët. Ndoshta ata po, por ne e kemi me borxh, që të gjithë, pa dallim partie e bindjeje politike, të ngrehim zërin për këso tentativash, e jo më shkeljesh. Më në fund, propozimet e tilla fyejnë inteligjencinë malësore, kurse heshtja do të fyente dinjitetin tonë. Andaj, ne nuk guxojmë të heshtim.

Me Ligjin aktual mbi kryeqytetin, Komuna urbane mund të mos jepte pëlqim në Planin hapësinor në territorin e vet, kurse me propozim ndryshimet, kjo e drejtë i merret. Në planet e tilla ne vetëm do të mund të japim mendim, që nuk obligon ndokënd. Pra vazhdohet me centralizim. A mos centralizimi është normë e akteve ndërkombëtare? A thua se me të mund të ecet në Evropë?
Një ndryshim tjetër është edhe kufizimi i mandatit të sekretarit, i cili sipas të gjitha gjasave duhet t’i nënshtrohet politikës. Po ku mbetet atëherë profesionalizmi dhe pavarësia e veprimit të njeriut numër një, përgjegjës për ligjet.
Sidoqoftë, pra nuk është fjala vetëm për do ndryshime kozmetike e për aq më pak që përmirësojnë statusin e KU, siç paralajmërohej, por ato çrrënjosin çdo mundësi të influencës së këtij surrogat pushteti dhe le pak shpresë se kërkesa jonë për komunë të plotë trajtohet seriozisht nga Podgorica zyrtare. Ata, thjesht, injorojnë çdo kërkesë që vjen nga Malësia.
Ky reagim imi nuk është mendim zyrtar i organit që përfaqësoj, sepse ai do të pasojë, por thjesht një klithje që shpërthen nga propozimet e këtilla. Le të jetë ky një apel për të gjithë ata që kanë fituar premtime, e sidomos për ata që i besojnë ato, që të rishqyrtojnë qëndrimin e vet dhe, për hir të ndërgjegjes së vet e nevojës së qytetarëve të Malësisë, të ndërmarrin çka është e mundur që të mos jemi përsëri të tradhtuar, përsëri të nëpërkëmbur, përsëri në pritje të asaj që është dashur të ndodhë dje. /Koha Javore/

(autori është kryetarë i K.U. të Tuzit)

KOMENTOJE