Përvjetori i tetë i Koha Javore

Gazetën,,Koha Javore” duhet ta ndihmojmë të mbijetojë. Ajo ndihmohet duke e blerë, lexuar e mbi të gjitha duke sensibilizuar opinionin për domosdoshmërinë e daljes në mbrojtje të saj.

Hajredin Kovaçi

Para tetë viteve ndodhi një befasi e këndshme për shqiptarët në Malin e Zi. Doli numri i parë i gazetës së vetme informative në gjuhën shqipe ,,Koha Javore”. Kjo e përjavshme me aktualitete, shkencë e kulturë e arsyetoi daljen e vet dhe paraqet një moment shumë të rëndësishëm për ne, shqiptarët në Malin e Zi, duke shërbyer si urë lidhëse, ku fjala e shkruar depërton edhe përtej kufijve me hapësirat e tjera shqiptare.
Përderisa të jetë i vetmi burim informativ në gjuhën shqipe në Malin e Zi, nuk duhet marrë seriozisht qoftë edhe ndonjë mangësi të vogël që mund të ketë kjo gazetë sepse nuk kemi mundësi zgjedhjeje. Në vend që të kërkojnë shtimin e numrit të faqeve të kësaj gazete apo daljen edhe të ndonjë gazete tjetër në gjuhën shqipe, disa me pa të drejtë merren me politikën redaktuese duke mos e lexuar fare gazetën, vetëm çka u thonë të tjerët.
Gazetën,,Koha Javore” duhet ta ndihmojmë të mbijetojë. Ajo ndihmohet duke e blerë, lexuar e mbi të gjitha duke sensibilizuar opinionin për domosdoshmërinë e daljes në mbrojtje të saj.
Uroj punë të mbarë redaksisë, duke festuar edhe shumë përvjetorë të tjerë, me shpresë se do të përkushtoheni në ruajtjen e përmbajtjes cilësore dhe begatimin e faqeve me tema të ndryshme, gjithmonë në interes të informimit të drejtë dhe cilësorë të shqiptarëve kudo që janë.

(autori është poet dhe publicist)

Dita kur nisi koleksionimi i „Kohës Javore”

Me kalimin e kohës, si një pemë që piqet, kjo e përjavshme i krijon kushtet që përmes saj të shprehin opinionet e veta ata që duan të ndajnë me të tjerët mendimet, pikëpamjet, dhe qasjet e veta ndaj çdo problemi që preokupon shoqërinë shqiptare në këtë shtet.
Koha Javore me apo pa thojza nxiti polemikën, thirri në përgjegjësi, trimëroi ata që nuk deshën të mbesin të heshtur dhe pa zë. Me këtë gazetë u bushëm me energji se ne që e lexojmë dhe shkruajmë për të kemi të drejtë, sepse jemi ata që nuk i frikohemi fjalës që ngjitet në letër.

Robert Camaj

Kuvendi i Malit të Zi në mbledhjen e parë të rregullt në vitin 1999, apo në korrik të atij viti merr Vendimin mbi themelimin e medies publike, të përjavshmes në gjuhën shqipe “Koha Javore”. Në këtë vendim thuhet se kjo e përjavshme do të botohet në kuadër të Ndërmarrjes publike të gazetës “Pobjeda”, e cila kryen veprimtarinë informative dhe gazetare-bulicistike në interes të qytetarëve të Malit të Zi.
Gjithashtu thuhet se financimi i saj do të kryhet në përputhje me Ligjin mbi informimin publik. Kurse në tetor të vitit 2000 po i njëjti Kuvend i të njëjtës republikë miraton Vendimin për emërimin e këshillit programor të medies publike, të përjavshmes në gjuhën shqipe “Koha Javore”. Arsyet nuk i kam të qarta por një vit më vonë ose më 13 nëntor të vitit 2001 një vendim i tillë përsëritet me një ndryshim të vogël të këshillit programor.
Futemi kështu në vitin 2002 për të parë e lexuar numrin e parë të së përjavshmes në gjuhën shqipe “Koha Javore”, kurse fundi i shkurtit të atij viti për disa nga ne është edhe dita kuria nisëm ta koleksionojmë atë.
Paraqitja e saj na zbulon të vërtetën, gjykimet e paragjykimet, ngritjet e rëniet, hipokrizinë dhe vertikalizmnin tonë, prandaj udha e saj është vështirësuar dhe i dilet në “pritë” Kohës sonë.
Me kalimin e kohës, si një pemë që piqet, kjo e përjavshme i krijon kushtet që përmes saj të shprehin opinionet e veta ata që duan të ndajnë me të tjerët mendimet, pikëpamjet, dhe qasjet e veta ndaj çdo problemi që preokupon shoqërinë shqiptare në këtë shtet.
Koha Javore me apo pa thojza nxiti polemikën, thirri në përgjegjësi, trimëroi ata që nuk deshën të mbesin të heshtur dhe pa zë. Me këtë gazetë u bushëm me energji se ne që e lexojmë dhe shkruajmë për të kemi të drejtë, sepse jemi ata që nuk i frikohemi fjalës që ngjitet në letër.
Por siç rritej Koha javore (të më falin lexuesit por nuk dëshiroj ta fusë në thojza këtë zë të lirë) ashtu edhe shtohen dashakëqijtë e saj, ajo nuk u rrit në tirazh, as në staf, por u rrit pesha e të shkruarit që nuk ndalë më dot.
Të fikësh Kohen Javore është shumë lehtë, dhe ajo vërtet nuk është rentabile, por në anën tjetër të ekzistuarit e saj nuk mund të peshojë më shume se ta zëmë 99% e ndërmarrjeve publike, gjysmëprivate etj, të cilat mbahen e nuk e paguajnë veten.
Shkurtimet për mosrentabilitet le të reflektohen në Kohën Javore atë ditë kur mos të ketë një ndërmarrje të ngjashme e që shpenzon më shumë se ajo, deri atëherë edhe Koha si të tjerët le të prodhojnë humbje.
Kjo e përjavshme tani më nuk është një eksperiment, ajo është një domosdoshmëri e cila po u shua, për atë lajm duhet të marrin vesh ata që kanë veshë dhe duhet të dëgjojmë e të reagojmë kur një e drejtë si ajo në informim cënohet.
„Koha” duhet të mbijetoj. Ajo vigjilon mbi vetëdijen tonë, ajo duhet të ruajë substancën e vet që tani më është pjesë e materies përbërëse të konstruktit pa të cilën do të ishim njerëz me nevoja të veçanta.

(autori është sekretar i K.U. të Tuzit)

KOMENTOJE