Bora e së shtunës ka shkaktuar probleme në qarkullimin ndërshtetëror midis Kosovës dhe Malit të Zi. Nga mëngjesi është ndaluar qarkullimi i automjeteve të rënda, ndërkohë që burime këndej e andej kufirit japin informacione për situata të ndryshme në trafik.
Derisa Lidhja Auto-Moto e Malit të Zi ka thënë në mëngjesin e së shtunës se trashësia e borës së rënë gjatë natës së kaluar ka bllokuar qarkullimin në aksin Rozhajë-Kullë-Pejë, policia e trafikut në Pejë thotë se gjendja këndej kufirit është e mirë dhe se problemet në qarkullim midis dy shteteve shkaktohen në pjesën e Malit të Zi.
Zeqir Kelmendi, zyrtar për shtyp në Drejtorinë e PK në Pejë, ka thënë se në mëngjesin e hershëm të së shtunës në pjesën nga Kosova, krahas borës ka pasur edhe ngrica, mirëpo intervenimi i kompanisë pastruese “Graniti” ka bërë që rruga nga Peja deri në Kullë të jetë e kalueshme për të gjitha llojet e automjeteve. “Është pjesa nga Mali i Zi që ka shkaktuar pengim të pjesshëm të qarkullimit të zakonshëm”, ka thënë Kelmendi.
Kjo nuk është hera e parë që mospastrimi i borës në këtë arterie ndërshtetërore në territorin e Malit të Zi shkakton probleme qarkullimi. Situata të njëjta janë përsëritur gati gjatë tërë dimrit të sivjetmë. /Koha Ditore/