Shoqata “Martin Dreshaj” fton vëllezërit shqiptarë të mos vjellin vrer me nguti

Mediat elektronike edhe në Kosovë kanë plasur momente nga një editim i një deklarate në At Don Anton Kçira. Bashkësia Islame e Kosovës ka treguar dinjitet dhe pjekuri në deklaratën e saj. Ajo bashkë me vëllezërit nga kreu i Kishës Katolike Shqiptare ishin dhe po mbeten shembull i bashkëpunimit vëllazëror. Kishte në atë deklaratë të publikuar në media fjalë të rënda, por shqiptarët e të gjitha besimeve nuk duhet ngutur në deklarime. E ka thënë ashtu a kështu At Kçira nuk është fundi i botës dhe nuk bën të lëkundet dheu e as marrëdhëniet e shkëlqyera e toleranca mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Ata në kohë plot furtuna janë treguar të fortë e të bashkuar rreth të njëjtit flamur e ideal. Shoqata “Martin Dreshaj” fton vëllezërit shqiptarë të mos vjellin vrer me nguti . Kjo Shoqatë mbetet, edhe për kundër shumë problemeve e pengesave, zë i Malësisë dhe vendtakim për të gjithë shqiptarët , pa marrë parasysh besimin, në përpjekjet e përbashkëta për unifikimin e kombit dhe bashkimin kombëtar. Një deklaratë e dikurshme dhe e pa matur e një hoxhe për Nënën Tereze dhe një deklaratë, tani e At Kçirës, cilado çoftë përmbajtja reale dhe e saktë e saj, le të mbesin deklarime individuale të individëve dhe të gjykohen si të tilla, pa ua mohuar atyre , që të mbrohen. Ne nuk kemi të drejtë të bëjmë gjykime e të shpallim dënime me nguti. Nëse At Anton Kçira nuk ka çfarë të thotë, por mbetet si e saktë deklarata e tij e publikuar në media, atë duhet kritikuar të gjithë bashkë, por vetëm si një individë që e kanë lënë nervat, por jo të ngitemi e të thirremi në deklarimin e tij e të bëjmë përçarje mes vëllezërve të një gjaku. Kisha shqiptare në Detroit le të vërtetojë faktet dhe nëse është deklarat e tillë le ta përjashtojë nga misioni kishtar. Me shekuj kemi mbajtur gjallë krenarinë e dashurinë mes vëllezërve të një kombi. Me shekuj kemi hapëruar nën të njëjtin flamur dhe për të realizuar të njëjtat ideale. Shoqata jonë fton vëllezërit tonë kudo janë, e të cilit do besim që janë, që bashkë të vazhdojmë rrugëtimin nën flamurin e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut , duke kënduar vargjet e bukura të Naimit e Fishtës e duke lartësuar kujtimin para përmendoreve të Dedë Gjo Lulit, Adem Jasharit e trimave të tjerë. Kështu do të rrugëtojmë drejt bashkimit kombëtar. Kështu do të bëhemi digë e fortë kundër përpjekjeve tinëzare të kuçedrës nga Karpatet dhe kuçedrave e demonëve nga Greqia dhe vendet tjera që ishin e mbeten armiq të përbetuar të kombit tonë.

Shoqata e Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Marin Dreshaj” edhe në këtë prill, pati a nuk pati përkrahje nga ata që ka pritur, do ta mbaj Manifestimin Tradicional “Zëri i Vëllazërisë” dhe do të bëj bashkë në një valle, në një këngë e në një sofër shqiptarët , pa dallim feje, që do të vijnë nga Shkodra, Tirana, Malësia e Madhe, nga Kosova Lindore e nga gjithë qytetet e Kosovës. Jemi vëllezër dhe as edhe një deklaratë e montuar apo e thënë keq, me apo pa qëllim , nuk na ndan nga ky rrugëtim. Bashkimi kombëtar do të bëhet dhe në përpjekjet për realizimin e këtij ideali sublim ka vend për të gjithë ata që vetën e tyre e dinë për shqiptar, e sa për besimin le të besojnë si ata duan .

Rrahman Jasharaj

Zëdhënës dhe koordinator për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, numri kontaktues 044 106 392

KOMENTOJE