Manifestim me rastin e 7 marsit, ditës së mësuesit – QIK Malësia, Tuz

7 Marsi-Dita e Mësuesit është një datë e shënuar kombëtare e cila ka filluar të kujtohet edhe ndër shqiptarët në Malin e Zi. Kjo datë është festë që shërben për të vlerësuar traditat më të mira të shkollës kombëtare shqipe, figurës së nderuar të mësuesit dhe të gjithë punëtorëve të arsimit.
Duke vlerësuar rëndësinë e datave të rëndësishme kombëtare, Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi, mori përsipër shënimin edhe të kësaj date të rëndësishme kombëtare, pra, 7 Marsit-Ditës së Mësuesit.
Komisioni për kulturë pranë Këshillit Nacional të shqiptarëve në Malin e Zi, vendosi që këtë radhë të organizojë Manifestim për shënimin e Ditës së Mësuesit, në Tuz, meqenëse vitin e kaluar e organizoi në Ulqin.
Manifestimi me rastin e 7 Marsit –Ditës së Mësuesit u organizua në Tuz, ditën e diel, më 7.03.2010, në Qendrën Informative Kulturore, në orën 19-të.
Meqenëse pat një defekt në rrjetin elektrik në mbarë Tuzin, për rreth dy orë, Manifestimi filloi me vonesë, por çdo gjë më pas shkoi për mrekulli. Salla e QIK-ut ishte shumë e vogël për ti pranuar të gjithë të pranishmit.

Me këtë rast u dha një program i pasur artistik me pjesëmarrës nga pothuaj të gjitha trevat shqiptare në Malin e Zi.
Manifestimi filloi me himnin kombëtar të kënduar nga kori i nxënësve. Më pas e mori fjalën Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi, z. Tahir Tahiri i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit. Z. Tahiri tha se edhe në të ardhmen duhet të ruhet vazhdimësia e shënimit të datave të rëndësishme kombëtare dhe falënderoi Këshillin organizativ dhe të gjithë ata që ndihmuan organizimin e këtij evenimenti të rëndësishëm.
Fjalën e rastit për këtë datë të shënuar e mbajti mësuesi në pension, z. Pjetër Dreshaj. Ai foli për rëndësinë e arsimit dhe shkollës shqipe, në mënyrë kronologjike që nga themelimi i shkollës së parë shqipe më 7 mars 1887 e deri në ditët e sotme.
Për festën e mësuesit nuk kanë munguar asnjëherë as këngët të interpretuara me shumë dashuri nga nxënësit dhe të rriturit. Këtë radhë, me këngën ,,Festa e Mësuesit”u paraqit nxënësi Antigon Gjokaj i përcjellur nga kori i nxënësve, nën dirigjimin e prof. Luigj Dedvukaj.
Në vazhdim, poezinë ,, Për ty atdhe” të cilën e ka shkruar vet, e recitoi Flutur Mustafa, fituese e ,,Garave të recituesve të rinj-Ulqin 2009”, organizuar nga fondacioni ,,Studenti”.

Në këtë mbrëmje nuk mungoi as muzika instrumentale. Me violinë ekzekutoi nxënësi Martin Nicaj, fitues i shumë çmimeve në gara të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Më pas shkrimtari i mirënjohur Asllan Bisha lexoi një fragment të shkurtër nga vepra e tij,,Nusja e detarit”
Nxënësit e shkollës fillore,,29 Nëntori” nga Dinosha, Mentor Dinosha dhe Liridona Dukaj u paraqiten me një recitim.
Këtë natë nuk mungoi as kënga folklorike. Nën përcjelljen me fyell të mjeshtrit Shtjefën Ujkaj, këngën ninullë ,,Çoja e Bjeshkës” e interpretoi solistja Vera Ujkaj.
Në vazhdim,poeti dhe publicisti i njohur Ibrahim Berjashi lexoi dy poezi nga përmbledhjet e tija.
Grupi i vajzave nga Kraja të veshura me veshjen popullore kranjane, ngriti atmosferën në sallë me një valle të bukur.
Nxënësja Rita Lulgjuraj nga Ulqini u paraqit me një poezi të Gjergj fishtës.
Programi vazhdoi sërish me muzikë instrumentale dhe kësaj radhe ekzekutoi në piano vogëlushi Arbër Beqaj.
Dueti i mirënjohur nga Malësia, Amanda Ujkaj dhe Violeta Lulgjuraj, pjesëmarrëse në ,,Festivalin e këngës në RTSH” u paraqiten me një këngë dhe u duartrokitën gjatë nga publiku.

Në fund të programit ndodhi vërtetë një befasi e këndshme. ,,Vallja e bareshës”e përgatitur nga koreografi i njohur nga Ulqini z. Musa Hoxha u luajt nga grupi i valltarëve të rinj dhe u përcoll me duartrokitje frenetike nga të pranishmit.
Në kuadër të këtij Manifestimi u organizua edhe ekspozita figurative me punimet më të mirë të nxënësve të disa shkollave fillore dhe të mesme. Për këtë ekspozitë u përkujdesën piktorja e njohur nga Ulqini znj. Vahida Nimanbegu dhe prof. i artit nga Tuzi z. Ziko Beqaj.
Me këtë rast, për të gjithë të pranishmit u dha një koktej modest.
Falenderoj të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij evenimenti të rëndësishëm kulturor, e në veçanti Fondin për Pakica që financoi këtë projekt.

Kryetari i Komisionit për kulturë,
Hajredin Kovaçi

FOTOGRAFITË KOMENTOJE