“Lufta” hakeriane shqiptaro-serbe

Grupi i hakerëve kosovarë, KHG (Kosova Hackers Group), të enjten pas mesnate, e ka marrë “nën mbrojtje” faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, www.kryeministri-ks.net. Aty ata kanë lënë një mesazh për vendosjen e shenjës së tyre në faqe, duke thënë se e kanë bërë si masë parandaluese për sulmet e hakerëve serbë. Ky grup thotë se ka paralajmëruar administratorët e faqeve të internetit të ministrive kosovare se ata duhet të punojnë për të parandaluar sulmet e hakerëve serbë, porse ata nuk kanë bërë asgjë për këtë dhe i kanë injoruar. Si pasojë është sulmuar faqja zyrtare e Policisë së Kosovës www.kosovopolice.com , në të cilën është vendosur flamuri serb me mbishkrimin në anglisht, “Kosova është Serbi”. Faqja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë, gjithashtu është sulmuar në mënyrë të njëjtë dhe në të është lënë mesazhi i njëjtë. Ndërkohë, hakerët kosovarë kanë marrë “nën mbrojtje” edhe faqet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Hakerët kanë thënë në mesazhet e tyre se serbët kanë dëmtuar dhe fshirë disa dokumente të faqeve që i kanë sulmuar.
Zyrës së Presidentit të Kosovës, i janë dashur disa ditë që ta kthejë në funksion faqen e saj të internetit të sulmuar para pak kohësh nga hakerët serbë. /Koha Ditore/