Edhe pse historike vizita e Metës në Serbi, dy çështje mbetën pezull në takimet zyrtare: Kosova dhe trafikimi i organeve nga Shqipëria, akuzë e Beogradit ndaj Tiranës. Ajo që bie në sy nga deklarata e djeshme e zv.kryeministrit Ilir Meta është fakti se në asnjë rast gjatë takimeve, shefi i diplomacisë shqiptare nuk ka përmendur akuzat e herëpashershme të Beogradit për trafikun e organeve nga Shqipëria. Akuzat janë bërë publike në një libër të ish prokurores së Hagës Carla Del Ponte, ndërkaq, një mision i OKB i mbërritur disa ditë më parë në Tiranë, shprehu shqetësim për mungesën e bashkëpunimit të organeve kompetente të Shqipërisë për lejimin e hetimit të kësaj çështjeje. Por ndërkaq, për këtë, në takimet e djeshme zyrtare, nuk është folur asnjë fjalë, sipas zëdhënësit të ministrit të Jashtëm, Ralf Gjoni.
Shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiq tha dje se për çështjen e Kosovës ‘ekziston një hendek i madh mes dy vendeve dhe po ashtu, kanë qëndrime të ndryshme”. “Kjo çështje mbetet, sipas tij, hendek edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë”.
“Në çështjen e Kosovës, qeveritë kanë dy pozicione krejt të ndryshme. Por, nga ana tjetër, ne ramë dakord që e ardhmja e gjithë rajonit është në BE, pa lënë njeri pas”, tha Meta. “Lidhur me kërkesës serbe për një pakicë serbe në Shqipëri, qëndrimi i Qeverisë sime është shumë i qartë: kjo çështje do të marrë drejtim pas regjistrimit të ri, i cili do të jetë shumë transparent dhe në bazë të standardeve të BE”, tha Meta. Ministri i Jashtëm shqiptar Meta ftoi qytetarët serbë të hyjnë pa viza në Shqipëri. Ai tha se shpreson që një regjim pa viza të zbatohet reciprokisht për qytetarët e dy vendeve. “Ju ftoj të vizitoni vendin tim të bukur që gjatë kësaj vere”, tha zv.kryeministri shqiptar.
Takimin e parë, të tij, në Beograd, Meta e ka zhvilluar me Presidentin Boris Tadiç. Presidenti serb Boris Tadiqtha se, Shqipëria përbën një interes për investitorët serbë. Tadiq premtoi se do të bëhet më shumë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Meta vuri në dukje edhe gjatë deklaratës se në të gjitha takimet ka diskutuar për “një epokë të re në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë”. “Unë e konsideroj si një moment historik për stabilitetin në rajon, një bashkëpunim të përmirësuar në të gjitha fushat me interes të përbashkët për të mirën e të dy vendeve”, u shpreh Meta.
Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta vlerësoi dje, figurën e ish-kryeministrit të vrarë serb, Zoran Xhinxhiq. I shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, bashkë me bashkëshorten e ish-kryeministrit serb Ruzhica Xhinxhiq, Meta bëri homazhe, të cilat përkojnë edhe me 7 vjetorin e vrasjes. “z.Xhinxhiq, pa asnjë diskutim që mbetet një frymëzim jo vetëm për demokratët dhe forcat progresiste e pro evropiane në Serbi, por në të gjithë rajonin tonë, pasi falë vizionit të tij, falë kurajos së tij të jashtëzakonshme, Serbia është në një stad të ri të integrimit evropian dhe të gjithë proçesit të integrimit në komunitetin ndërkombëtar”, u shpreh dje, ministri Meta. “Falë këtij vizioni dhe kurajoje, edhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë përparuar, ndoshta jo aq sa do dëshironin shumë si unë. Por shpreh besimin se akoma më shumë, këto marrëdhënie do të shënojnë progres dhe do të jenë solide, sepse marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë shumë të rëndësishme për perspektivën e rajonit tonë, për përshpejtimin e integrimit të tij evropian”, theksoi Meta, pas homazheve.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, në ditën e dytë të qëndrimit në Serbi, kur edhe e përfundon vizitën në këtë vend, sot do të takohet me shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Lugina e Preshevës, model bashkëjetese për rajonin
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, vizitoi sot Luginën e Preshevës dhe në bisedë me përfaqësues politikë e institucionalë të atyshëm, tha se Lugina e Preshevës do të jetë në të ardhmen burim i një stabiliteti për të gjithë rajonin, e në radhë të parë për banorët e saj, si dhe një model bashkëjetese.
Përfaqësuesit e Luginës vizitën e ministrit Meta e vlerësuan si një vizitë historike, me shpresën se në të ardhmen do të vënë një urë bashkëpunimi me qeverinë shqiptare. Meta, së pari ka qëndruar në Preshevë, ku është pritur në mënyrë madhështore nga qytetarë të shumtë. Duhet theksuar se edhe shkollat kishin ndërprerë mësimin për ta përshëndetur
ministrin shqiptar.
I shoqëruar vazhdimisht nga ministri i Pushtetit Lokal të Serbisë, Milan Markoviq, Meta është takuar me liderët politikë të Luginës së Preshevës dhe para këshilltarëve komunalë mbajti një fjalë rasti. Meta tha se vjen në Preshevë, pas një bashkëpunimi të mirë që ka
Shqipëria me Serbinë, dhe pas një bashkëpunimi të mirë të vendosur me drejtuesit shqiptarë të komunave të Luginës së Preshevës. Meta, po ashtu, tha se Lugina e Preshevës do të jetë në të ardhmen burim i një stabiliteti për të gjithë rajonin, e në radhë të parë për banorët e saj dhe kësisoj do të jetë burim i prosperitetit dhe një model bashkëjetese për shqiptarët e serbët këtu dhe në Kosovë dhe kudo për shqiptarët e sllavët, duke pasur parasysh pozicionin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Meta premtoi angazhim të Qeverisë Shqiptare për njohjen e diplomave të shqiptarëve të Luginës, kurse në fund të fjalës së tij, Meta ftoi 50 fëmijë nga Lugina, pavarësisht përkatësisë etnike, të kalojnë një javë pushime në Shqipëri.
Prefekti i Preshevës, Ragmi Mustafa vizitën e Metës e vlerësoi historike, pasi sipas tij, kjo pjesë kurrë nuk ishte vizituar nga ndonjë burrështetas i Shqipërisë dhe kështu, tani vendosim një urë të bashkëpunimit me Qeverinë Shqiptare.
Pas Preshevës, shefi i diplomacisë dhe zëvendëskryeministër shqiptar vizitoi edhe Bujanocin, prej nga do të kthehet për në Shqipëri.
Edhe prefekti i Bujanocit, Shaip Kamberi vizitën e Metës e quajti historike. Sipas tij, kjo vizitë shënon një frymë të re në marrëdhëniet në mes dy shteteve, por natyrisht se do të ketë refleksione pozitive edhe në pozitën e shqiptarëve të Luginës. Kamberi shfaq besimin se këto marrëdhënie do të intensifikohen në drejtim të një bashkëpunimi të mirëfilltë me shtetin amë, si në fushën e kulturës, ashtu edhe në fusha tjera, por jo vetëm
politike, por edhe atë të zhvillimit ekonomik. /NOA/