Prishtinë, 22 mars – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot ministrin për mbrojtjen të drejtave të njeriut dhe pakicave në Republikën e Malit të Zi, Ferhat Dinosha.
Në takim, siç njoftohet nëpërmjet një komunikate, është diskutuar për gjendjen aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, për raportet mes Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe për pozitën e komunitetit shqiptar në Mal të Zi.
Kryeministri Thaçi në takim theksoi rëndësinë e thellimit të raportetve të gjithanshme mes Kosovës dhe Malit të Zi, pas njohjes që Mali i Zi i ka bërë shtetit të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në angazhimet e saj për thellimin e bashkëpunimit rajonal, me të gjithë fqinjët e Kosovës, në funksion të paqes, të zhvillimit dhe të integrimit, tha Thaçi dhe shtoi se për Qeverinë e Kosovës raportet me Malin e Zi kanë një rëndësi të posaçme në kuadër të këtij bashkëpunimi.
Kryeministri Hashim Thaçi në takimin me Dinoshën vlerësoi lartë rolin e shqiptarëve në kuadër të shoqërisë dhe institucioneve të Malit të Zi dhe theksoi se përfaqësimi
i shqiptarëve në këto institucione është i rëndësishëm për funksionimin demokratik të tyre. /Koha Ditore/