Vazhdojnë të na vrasin krenarinë dhe kujtesën shqiptare

Ishim duke u përgatitur për mbajtjen e takimit të Kryesisë dhe Këshillave Artistik e Organizativ të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” sepse më 24 e 25 prill kemi Manifestimin Tradicional “Zëri i Vëllazërisë” dhe pjesë e tij do të jenë 120 artistë, këngëtarë e veprimtarë nga të gjitha trojet etnike. Pa ia nisur takimit ia bëhu një njeri me një gazetë në dorë .

-U kam kërkuar bukur në do vende juve të Shoqatës dhe u gëzova që ju gjeta. Shikojeni këtë shkrim në gazetë dhe më tregoni, ju që po merreni me patriotizëm, çka po thoni e cilës kohë është kjo ? – foli ky njeri dhe na e hodhi gazetën para syve. E lexuam titullin. Lexuam . Përmendej Lidhja e Prizrenit, preambula, Gjykata .E kuptuam mllefin e këtij mikut.

-Gjykatat e llojeve të ndryshme , që kishte instaluar Serbia në vitet e vrara të Kosovës lëshonin akte e bënin përpjekje për të zbehur e zhdukur çdo gjë shqiptare në Kosovë.- ia ktheva qytetarit dhe mbledhja jonë humbi arsyen e parë të takimit. Nisen bisedat plot dhembje dhe flisnim e flisnim dhe prapë e shikonin datën që mbante gazeta dhe lajmi për vendimin e tmerrshëm e të turpshëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. “Vazhdojnë të na vrasin krenarinë dhe kujtesën shqiptare”, deklarova para Kryesisë dhe Këshillave Artistik e Organizativ të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. U ngrita dhe ua gjeta në internet preambulën e Komunës së Prizrenit dhe atë po ua sjellë edhe lexuesve të këtij reagimi. Po ua sjellë, jo pse nuk e dinë, por për t’ua krahasuar me një mbishkrim që gjendet në midis të Dukagjinit dhe në tokën e Kosovës. Ky mbishkrim gjendet në hyrje të shkollës në fshatin Kastrat ( Gorazhdec). Nëse botohet ky shkrim në ndonjë media shqipe të Kosovës a kudo tjetër në trojet shqiptare, lexuesi ka mundësi të bëj krahasime dhe të vërej lehtë “burrërinë” dhe “drejtësinë”e përbërësve të Gjykatës Kushtetuese, që po i thonë e Kosovës.

Ta shikojmë logon e Komunës së Prizrenit dhe ta analizojmë. Aty po shkruan fillimisht : “Republika e Kosovës” dhe është flamuri, që e zbuluan e që po i thonë se është i Kosovës. Pak më tutje është preambula e Komunës së Prizrenit . Është pamja e një shtëpie monument për gjithë shqiptarët, që në Kosovën e Gjykatës Kushtetuese është shumicë e shkuar shumicës dhe që lirinë, që e ka sot, e ka paguar me gjak, trauma, tragjedi , vuajte e ecje me qindra kilometra mes plumbave e fyerjeve në zhvendosjen biblike të vitit 1999. Çka paska të rrezikshme në këtë preambulë? Asgjë . Në të shprehet kujtesa dhe krenaria për një ngjarje të madhe. Në atë vit (1878) shqiptarët u mblodhën , jo për të krijuar ushtri e struktura politike e për të okupuar shtete fqinje, por për t’i mbrojtur ato pakë toka, që u kishin mbetur nga sulmet gllabëruese të kuçedrave nga Karpatet. Ata që i pengon kjo preambulë dhe kjo ngjarje e madhe e lirisë, ata duhet të merren me vetën e tyre dhe të shikojnë çfarë pozicioni kishin në vitet e vrara të Kosovës dhe kujt i kanë shërbyer- lirisë apo territ dhe hijeve të zeza.
Gjykatë Kushtetuese, shikoje pak këtë foton , si pamje origjinale nga Gorazhdeci, që po e dërgoj në botim bashkë me këtë tekst. Për këtë është dashur të shqetësohesh dhe të marrish vendim të prerë. Shikojeni o gjykatës të kësaj “gjykate” dhe lexojeni me kujdes se e di që serbishten e dini më mirë se gjuhën shqipe. Kjo është pllaka në hyrje të shkollës në Kastrat ( ish Gorazhdec) dhe po u ndihmoj pak. Është e vendosur dhe rri aty edhe tani kur unë po shkruaj e po ju drejtohem. Aty po thotë : “Republika e Serbisë. Autonomna Pokrahina Kosovo i Metohija” e pastaj emërtimi i shkollës ….

Hajt, more kuku gjykatës dhe më thoni mua dhe lexuesve a nuk është kjo shkelje e asaj Kushtetutës së Kosovës ? Është, është, po çka ? As lavrën e miut ju nuk guxoni ta bëni kundër këtij mbishkrimi e as kundër mbishkrimit ofendues ndaj shqiptarëve që është në një përmendore midis po këtij Gorazhdeci. Turp për Ju a? Po, po, turp dhe ju lus nëse botohet ky shkrim ejani e më burgosni. Ani s’ka gjë. Punova më shumë shokë për unifikimin e kombit dhe në ruajtjen e krenarisë dhe kujtesës shqiptare. Ju po doni ta vrani atë. Atë vrajeni e neve na burgosni. S’ka gjë se jemi mësuar me pamje të tilla, por po na vret më shumë se kjo tani po na vije në Kosovën “e lirë” dhe po na vije nga njerëzit “tanë”.

Rrahman Jasharaj, zëdhënës dhe koordinator për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, rraha_j@hotmail.com,
Numri tel. O44 106 392

KOMENTOJE