Lideri i AAK-së, z. Ramush Haradinaj, tuboi në Pejë përfaqësuesit e subjekteve politike Shqiptare nga Mali i Zi

Lideri i AAK-së, zotni Ramush Haradinaj, më 23 mars 2010, në hotelin “DUKAGJINI” në Pejë, tuboi në një takim e darkë pune, të gjithë së bashku, përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nga Mali i Zi. Qëllimi ishte, siç tha i zoti i shtëpisë, zotni Ramush Haradinaj, që të mblidheni bashkë përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nga Mali i Zi dhe të bisedohet për situatën dhe problemet e shqiptarëve, që jetojnë në trojet e veta stërgjyshore, sot në Malin e Zi dhe të provohet për identifikimin e çështjeve kyçe dhe mundësinë e një veprimi të përbashkët të subjekteve politike shqiptare si dhe vazhdimin e marrëdhënieve të mira të ndërsjellta me AAK-në, këtë subjekt politik shumë të rëndësishëm në Kosovë.
– Këshilla jonë, tha zotni Haradinaj, është koordinimi në mes jush.
Ishte kjo një porosi kuptimplote dhe shumë e nevojshme për veprim, për ata që duan të kenë rezultate dhe të përfaqësojnë interesat e vërteta të shqiptarëve, që jetojnë në vatrat e veta stërgjyshore, sot në Malin e Zi.
Në takim ishin të ftuar dhe morën pjesë: Mehmet Bardhi, kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi dhe deputet i “LISTËS SHQIPTARE” (koalicioni LD në MZ dhe Alternativa Shqiptare), Tahir Gjonbalaj, aktivist – LD në MZ e Nikollë Camaj, kryetar i Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit dhe anëtar i Kryesisë së LD në MZ, Ferhat Dinosha, kryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Ministër në Qeverinë e Malit të Zi, Gëzim Hajdinaga, kryetar i Komunës së Ulqinit dhe Astrit Hoxha, bashkëpunëtor i kryetarit Hajdinaga- UDSH, Nazif Cungu, kryetar i Forcës së Re Demokratike – FORCA dhe Genci Nimanbegu, deputet dhe nënkryetar – i Forcës, Ali Doda, kryetar i Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve, Ali Rexha, kryetar i Partisë së Prosperitetit Demokratik dhe Amir Hollaj, deputet nga koalicioni i grupit të qytetarëve “Perspektiva”.

Me Zotni Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së dhe ish kryeministër i Kosovës, në atë mbrëmje për të nderuar mysafirët ishin së bashku, zotni Hysen Gërvalla, veteran, aktivist e patriot, vëllai i martirëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Ali Berisha, kryetar i
Komunës së Pejës, Musa Berisha, ish kryetari i Komunës së Deçanit, Jahja Lluka, shef i kabinetit të zotni Haradinaj dhe Reshat Nurboja, drejtor i Drejtoratit për Administratë në Komunën e Pejës.

Nga ky takim pune e vëllazëror me dakordim të plotë u nxorën dy përfundime shumë të rëndësishme:
– Komuna për Malësinë me qendrën në Tuz (komuna e Tuzit në kufijtë natyrorë të Malësisë) me të drejta dhe kompetenca të plota, si të gjitha (21) komunat e tjera në MZ;
– Përfaqësimi politik i shqiptarëve në parlamentin e Malit të Zi, nuk guxon të jetë nën 5 (pesë) përfaqësues – deputetë, nga radhët e subjekteve politike shqiptare dhe përfaqësimi adekuat në nivelin lokal.
Dakordimi për këto dy çështje thelbësore na bën optimist dhe na jep të drejtë të pohojmë se takimi ishte i suksesshëm, për çka e përshëndesim dhe e falënderojmë nga zemra zotni Haradinajn.
Vlen të theksojmë, se ky takim është i pari i këtij lloji, që nga vdekja e kryetarit historik, dr. Ibrahim Rugova, i cili që nga fillimet e shumëpartiakësisë, në vitet e 90-ta, edhe si kryetar i Këshillit Koordinues i Partive Shqiptare në ish-Jugosllavi edhe si kryetar i LDK-së, tubonte rregullisht, së paku një herë në vit (sipas nevoje ka pas rast edhe më shpesh) përfaqësuesit e partive politike shqiptare nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Presheva, për të shkëmbye informacione dhe koordinua, sa ishte e mundur, veprimet politike të subjekteve politike shqiptare. Prandaj edhe nga ky kënd këtë nismë të zotni Haradinaj e përshëndesim ngrohtësisht.

Në fund zotni Mehmet Bardhi, bëri edhe një falënderim, ta quajmë të posaçëm. Luti zotni Haradinajn t’i përcjellë përshëndetjet dhe falënderimet e tija dhe të Lidhjes Demokratike, pronarit të hotelit dhe të kompanisë DUKAGJINI, për kontributin dhënë LD në MZ, në vitin 1990, kur në shtypshkronjën e tij, në Pejë punoi vulat e Lidhjes Demokratike, falas, kur në Malin e Zi, nuk pranuan të na i punojnë (në gjuhën shqipe), e pa to nuk mund të dilej në zgjedhjet e para shumëpartiake si edhe për shtypjen e materialit propagandistik zgjedhor për zgjedhjet e mëvonshme të viteve ‘92 e ’96, në ato kohëra shumë të vështira …

Shërbimi për Informim i LDnëMZ

KOMENTOJE