Njohja e malazezëve, pastaj shkëmbimi i ambasadorëve me Kosovën

Podgoricë, 7 maj – Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, sipas FoNet-it, ka deklaruar se nuk do të nënshkruaj aktet për shkëmbimin e ambasadorëve ndërmjet Malit të Zi e Kosovës, deri sa të mos zgjidhet çështja e pozitës së komunitetit malazias në Kosovë dhe deri sa malazezëve të mos u mundësohet përfaqësimi autentik.
Me rastin e apelit publik të partive kombëtare malaziase nga Kosova, ai ka thënë se është e pashembullt që në Ligjin mbi pakicat në Kosovë malaziasit të përjashtohen si pakicë, dhe se është e domosdoshme që ky ligj të ndryshojë dhe që pakica malaziase të përfaqësohet në mënyrë autentike në Parlament, transmeton FoNet-i RTV-në e Malit të Zi.
Për Vujanoviqin është trimëruese nisma e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të hapë procesin e ndryshimit të Ligjit mbi të drejtat e pakicave, në mënyrë që malazezët të kenë të njëjtat të drejta si edhe pakicat e tjera në Kosovë, citohet komunikata e Vujanoviqit. /Koha Ditore/

KOMENTOJE