Prishtinë, 8 maj – Republika e Djiboutit (Xhibutit) ka marrë vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo njohje nuk është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës, por si shkruan edicioni online i gazetës Express, konfirmimi është marrë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
“Kjo njohje i është konfirmuar Ambasadës së Shqipërisë në Riad. Tash pritet që përmes kanaleve diplomatike – diku në fillim të javës së ardhshme – nota verbale për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Djiboutit të arrijë në Ministrinë kosovare të Punëve të Jashtme”, ka thënë një zyrtar i lartë i Kryeministrisë, në kushte anonimiteti.
Shteti afrikan, Republika e Djiboutit, kufizohet me Eritrenë, Etiopinë dhe Somalinë. Ka rreth një milion banorë.
Djibouti (Xhibuti) është shteti i 68-të që e njeh pavarësinë e Kosovës.