Sllavët kanë politikë e dije, shqiptarët kanë rrahje gjoksesh

Kudo në botë shteti amë ka të drejtë të ngrit zërin e të mbrojë popullin e tij pakicë kur atij i nëpërkëmbën të drejtat dhe liritë e garantuara me dokumentet e Konventat ndërkombëtare. Këtë të drejtë kurrë nuk e vuri në tavolinë Shqipëria. Kudo në botë liderët e pakicës kur shohin se po i mohohen të drejtat popullit shkojnë e ankohen të shteti amë duke kërkuar angazhime e mbrojtje. Këtë gjë kurrë publikisht nuk e kanë bërë liderët shqiptarë në Malësi, po as në Kosovën Lindore e Maqedoni. Popujt tjerë kanë platformë të përbashkët kombëtare e ne shqiptarët kemi lecka e programe të partive dhe rrahim gjokse me to.

Partia Demokratike Malazeze dhe Partia Popullore Malazeze kanë ku të ankohen edhe kur nuk kanë fare të drejtë. Liderë të këtyre dy partive e dinë mirë të vërtetën se shqiptarët e Kosovës nuk ka në as edhe më të voglin faj pse në listën e minoriteteve në ditët e para të pasluftës nuk ishin malazezët. Nuk ishin sepse ata ishin deklaruar fuqishëm në kohët e katrahurave e vrasjeve se janë serbë. Në ato kohë malazezët e dikurshëm e kishin mohuar përkatësinë e tyre dhe i kishin marrë inat Malit të Zi pse po lejonte shqiptarët e zhvendosur dhunshëm të kalojnë nëpër atë shtet në kërkim të shpëtimit. Tani kur e kanë vërejtur se pakicat po kanë më shumë privilegje e të drejta se vet populli shumicë dhe se me petkun serb nuk kanë gjasa të mëdha për karrige, pozita e donacione të majme, duan të rishpallen malazez.

Ani, është e drejt legjitime e individëve ta shpallin vetën e tyre çfarë të duan, por nuk është e drejtë të fajësohen të tjerët . Është , po ashtu e drejtë që shteti amë të interesohet për pakicën e vet dhe të angazhohet për t’u siguruar të drejta dhe madje edhe privilegje në kopshtin e quajtur Kosovë, por kushtëzimet dhe bisedat duhet të jenë të ndërsjella. Institucionet e larta të Kosovës duhet të takohen me Vujanoviqin dhe të prezantojnë ankesat e tyre. Këmbimi i ambasadorëve duhet bërë në bashkëpunim e mirëkuptim të ndërsjellë e jo më kushtëzime të vetëm një pale. Nëse Mali i Zi i paraqet Kosovës gjithë ato kushte për minoritetin malazez, që u rizbulua në Kosovë kohëve të fundit,atëherë Shqipëria e Kosova duhet t’i prezantojnë Podgoricës vërejtjet e kushtet e tyre lidhur me tokat e vjedhura dhe për shqiptarët atje, që jetojnë me shekuj në trojet e tyre dhe nuk kanë pranuar kurrë të tjetërsohen. Por të të ndodhur kjo fillimisht duhet që liderët e partive politike shqiptare në Malësi, Ulqin, Plavë, Guci e Rozhajë të bashkohen dhe të bëhen një zë në kërkesat legjitime të votuesve të tyre. Duhet të takohen me liderë nga Kosova e Shqipëria, jo për të pirë makiato , për të ngrënë drekae për të bërë poza për poena politikë e për të treguar kur të kthehen se ja unë u fotografova nga afër me këtë e me atë, po për të kërkuar ngritjen e zërit në kanalet e takimet bilaterale me Podgoricën. Populli i mbetur pa mbrojtje në Malësi alarmon se i ka punët keq e më keq dhe se i janë mohuar të drejtat më elementare, kurse liderët nga atje shkojnë në takime e japin intervista të tmerrshme duke e thënë publikisht se kurrë më mirë nuk i kanë pasur punët shqiptarët atje se tani. Dikush po mashtron e duke u nisr nga thënia se “Zëri i popullit është zëri i Zotit”, atëherë po dihet kush po e lakon të vërtetën. Populli e thotë nga zemra atë që e sheh dhe e ndjen në lëkurën e tij e liderët për ta ruajtur karrigen e flasin me gjuhën dhe mendjen e “shefit”.

Deri sa të vazhdojë e vërteta që sllavët të kenë politikë e dije e shqiptarët kanë rrahje gjoksesh shqiptarët në Malësi, Ulqin, Kosovë Linodre, Plavë e Guci, Maqedoni e në Rozhajë keq e më keq do t’i kenë punët e minoriteti malazez në Kosovë , që deri dje kishte mohuar identitetin e vet, do të kënaqet në kopshtin parajsë për pakicat e që quhet Kosovë.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE