Beograd, 10 maj – Një varrezë e re masive, në të cilën mendohet se janë varrosur 250 shqiptarë nga Kosova, është zbuluar në Serbi, deklaroi për BBC prokurori serb për krime të luftës.
Ai tha se informacionet kanë ardhur nga misioni policor i BE-së në Kosovë, EULEX, dhe Serbia ka dërguar hetuesit.
Viktimat besohet se janë vrarë gjatë luftës 1998-99, kur forcat serbe luftuan kundër shqiptarëve në Kosovë, raporton BBC.
Varreza masive është zbuluar në qytetin Rashka, afër kufirit me Kosovën.
Kjo nuk është hera e parë që varrezat masive zbulohen në Serbi. Trupat e mbi 800 shqiptarëve nga Kosova janë zbuluar në disa lokacione në Serbi, në vitin 2001.
Deklarata e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 është sfiduar nga Beogradi, por është pranuar nga SHBA-ja dhe shumica e shteteve të BE-së.
Zëdhënësi i Prokurorisë serbe për Krime lufte, Bruno Vekariq, sipas medieve të Beogradit, ka konfirmuar se varreza ndodhet në Rudnicë, afër Rashkës (jo larg kufirit ndërmjet Kosovës e Serbisë) dhe se kjo është varreza e gjashtë masive me kufoma shqiptarësh, e zbuluar pas 5 tetorit të vitit 2000 në Serbi, Kufomat aty janë sjellë nga varrezat primare në Kosovë nga Poligoni i Shenjtarisë (në Prishtinë njihej mikrotoponimi Strelishte, që ndodhet ndërmjet Tauk Bashçes, lagjes Velania dhe Trafostacionit – plotësim i Koha.net), Janjevës dhe rrethina e Prishtinës. /Koha Ditore/