Shqiptarët në koalicionet serbo-malazeze u kërkojnë votat shqiptarëve

Kanë mbetur pak ditë nga dita e diel, kur në 14 komunat e Malit të Zi, përfshirë këtu edhe Ulqinin e Tuzin me shumicë absolute shqiptare, do të zhvillohen zgjedhjet lokale. Si asnjëherë më parë, shqiptarët nga koalicionet serbo-malazeze, kanë mësyrë elektoratin shqiptar për të kërkuar votën e tij, kërkesë kjo që shoqërohet me lutje dhe premtime nga më të ndryshmet, raporton KosovaLive.
Kërkesat për vota nuk arrijnë vetëm nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve /UDSH/, përfaqësuesit e të cilit para krerëve të Partisë Demokratike të Socialistëve /DPS/, siç ndodhi në tubimet promovuese në Tuz e Ulqin, aq zëshëm e me emocione të papara u kërkuan shqiptarëve në gjuhën malazeze, që t’i përkrahin në këto zgjedhje duke i porositur që të mos bien “pre e mashtrimeve të partive opozitare nacionale shqiptare!”
Këto oferta shqiptarëve në Ulqin, Anë të Malit, Krajë e Malësi, nuk u arrijnë vetëm nga koalicioni UDSH-PDS, por edhe nga rivali i tyre politik, ”Ulqini i mirë, Mali i Zi më i mirë”, përkatësisht “Malësia e mirë, Mali i Zi më i mirë”, i përbërë nga partitë serbo-myslimane boshnjake. /Koha Net/

KOMENTOJE