Të premten në mesnatë filloi heshtja para zgjedhjeve lokale të ditës së diel, kur në 14 komunat e Malit të Zi si në Podgoricë, Andrijevicë, Tivar, Ulqin, Berane, Bijello Pole, Danillovgrad, Zhablak, Kollashin, Plavë, Pluzhinë, Plevle, Rozhajë dhe Shavnik, në të cilat garohet për parlamente lokale. Zgjedhjet lokale poashtu do të mbahen edhe në dy komunat urbane të Podgoricës, në Tuz – Malësi dhe në Gollubovc.
Vendvotimet do të hapen në orën 08:00 dhe do të mbyllën në orën 21:00.
Në një atmosferë të nxehtë është mbyllur fushata paraelektorale në Malësi, ku dy grupimet rivale politike, ai i partive nacionale shqiptare “Koalicioni për Malësinë”, i përbërë nga Lidhja Demokratike, Alternativa shqiptare dhe Iniciativa qytetare, si dhe koalicioni “Për Tuzin evropian” – Unioni Demokratik i Shqiptarëve i Ferhat Dinoshës, Partia Demokratike e Socialistëve e Milo Djukanovicit dhe Partia Boshnjake me në krye dr. Nedzat Dresevicin, kanë paraqitur ofertat politike para malësorëve.
Listën e “Koalicionit për Malësinë“ e kryeson Vasel Sinishtaj kurse listën e koalicionit “Për Tuzin Evropian“ e kryeson Hallill Dukovic.
Zgjedhjet lokale në Mal të Zi nuk do të monitorohen as nga vëzhgues ndërkombëtarë, as nga organizatat vendase joqeveritare.