Emri Malësi e Madhe do të thuhet zëshëm kudo në trojet shqiptare

Edhe pas përfundimit të Manifestimit madhështor “Zëri I Vëllazërisë” veprimtarët e Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë –Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” nuk kanë ndalur për as edhe një moment aktivitetet drejt unifikimit dhe bashkimit të kombit dhe trojeve. Ata i kanë shtruar detyrë vetit që të punojnë me tërë forcën e dijen në mënyrë që emri Malësi e Madhe të thuhet e të jehojë zëshëm kudo në trojet shqiptare. Për këtë qëllim kanë zhvilluar shumë takime me veprimtarë kudo në qytetet e Kosovës për të vazhduar me takimet në qytetin Bajram Curr dhe në Shkodër. Kudo kanë gjetur respektin dhe vlerësime të larta për punën e bërë dhe janë ftuar të marrin pjesë në shumë aktivitete tematike e kulturore.

“ Në takimin në Gjilan me këngëtaren e veprimtaren e njohur Enkelejda Alushi-Arifi kemi shtruar shumë çështje dhe ajo ka shprehur respekt të lartë për angazhimet dhe arritjet e shoqatës sonë. Kremi biseduar edhe për fatin e lig të Çamërisë, Malësisë e Kosovës Lindore dhe jemi marrë vesh që bashkërisht me gjithë njerëzit atdhetarë e të vullnetit të mirë të punojmë drejt unifikimit e bashkimit të kombit. Ne do të vazhdojmë të jemi një zë i fuqishëm i Malësisë së Dedë Gjo Lulit dhe ky emër me respekt do të përmendet në shumë takime e festivale kudo në trojet etnike. Besojmë në përkrahjen modeste të atyre që na përkrahen edhe deri tani, aq sa kanë pasur mundësi, dhe do të jemi pjesë e festës së madhe të “ Sofra Dardane” në qytetin Bajram Curr të Shqipërisë, po edhe në vendin e bukur e turistik Theth në Malësinë e Mbi Shkodrës. Pritja dhe mikpritja që na është bërë edhe gjatë kësaj vizite në Shkodër është krenari për ne dhe tregon se Shoqata jonë gëzon respekt e bashkë me të edhe Malësia e Madhe dhe emri i ndritur i Martinit” , shprehet Ukshin Jashari, kryetar i Shoqatës “Martin Dreshaj”. Ai sapo është kthyer nga një takim vëllazëror që u zhvillua me veprimtarë të Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”. Bashkë me të ishin edhe veprimtarët e Shoqatës prof. Rexhep Abazi, Shefki Halimi, Frashër Rraci. Në bisedat vëllazërore me kryetarin e Shoqatës dukagjinase, z. Ndue Sanajn e me veprimtarët Prelë Milani, Aleks Dushi, Luigj Shyti, poetin Lazër Kodra e gazetaren Roza Pjetri ata kanë shpalosur gjithë preokupimet e Shoqatës “Martin Dreshaj” dhe janë shprehur, se edhe përkundër kushteve minimale të punës, do të vazhdojnë të mbesin zë i Malësisë e për Malësinë. Këtë do ta bëjnë edhe në festën “Dita e Alpeve Shqiptare” duke u prezantuar denjësisht në një program të përbashkët kulturor në Theth bashkë me pjesëtarë ansamblesh nga trojet tjera shqiptare.

“ Kemi mundur me përkrahësit dhe veprimtarët e Shoqatës sonë të formojmë edhe Ansambël të mirë të këngëve e valleve, por ne kemi vendosur që të kemi vetëm grupin aktiv të aktorëve , ndërsa këngët e vallet në çdo manifestim do t’i sjellim nga trojet etnike duke krijuar kështu një shembull të bukur të bashkimit dhe unifikimit të kombit. Kemi treguar shumë herë se kur shqiptarët janë bashkë në angazhime, por edhe në këngë e valle çdo gjë është më e gjallë dhe më e bukur. Kështu do të vazhdojmë gjithmonë. Bashkë me vëllezërit nga trojet etnike do të prezantohemi edhe në Bajram Curr edhe në Theth e kudo në Manifestime për të forcuar idealin e bashkimit të kombit”, shprehet sekretari i Shoqatës “Martin Dreshaj”, Frashër Rraci. Falënderimet për mikpritjen ën Shkodër dhe për gjithë aktivitetet e përbashkëta i kanë shprehur edhe veprimtarët nga Kosova Lindore, prof. Rexhep Abazi e Shefki Halimi. Ata bashkë me Ansamblin e tyre “Shpëtimi” nga Medvegja do të jenë në takimet, festat dhe angazhimet e përbashkëta të trojeve etnike.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE