Me nismën e kryeministrit Sali Berisha, grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të angazhohet në ngritjen e një komisioni hetimor për vrasjet masive të mbi 4300 shqiptarëve të Kosovës në mars të 1945-ës, e njohur në histori si “masakra e Tivarit”.
Kryeministri Berisha e lajmëroi këtë nismë pas replikave në distancë me ish-udhëheqësin komunist Ramiz Alia, duke e akuzuar atë për genocid dhe krime lufte.
“Genocidi i Tivarit nuk është një fantazi, ai u ndihmua nga klika barbare e Tiranës. Ramiz Alia ka qenë në atë periudhë komisar i divizioneve që shkuan në Kosovë. Ai do të deklaronte pak ditë më parë që, le t’ia lëmë kosovarëve t’i gjejnë kush i vrau. Por jo, atë nuk mund ta bëjmë, xhelat. Duhet të gjejmë se cfarë roli luajti klika e Enver Hoxhës dhe kriminelëve të tij. Ata duhet të marrin ndëshkim ekzemplar”, ka deklaruar Berisha.
Të dhënat historike tregojnë se urdhëri i Titos për mobilizimin në frontin jugosllav të luftës në Kroaci të mijëra shqiptarëve meshkuj të Kosovës, në mars të 1945-ës, u bë për të shuar kryengritjen e paralajmëruar të shqiptarëve të Kosovës kundër partizanëve jugosllavë, për të ndaluar përfshirjen me forcë të Kosovës ne Federatën Jugosllave.
Sic thuhet, librat historikë për masakrën e Tivarit, për të bindur shqiptarët e Kosovës të mobilizohen, Tito kërkoi ndihmën e udhëheqjes komuniste shqiptare, e cila dërgoi në Kosovë divizionin e 5-të me komandant Shefqet Pecin dhe komisar politik Ramiz Alinë, që bashkëpunuan për të bindur shqiptarët e Kosovës të mobilizohen dhe të lëvizin drejt Tivarit nëpërmjet territorit shqiptar.
“I ka mbetur Tivarit, po ju duhet ta dini se që nga Hani i Hotit dergjen eshtrat e mijëra shqiptarëve që u sakrifikuan për shqiptarët. Nuk mund t’i fshehë duart e krimit sic kërkon t’i fshehë”, është shprehur Berisha.
Gjatë regjimit komunist, historia ka heshtur për masakrën e Tivarit, ose kur ka folur, ka deklaruar zyrtarisht si kriminel lufte Shaban Polluzhën, emblemën e qëndresës së shqiptarëve të Kosovës në Drenicë kundër partizanëve jugosllavë, synimi i të cilëve, nen drejtimin e Titos, ishte rianeksimi i Kosovës.
Një veprim ky që shkonte kundër marrëveshjes së Bujanit, ku komunistët shqiptarë dhe ata jugosllavë ranë dakort t’u linin shqiptarëve të Kosovës të drejtën për vetëvendosje pas mbarimit të luftës. /Top Channel/