Në vitin 2013 shqiptarët në një shtet?

“Lista e Shqipërisë Natyrale” është organizatë jopartiake, e cila do të mbledhë rreth vetes shqiptarët e të gjitha opsioneve politike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera.
Udhëheqësi i saj është politologu Koço Danaj, i cili ka kumtuar se kjo listë do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare në Shqipëri, Kosovë, si dhe në të gjitha vendet tjera të rajonit ku edhe jetojnë shqiptarët.

“Qëllimi është që përmes institucioneve të kërkohet bashkimi i shqiptarëve në një shtet deri në vitin 2013. Pjesëmarrës të kësaj liste do të jenë pjesëtarët nga trojet shqiptare, si nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe gjithë diaspora”, ka theksuar Danaj.

Zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni do ta gjejnë këtë organizëm politik edhe në Maqedoni, por rreth kësaj organizatorët kanë theksuar se është duke u punuar. Ata kanë theksuar se e pashmangshme është nevoja për shtetin e ri shqiptar, i cili siç theksohet, do të realizohet me të gjitha mjetet paqësore për të cilat edhe janë përcaktuar shqiptarët.

Sipas sondazhit të fundit nga “Galup-International”, 74 për qind e qytetarëve të Kosovës dhe 72 për qind e qytetarëve të Shqipërisë janë përcaktuar për bashkimin kombëtar dhe me pjesëmarrjen në zgjedhje dëshirohet që kjo përqindje e madhe të konvertohet në vota të popullit shqiptarë që institucionalisht të kërkohet bashkimi i trojeve shqiptare.

Qëllimi afatshkurtër i kësaj lëvizjeje është që njëqindvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntor 2012, të shënohet me Konfederatën Shqipëri-Kosovë, theksojnë organizatorët.

Slogani i kësaj lëvizjeje për opinionin ndërkombëtar është “Paqe me gjithë botën, miqësi me Evropën, dashuri me SHBA-të”, derisa porosia vendeve të rajonit është “Paqe dhe respekt me fqinjët, por secili në shtëpinë e vet”. /INA/

KOMENTOJE