Aksion për pastrimin e mjedisit – Për një mjedis më të pastër

Tuz – Sipërmarrja “Ujësjellësi” dhe “Pastrimi” organizuan aksionin e pastrimit të mjedisit në trevën e Komunës Urbane të Tuzit në të cilin u grumbulluan mbi tre tonë plehra. Në aksionin i cili u realizua në vendburimet e ujit në Vuksalekaj, Dinoshë, Milesh dhe Vrane morën pjesë 315 punonjës të këtyre institucioneve. Qëllimi i këtij aksioni përveç pastrimit të mjedisit për rreth burimeve të ujit ishte edhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe ambientit që na rrethon. Në aksion me karakter vullnetar mori pjesë edhe vetë kryetari i Komunës Urbane të Tuzit, Nikollë Gegaj.
Sipas tij, aksionet e këtij lloji janë më se të nevojshme për trevën e komunës së Tuzit dhe ato jo vetëm që duhen përkrahur, por edhe organizuar vetë.
“Me këtë gjest do të rrisim vetëdijen e qytetarit të thjeshtë që mbeturinat dhe plehrat duhet të gjuhen në vend të caktuar e jo në vende ku ndotin ambientin“, shprehet Gegaj.
Ndërmarrja “Pastrimi” siguroi makineritë teknike për pastrimin e mjedisit, ndërsa punëtorët e ndërmarrjes “Ujësjellësi” që nga fillimi i pranverës ditën e fundit të punës së çdo muaji marrin pjesë në aksione të pastrimit të mjedisit nga plehrat dhe mbeturinat e ndryshme. /Koha Javore – M.Gj./

KOMENTOJE