Spanja e para, Shqipëria fiton 8 vende

Ndryshime të mëdha kanë ndodhur në rang listën e fundit të FIFA-s të kombëtareve më të mira të futbollit në botë, kryesisht për shkak të pikëve të fituar nga Kampionati Botëror në Afrikën e Jugut.
Fitoret në dy ndeshjet miqësore me Malin e Zi dhe Andorrën i kanë dhënë një impuls të ri kombëtares shqiptare jo vetëm në fushë por edhe në letër.
Ekipi i drejtuar nga Kuzhe që do ta nise fushatën eliminatore Euro 2012 më 3 shtator përballë Rumanisë, ka fituar plot 8 vende në renditjen e FIFA-s. Me 455 pikë, Shqipëria renditet e 71-ta në botë, duke lënë pas Malin e Zi dhe 6 vende më poshtë kundërshtarët e grupit, Bjellorusinë.
Spanja ka marrë kryesimin, me një avantazh të madh ndaj Holandës në vendin e dytë. Brazili nga vendi i parë “ka rënë” në të tretin, Gjermania është e katërta, ndërsa Argjentina e pesta.
Në dhjetëshen e parë gjenden edhe Uruguai, i cili është “ngjitur” për dhjetë vende, pastaj Anglia, Portugalia, Egjipti dhe Kili. /NOA/