“Ne më së miri e dimë se cilat janë përparësitë dhe çfarë më së shumti u duhet qytetarëve të Malësisë. Kur bëhet fjalë për projektet të cilët nuk i takojnë vetëm Malësisë, atëherë aty do të kyçet edhe kryeqyteti, edhe vetë shteti”, e citojnë mediat Kajoshajn, i cili i ulur në një karrige turpi po mohon me gojën e tij e me letrën e shkruar nga bosët e tij në Podgoricë kërkesën e drejt e legjitime të Malësisë për referendum. Gospodine Kajoshaj, unë nuk e di kush je dhe nuk kam lexuar fare biografinë tënde, por nga veprimet dhe deklarimet në media po e kuptoj se mund të jesh cili do, por shqiptar e malësor hiç.
Gospodine Kajoshaj kështu si ti flisnin dikur në Kosovë Shukriu, Sinani, Shiroka, Morina. Po e di për cilat fundërrina e kam fjalën. Ata lehën e lehën në emër të Beogradit e kundër vullnetit të fuqishëm të popullit shqiptar dhe në fund kur serbët u ngopen nga këta sahanlëpirës ua siguruan edhe vendet në fundërrinë e pleh. Ku janë ata sot? Si përmenden e kujtohen nga populli shqiptar? Pyete vetën. Ata në tërë botën deklaroheshin se janë shqiptarë sepse emrat e mbiemrat dhe përkatësinë në lejet e njoftimit i kishin shqiptarë, por punuan me tërë qenien e tyre të ndyrë kundër vullnetit të popullit në të cilin thirreshin. Shukriu, Sinani, Shiroka, Morina i kishin vënë lakun popullit dhe vendit të tyre duke shërbyer për armikun dhe pushtuesin. “Nuk i takon Kosovës republika dhe kjo është kërkesë nacionaliste. Gjithë ata që kërkojnë një gjë të tillë janë armiq të Jugosllavisë dhe vëllazërim-bashkimit”, thoshin ata dhe i mbushnin burgjet me rininë shqiptare. Në historinë dhe kujtesën e popullit tonë ata janë e do të jenë të urryer sa edhe vetë pushtuesi serb me gjithë makinerinë e tij vrastare. Ti gospodine Kajoshaj ulu dhe pije një raki e një kafe me Gegajn dhe kthjellohuni pak. Kujtoni veprat e ndyra të këtyre që t’i përmenda, por kujtoni edhe në cilat fundërrina përfunduan dhe pastaj do të gjykoni e do të punoni ndryshe. Në Kosovë, gospodine Kajoshaj, Serbia i joshte me nga një karrige turpi e me nga një revole disa shqiptarë të mjerë dhe ata viheshin në shërbim të shtrigave nga Karpatet. Shkelnin tokën e Kosovës dhe fryheshin si debilët kur bënin vepra kundër kombit shqiptarë. Kur kryenin punën e tyre të turpshme e kundër Kosovës vetë Serbia ua gjente vendin në fundërrina e në vende të tjera të pista. Serbia në ato vite thirrej në botë se ja në mënyrë demokratike u ka dhënë liri shqiptarëve dhe se ata po tregojnë vetë për gjendjen e mirë atje. Serbia me letrat e punuara në Beograd kundër Kosovës e shqiptarëve, por me gojën e këtyre që t’i përmenda, e mashtronte botën për gjendjen në Kosovë dhe fitonte të drejtë për të bërë burgosje, maltretime, dhunë e vrasje mbi popullin shqiptar. Në atë kohë gospodine Kajoshaj në Kosovë përmendej shpesh ajo anekdota “Mali dhe sëpata”. Ishte një herë o Kajoshaj e Gegaj një mal të cilit sëpata po ia priste një nga një lisat. Mali u ankua në institucionet e botës së atëhershme kundër sëpatës. Bota mblodhi një këshill për ta analizuar këtë ankesë dhe për të marrë masa kundër sëpatës, mirëpo kjo sëpatë ishte edhe e mençur. “Nuk kam faj hiç unë”, i tha ajo atij Këshillit ndërkombëtar. “Më shikoni dhe do të bindeni se unë vetëm pa bishtin nuk mund të bëj asgjë. E bishti i drurit të atij mali është”, tha sëpata shkurt e qetë. Këshilli ndërkombëtar shikoi dhe e vërtetoi këtë thënie dhe nuk e dënoi sëpatën sepse u bind se ajo nuk i ka fajet po bishti i saj i drurit.
Kajoshaj edhe Mali i Zi në Evropë, kur dikush ankohet për të drejtat e mohuara të shqiptarëve atje, i thotë Këshillave e institucioneve ndërkombëtare se ja unë do ua kisha lejuar të gjitha të drejtat dhe Komunën e plotë, por ja udhëheqësit shqiptarë si Kajoshaj, Gegaj, Dinosha e të tjerë të sojit të tyre e dinë më mirë.
Mendo mirë Kajoshaj dhe pije një raki me Gegajn e Dinoshën. Kthjelluni se në historinë e malësisë emrat tuaj do të përmenden vetëm për të keq. Kthjelluni se kur Podgorica të kryej planet e saj antishqiptare përmes jush do t’u gjej vend në fundërrina si i gjeti Serbia vend të fëlliqur Shukriut, Sinanit, Shirokës, Morinës.
Rrahman Jasharaj